Intervista

Zhvillimi i mëtutjeshëm i dizajnit në Kosovë, synimi i konferencës

Oct 20 2011
0 Shpërndarje
Zhvillimi i mëtutjeshëm i dizajnit në Kosovë, synimi i konferencës

Intervistoi: Çelik Nimani
Edhe pse jemi dëshmitarë të asaj se numri i kompanive dhe individëve që merren me dizajn grafik po shtohet çdo ditë e më shumë, vërejmë se ka mungesë të një fryme të institucionalizuar që e promovon këtë industri në një aspekt më gjithëpërfshirës.

Por ka të tillë që mendojnë përtej kutisë dhe sjellin në skenë ide konkrete, madje prej një cicërime të vetme në Twitter… Dhe pikërisht prej kësaj pike filloi inspirimi që mblodhi profesionistët aktivë në një takim shoqëror dhe njohës, të cilët erdhën në përfundimin se duhet të organizojnë diçka të tillë më shpesh, në mënyrë që të tentohet avancimi i dizajnimit dhe industrisë së dizajnit grafik në Kosovë. CIO Albanian arriti të bëjë një intervistë me njërin prej iniciatorëve të konferencës “REDO Design Conference”, Valon Sopi, i cili na dha disa detaje në lidhje me këtë ngjarje unike që mbahet më 17 shtator në Prishtinë.

CIO: Si u arrit deri tek ideja?
Valoni: Rrjetet sociale edhe kësaj radhe kanë pasur efektin e vet. Çdo gjë filloi me një diskutim të thjeshtë në Twitter rreth disa konferencave që po mbaheshin në rajon dhe aty për aty lindi ideja që të shtyjmë para edhe ne diçka të tillë në vendin tonë. Pas këtij diskutimi ndodhi takimi i parë, me ç’rast filluam të konkretizojmë hapat dhe të diskutojmë për të gjitha çështjet e ndërlidhura me konferencën. Menduam ta mbajmë në qershor, por me kalimin e kohës po vështronim madhështinë e konferencës dhe e pamë të arsyeshme që ta organizojmë ashtu si duhet dhe si është më së miri, prandaj caktuam një datë në shtator. Kur u takuam për herë të parë, ne e njihnim punën e secilit, por asnjëherë nuk arritëm të takoheshim më shpesh dhe në një nivel më profesional. Edhe dizajnerët me më shumë përvojë që veprojnë në Kosovë të vetmin vendtakim deri tani kanë pasur ambientin e diskutimit për ndonjë tender, por jo diçka më shumë. Vetë ideja prapa mbajtjes së konferencës qëndron në aspektin e themelimit të një Asociacioni të Dizajnerëve Grafik për shkak se çdo ditë e më shumë po shtohet numri i dizajnerëve në vendin tonë dhe të gjithë këta kuadro të profileve të ndryshme të dizajnit kanë nevojë për një përfaqësim profesional dhe kjo pa dyshim se është e mundur të arrihet. Asociacioni do të ketë rëndësinë e vet edhe në përmirësimin e profesionit, edukimin e klientit dhe në përgjithësi në rritjen e standardeve për vetë profesionin.


 

CIO: Pra konferenca paraqet hapin e parë drejt hapjes së diskutimeve të shumta?
Valoni: Po, sepse ne të gjithë jemi duke punuar në një formë në “shpellat” tona dhe rrallë jemi takuar, pavarësisht se kemi krijuar ide të mira secili brenda hapësirës së vet. Duke mbajtur takime të vazhdueshme arritëm të gjejmë një gjuhë të përbashkët mes nesh, përkatësisht të bëhemi një grup më ekzekutiv, i cili ka ndërmarrë hapat për caktimin e folësve, tematikën e konferencës dhe vetë organizimin.


