Mobile

Zhvilluesit e aplikacioneve mobile: "Mos ndërroni platformë"

Nov 19 2012
0 Shpërndarje
Zhvilluesit e aplikacioneve mobile: "Mos ndërroni platformë"

A duhet të jetë iOS, Android apo Windows 8? Zhvilluesit kanë përpara një zgjedhje të vështirë. Ja disa këshilla nga dy zhvillues të njohur.

Kryesorja: Mos ndërroni platformë! I përballur me zgjedhjen mes tri platformave të mëdha mobile çfarë duhet të bëjë një zhvillues ambicioz aplikacionesh? Nga njëra anë është Android dhe iOS, secila me nga 700,000 aplikacione të disponueshme dhe me një ekspozim të jashtëzakonshëm ndaj tregut si dhe me konkurrencën e pamëshirshme që shoqëron atë. Në anën tjetër është kombinimi Windows 8/Windows Phone 8 me një bazë më të vogël zhvilluesish, por me premtimin që të dhjetëfishojë aplikimet në muajt në vijim.

Windows Store aktualisht ka 10,000 aplikime, por planifikon t’i çojë në 100,000 në fund të janarit. Microsoft-i ka premtuar se deri në korrikun që vjen në duart e klientëve do të jenë 400 milionë pajisje Windows 8, duke mos harruar të premtojë se Windows 8 dhe Windows Phone 8 do të kenë përputhje në pajisje të ndryshme. Një aplikacion Windows 8 me të njëjtin kod do të punojë edhe në një PC, në një tablet dhe smartfon, duke i lejuar zhvilluesit që të kenë më shumë përdorues.

Stimujt financiarë të Windows 8 nuk janë për t’u refuzuar, pasi Microsoft-i do t’u japë zhvilluesve 70 për qind të çmimit të shitjes së një aplikacioni, por më pas do ta rrisë me 80 për qind në momentin kur aplikacioni të ketë fituar mbi 25,000 $. Apple vetëm kohët e fundit u ka ofruar zhvilluesve të iOS 70 për qind të çmimit të shitjes. Edhe Google i paguan zhvilluesit e Android me 70 për qind të çmimit të shitjes.

Megjithatë, Windows është ende në fazën e premtimeve, të cilat nuk janë bërë realitet. Nëse doni t’i përkushtoheni një platforme aplikacionesh mobile që ka një audiencë të madhe dhe tërheqje serioze në treg, atëherë iOS dhe Android janë zgjedhja më e mirë dhe se duhet të prisni se çfarë do të ndodhë me Windows 8.

Nëse mezi prisni të bëheni pjesë e një platforme e cila mund të ketë një shpërthim të vërtetë pas 12 deri 18 muajsh, atëherë Windows 8 e meriton një inspektim serioz. Kjo është ajo që kanë vendosur të bëjnë dy zhvillues të njohur.

Ja disa udhëzime shtesë se si të zgjidhni platformën e duhur

Tom Verhoeff, zhvuillues aplikacionesh dhe partner i Methylium, me seli në Holandë, krijoi aplikimin e Windows 8 për Booking.com, një faqe e famshme e rezervimit të hoteleve online . “Ajo që unë gjithmonë rekomandoj është përqendrimi në një platformë sepse çdo platformë ka truket dhe gjërat e veta të çuditshme. Nuk mendoj se është një ide e mirë të bësh një aplikacion për iOS të hënën, një për Android të martën dhe një për Windows 8 të mërkurën, sepse secili prej tyre është një përvojë krejtësisht e ndryshme.

Në fakt duhet ta përdorësh platformën në jetën e përditshme për ta njohur sa më mirë. Unë zhvilloj aplikacione për Windows 8 dhe mbaj një Windows Phone që prej tre vitesh. Unë nuk përdor iPhone rregullisht, por një zhvilluesi i duhet ta përdorë përditë platformën e tij.

Ka raste kur shohim kompani që marrin zhvillues aplikacionesh të cilët kanë punuar më parë për Android dhe më pas kalojnë te Windows 8 ose Windows Phone apo anasjelltas sepse një klient kërkon një aplikacion. Ai aplikacion mund të duket në rregull, por mund të dallohet menjëherë se ai zhvillues nuk e njihte platformën sa duhet.”

Steve Isabelle, është zhvilluese e pavarur dhe krijuese e aplikacionit Jack of Tools app për Windows 8 (dhe Windows Phone) . “Unë do të ndiqja rrugën e përsosjes sesa atë të kërkesës. Nëse dikush ka punuar ditë për ditë me iOS dhe iPhone e iPad ose me pajisje Android, duhet të vazhdojë të punojë për atë platformë. Thjesht nuk keni kohë si një zhvilluesi i pavarur që të punoni me çdo platformë. Lehtësia e përdorimit të stilit “Metro” e Windows 8 krijon një mundësi.

Ajo është e pastër dhe e thjeshtë dhe më e lehtë për zhvilluesit që të punojnë me të. Ka shumë elemente zbukuruese në iOS, të cilat kërkojnë shumë asete artistike dhe aftësi për t’i bërë aplikacionet që të funksionojnë me iPhone dhe iPad Kostoja është një tjetër gjë. Microsoft Visual Studio Express është falas. Microsoft-i është duke bërë shumë që të inkurajojë zhvillimin e aplikacioneve.

Por njerëzve nuk u pëlqen ndryshimi dhe mund të kenë pretendime, kështu që do të jetë e vështirë të thuhet se sa kohë do t’i duhet Windows 8 që të ketë sukses. Mendoj se platforma Windows 8 mund të performojë mirë, por nuk e di sa kohë do t’i duhet Windows Phone 8 që të gjejë hapësirë. Duhet t’i bëjnë me të vërtetë të pandara.” (CIO Albanian)

Tags >

it
Lajmet e fundit>