Prenotimi i një taksie, porositja e një vakti dhe rezervimi i një fluturimi nuk kanë qenë asnjëherë më të lehta. Por rezervimi i një prerje flokësh është një proces që ka hapësira për përmirësim.
Ky është misioni i Shedul.com, një platformë falas rezervimi dhe softueri më popullor në botë i salloneve të bukurisë.
Startupi me seli në Dubai ngriti këtë javë një investim me vlerë 6 milion dollar nga Middle East Venture Partners, BECO Capital dhe Lumia Capital.
Themeluar në 2015-ën, platforma pajis bizneset e vogla dhe të mesme me një softuer falas për tu përdorur. Shedul.com adreson të gjitha ngërçet e të drejtuarit të një biznesi duke menaxhuar rezervimet, pikat e shitjes, regjistrat e konsumatorëve, burimet njerëzore, inventarët dhe raportet financiare.
Dhe industria po përgjigjet pozitivisht. Në vetëm dy vite mbi 40,000 biznese në 120 vende të botës janë regjistruar në Shedul.com. Pjesa më e madhe e përdoruesve janë nga SHBA-të, Kanadaja, Britania dhe Australia.
Miliona rezervime bëhen në platformë çdo muaj, të cilat rriten mesatarisht 35% nga muaji në muaj. Në fund të 2017-ës, platforma do të kryejë rezervime me vlerë 1 miliard dollar.
Bashkëthemeluesi dhe CEO i Shedul.com, William Zeqiri, tha se është i emocionuar por jo i surprizuar nga suksesi. “Softueri i mirë dhe falas përhapet me shpejtësi,” tha Ai.
“Jemi duke ofruar një zgjidhje kritike për bizneset e vogla, duke ndryshuar mënyrën e tyre të ndërvepruarit me konsumatorët përmes teknologjisë.”
Si filloi e gjitha? Përpara se Zeqiri dhe bashkëthemeluesi Nick Miller të niseshin për një udhëtim, Zeqiri kuptoi se kishte nevojë për një prerje flokësh në momentin e fundit.
Ai nuk gjeti dot një alternativë dhe kjo për arsye se softuerët për sallonët janë jo vetëm të shtrenjta por edhe të vështira për tu përdorur. Si rezultat shumica e bizneseve operojnë pa asnjë softuer dhe menaxhojnë rezervimet ende me laps dhe letër.
Lidhur me të ardhmen e kompanisë dy bashkëthemeluesit nuk flasin shumë. Ata thonë se do të përdorin investimet e fundit për të zgjeruar aktivitetin e tyre dhe zhvillimin e produktit. /CIO Albanian