 

CIO: Qëllimi detyrimisht ndërlidhet me zhvillimin e vetë profesionit të dizajnerëve?
Valoni: Pikërisht. Qëllimi është që të rritet profesioni dhe të rritet industria e dizajnit, që në përgjithësi do të ndikojë edhe në ngritjen e vetë klientit. Pas disa vitesh, kur klienti do të kuptojë se ç’është dizajni dhe ç’mund të bëjë dizajni për të në aspektin e kthimit të investimeve që bëjnë në këtë aspekt, atëherë besoj se i tërë profesioni si tërësi do të zhvillohet. Në të ardhmen synojmë që përmes asociacionit si dizajnerë të kemi një rol më të rëndësishëm edhe në qytete të ndryshme. Për shembull, në Nju Jork ka grupe dizajnerësh që këshillojnë komunën se ku duhet të vendosen shenjat e dyqaneve apo edhe çfarë standardesh duhet të ketë dizajni i tyre. Kjo tregon praktikisht se si roli i dizajnerit ndërlidhet jo vetëm me përfitimet për bizneset, por edhe për shoqërinë. Deri më sot dizajni më shumë ka qëndruar në taborin e dekoratives sepse praktikisht edhe dizajneri edhe klienti më shumë përqendrohen në aspektin estetik sesa në atë funksional.


 

CIO: Kush ka qenë iniciator i konferencës?
Valoni: Pas takimeve të vazhdueshme dhe pas dakordimit për mbajtjen e konferencës në shtator, Ylli Vuçiterrna filloi punën si organizator i ngjarjes dhe është në hapat e finalizimit. Konferenca si e tillë nuk është iniciativë individuale, por praktikisht kolektive sepse jemi takuar bashkërisht dhe kemi ecur me grupin që është marrë më konkretisht me konferencën. Albian Gagica, Arian Rexhepi, Kushtrim Xhakli, Bes Bujupi, Nita Salihu, që njëherësh ka krijuar edhe brendimin e konferencës, si dhe Bardhi Haliti, Yll Rugova dhe unë jemi ata njerëz që në njëfarë mënyre jemi marrë me tematikat përfundimtare, por gjithsesi ka pasur mbështetje edhe prej shumë të tjerëve. Deri këtu ndoshta kemi ardhur për shkak të frustrimit si rrjedhojë e mungesës së një pikëtakimi mes profesionistëve. Sot, për shembull, ndodh një absurditet që kur hapet ndonjë tender për ndonjë dizajn, dallimet në çmim janë aq të mëdha, saqë nuk përkojnë aspak me realitetin dhe as klienti nuk e di se cili është çmimi real. Kjo është si shkak e mungesës së komunikimit, mungesës së standardeve, por të kthehemi në temë.


 

CIO: Si u arrit emërtimi i konferencës?
Valoni: Kemi vendosur në një tabelë shumë emra dhe pas diskutimesh të vazhdueshme duke eliminuar emrat e panevojshëm ose më mirë të themi ata që nuk i shkonin për shtat një konferencë të kësaj natyre. Në fund arritëm deri tek momenti kur Ylli përmendi emrin REDO dhe prej këtij momenti ne gjetëm atë që po kërkonim. REDO për shkak se ne si dizajnerë praktikisht gjithnjë jemi duke ridizajnuar një projekt apo një proces. Pra, si dizajner, si artist, asnjëherë nuk krijon diçka, por gjithnjë e ripërpunon sepse procesi prej fillimit deri në fund vazhdimisht ridizajnohet derisa të arrihet në fazën finale, kur kulmohet me perfeksionizëm. Pas emërtimit të konferencës tani kemi arritur në fazën finale të përzgjedhjes së folësve në konferencë dhe jemi duke pritur edhe konfirmimin prej një pjese akademike, përkatësisht prej profesionistëve të Fakultetit të Dizajnit në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Pjesën akademike e cilësojmë si shumë të rëndësishme sepse këta njerëz kanë qenë këtu dhe kanë krijuar kuadro përcjellëse dhe kanë krijuar një vizion dhe përvojë që është pjekur me tregun. Vlen të theksohet se si folës kryesor kemi përzgjedhur Kushtrim Xhaklin, sepse ai është një person që vazhdimisht ka mbështetur grupet që punojnë bashkërisht e që krijojnë diçka bashkërisht dhe është jashtëzakonisht aktiv në skenën ndërkombëtare në fushën inovative të teknologjisë informative. Xhakli do të jetë personi që do të mund të transmetojë në mënyrë më të mirë rëndësinë e punës në ekip dhe kjo ka rëndësi të madhe sepse deri tani ne si dizajnerë kemi punuar individualisht. Pastaj kemi edhe folës të tjerë, përfshirë Albian Gagicën nga INIT për dizajnin me ndikim specifik në shoqëri, Arian Rexhepin nga Koperativa që do të prekë tema rreth sfidave të dizajnit dhe zgji
dhjeve të mundshme, Fisnik Ismailin prej Ogilvy që do të shpalosë një temë shumë interesante për “Politikën në dizajn”, Yll Rugova nga Trembelat që do të flasë mbi tipografinë, pastaj Vasjen Katro nga Shqipëria, Bes Bujupi, dizajner me veprimtari në Angli, Flakerim Ismani si dhe disa profesionistë të tjerë që pritet të konfirmojnë pjesëmarrjen. Përveç kësaj pjese të folësve, kanë mbetur edhe disa çështje të vogla që sigurisht do të zgjidhen shumë shpejt. Në ditën e mbajtjes së konferencës ne presim që njerëzit të takohen sa më shumë mes tyre, të njihen, të debatojnë e të prezantojnë punimet, idetë apo projektet në të cilat po punojnë. Ëndrra e 17 shtatorit mbetet që njerëzit në fund të ditës të dalin prej aty me shumë pyetje, ndoshta edhe të papërgjigjura, por që sigurisht do të jenë pyetje që do të kenë efektin e tyre edhe në të ardhmen.


