Internet

Zhvillohet në Tiranë Forumi rajonal i Broadband

Sep 6 2012
0 Shpërndarje
Zhvillohet në Tiranë Forumi rajonal i Broadband

Studimet më të fundit kanë treguar se një rritje me 10% e përdorimit të internetit me brez të gjerë ndikon në një rritje me 1.5% të Prodhimit Kombëtar.

Ndaj interneti me brez të gjerë vlerësohet si një kolonë e zhvillimit ekonomik dhe social. Pikërisht ky rol i rëndësishëm dhe në rritje e internetit ishte objekt i forumit rajonal të organizuar sot në Tiranë nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve, ITU, dhe nga qeveria shqiptare.

Forumi rajonal është aktiviteti më i rëndësishëm i këtij lloji i zhvilluar në Shqipëri, me praninë e drejtuesve më të lartë të ITU dhe zyrtarëve e sipërmarrësve nga të gjitha vendet e rajonit. 

Kryeministri Sali Berisha tha në fjalën e tij se sot teknologjitë e informacionit dhe komunikimit janë forca më e madhe zhvilluese.

Ai përmendi hapat e mëdha përpara që ka bërë Shqipëria në vitet e fundit, në përhapjen e Teknologjive të Informacionit dhe Komunikimit, duke falënderuar njëkohësisht sektorin privat për rolin udhëheqës që ka pasur në këtë proces. Ndërsa sekretari i Përgjithshëm i ITU, Hamadoun Toure, tha se interneti me brez të gjerë përfaqëson sot një revolucion në ofrimin e shërbimeve.

Sipas tij, potencialet e broadband janë ende të paparashikueshme për mënyrën sesi teknologjia do të ndikojë jetën tonë në të ardhmen.

Forumi rajonal do të zhvillohet gjatë dy ditëve dhe diskutimet do të fokusohen në ndërtimin e strategjive dhe politikave për zhvillimin më të shpejtë të broadband, rregullimin e legjislacionit dhe në gjetjen e mënyrave për të nxitur kërkesën e tregut për shërbimet broadband. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>