Business & Management

Kompania që bleu One dhe ALBtelecom blen filialin e Vodafone në Hungari

Jan 10 2023
0 Shpërndarje
Kompania që bleu One dhe ALBtelecom blen filialin e Vodafone në Hungari

Grupi Britanik i telekomunikacionit Vodafone tha ditën e Hënë se kishte rënë dakord të shiste biznesin Hungarez tek kompania lokale 4iG dhe shteti Hungarez për një shumë prej 1.7 miliardë eurosh.

4iG është kompania e cila bleu në Shqipëri operatorin celular One dhe operatorin celular dhe fiks ALBtelecom ndërsa në fillim të këtij viti njoftoi shkrirjen e dy kompanive në një të vetme.

Vodafone tha ditën e Hënë se shitja do të përdoret për të paguar borxhet e kompanisë. Nën drejtimin e shefit ekzekutiv Nick Read, Vodafone, dikur një prej operatorëve më të mëdhenj celular në botë, ka shitur asete në mënyrë të vazhdueshme për tu përqendruar tek operacionet e saj Evropiane dhe Afrikane.

Sipas planit, 4iG do të kontrollojë 51% të aksioneve të operatorit të ri ndërsa shteti Hungarez do të ketë 49%. Shitja pritet të finalizohet në fund të këtij muaji.

Kujtojmë se në fund të 2021 4iG vendosi të blejë operatorin One Telecommunications ndërsa nisi procedurat edhe për blerjen e ALBtelecom.

Marrëveshja ishte subjekt i një analiza nga autoritetet rregullatorë Shqiptare nisur nga fakti se një blerje e mundshme e të dy kompanive do të reduktonte numrin e operatorëve celularë nga tre në vetëm dy.

Në fund të Dhjetorit të vitit që lamë pas, One dhe ALBtelecom filluan të njoftonin abonentët e tyre përmes SMS dhe fushatave të reklamimit se nga data 1 Janar 2023 dy kompanitë do të shkriheshin në një të vetme.

Tashmë tregu në Shqipëri ndahet mes dy operatorëve, One dhe Vodafone ku që dy ofrojnë shërbime fikse dhe celulare. Vodafone hyri në tregun e shërbimeve fikse në fund të 2019-ës me blerjen e operatorit fiks ABCom.

Autoritetet i frikësoheshin se një reduktim i numrit të operatorëve në vetëm dy nga katër që ishin një dekadë më parë do të çonte në rritje të çmimeve dhe kostove për konsumatorët fundorë për shkak të uljes së konkurrencës.

4iG ka blerë edhe operatorin Malazez Telenor duke e ribranduar në One. /PCWorld Albanian