Investim

Të bësh biznes në Shqipëri, vendi ynë i parafundit në rajon

Oct 31 2018
0 Shpërndarje
E para në rajon mbetet Maqedonia, që renditet e dhjeta në botë. Maqedonia ka qenë një konkurrent i fortë vitet e fundit me Shqipërinë, duke marrë jo vetëm investitorët e huaj, por së fundi po tërheq dhe investime të sipërmarrësve shqiptarë në fushën e farmaceutikës (Sagem), pasurive të paluajtshme (Balfin) apo dhe prodhimit të biskotave (Agna). Të bësh biznes në Shqipëri, vendi ynë i parafundit në rajon

Shqipëria është renditur në vendin e 63 nga 190 shtete për lehtësinë e të bërit biznes, në raportin e sapo publikuar të Bankës Botërore “Të bësh biznes 2019”.

Në krahasim me një vit më parë, Shqipëria është përmirësuar me dy pozicione, ndërkohë që mbetet e parafundit në rajon, duke lënë pas vetëm Bosnjë Hercegovinën (në vend të 89), një shtet me probleme të mëdha organizative dhe burokratike për shkak të ndarjes në dy njësi administrative.

E para në rajon mbetet Maqedonia, që renditet e dhjeta në botë. Maqedonia ka qenë një konkurrent i fortë vitet e fundit me Shqipërinë, duke marrë jo vetëm investitorët e huaj, por së fundi po tërheq dhe investime të sipërmarrësve shqiptarë në fushën e farmaceutikës (Sagem), pasurive të paluajtshme (Balfin) apo dhe prodhimit të biskotave (Agna).

Kosova ka bërë një përparim të dukshëm, duke u renditur në vendin e 44, ku përmirësimet më të mëdha janë në lejet e ndërtimit, pagimin e taksave dhe tregtinë përtej kufijve.

Serbia është në vend të 48 dhe Mali i Zi në të 50-n.

Treguesit ku Shqipëria është më keq janë marrja e lejeve të ndërtimit, në vend të 151; sigurimi i energjisë elektrike në vend të 144 dhe pagimi i taksave, në vend të 122. Treguesi më pozitiv është mbrojtja e të drejtave të minoriteteve e 26, tregtia përtej kufijve e 24-a dhe zgjidhja e paaftësisë paguese e 39-a.

Shqipëria përmendet në raport që ka bërë hap pozitiv në zbatimin e kontratave përmes amendimit të kodit të procedurës civile dhe zbatimit të procedurave të thjeshtuara në gjykatë.

Raporti i Bankës Botërore rendit ekonomitë sipas lehtësisë për të bërë biznes nga 1–190. Një nivel i lartë i lehtësisë për të bërë biznes nënkupton se mjedisi rregullator është më I përshtatshëm për një firmë vendase për  të nisur dhe për të ushtruar aktivitetin.

Raporti “Të bësh Biznes” ofron matje objektive të mjediseve rregullative të biznesit dhe zbatimin e tyre në 190 ekonomi.

Projekti, i cili ka filluar të zbatohet në vitin 2002, fokusohet tek kompanitë e vogla dhe të mesme dhe mat rregullat që zbatohen mbi to gjatë ciklit të tyre të jetës.

Duke grumbulluar dhe analizuar të dhëna sasiore domethënëse për të krahasuar mjedisin e rregullave të biznesit në ekonomi dhe përgjatë viteve, raporti “Të Bësh Biznes” I nxit ekonomitë që të konkurrojnë drejt rregulloreve më eficiente, ofron matës për reformat si dhe shërben si një burim informacioni për të interesuarit.

Vendi më lehtësi më të madh për të bërë biznes është Zelanda e re, e ndjekur nga Singapori, Danimarka, Hong Kongu, Republika e Koresë, Gjeorgjia, Norvegjia, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe dhjetëshen e mbyll shteti fqinj, Maqedonia. /Monitor

Tags >

biznes
Lajmet e fundit>