 

CIO: Kush ju ka mbështetur deri më sot?
Valoni: Ne jemi munduar të gjejmë sponsorë apo mbështetës të konferencës që kanë qenë aktivë në inovacion, dizajn dhe që kanë përfituar nga inovacioni drejtpërsëdrejti. IPKO Foundation për shembull është njëri prej sponsorëve të konferencës sepse që prej tre vitesh IPKO Foundation jep bursë për studentët më inovativë dhe kjo tregon përfshirjen e tyre direkte në industri. Universiteti Amerikan i Kosovës na ka mundësuar shfrytëzimin e të gjitha hapësirave gjatë ditës së konferencës, Ministria e Kulturës gjithashtu ka qenë mbështetëse e fuqishme e konferencës, Vi-Print do të shtypë materialin e konferencës, Uji i Rugovës, ProCreditBank Kosova si dhe natyrisht PCWorld Albanian dhe CIO Albanian që na kanë përcjellë hap pas hapi deri më sot në aspektin medial.


 

CIO: Le të flasim për një aspekt më të përgjithshëm. Praktikisht çfarë do të përfitojnë bizneset nga këto iniciativa?
Valoni: Atë ditë besojmë se do të kemi mysafirë të shumtë nga bizneset, sidomos menaxherët e marketingut. Sot jemi dëshmitarë të asaj se si lindin mosmarrëveshjet mes klientit dhe dizajnerit sepse dizajni në vetvete nuk është një proces i thjeshtë që përfundohet me shtypjen e një butoni. Ditën e konferencës njerëzit e përfshirë në biznese do të kenë rastin të mësojnë procesin e dizajnit dhe të kuptojnë si të komunikojnë dhe çka të presin. Përveç kësaj bizneset do të mësojnë edhe në lidhje me çmimet që duhet të kërkojnë dhe çfarë të presin në bazë të një dizajni të caktuar. Ne synojmë të rrisim edhe vetëdijen që ndërlidhet me pavarësimin e dizjanerit, që nënkupton se klienti do të ketë më shumë besim tek dizajneri dhe do t’i ofrojë atij hapësirën e duhur pa iu përzier në punën e tij.


 

CIO: Në çfarë niveli është sot tregu i dizajnit në Kosovë?
Valoni: Në një bisedë me Bes Bujupin më la përshtypje një thënie: “Kurrë ty nuk të ofrohet një projekt i madh, por ti vetë e krijon atë”. Pra, kjo është shenjë e qartë se asnjëherë klienti nuk të vjen në formën “kjo është kërkesa ime” dhe ky është dizjani më i mirë në botë që ke bërë deri më sot, por praktikisht ne të gjithë kemi një përgjegjësi që të krijojmë diçka në nivel botëror. E kemi për detyrë të ngremë tre gun tonë dhe të shtyjmë para avancimin e tij. Tregu ynë është aktiv, jo veç në Prishtinë por edhe jashtë kufijve të Kosovës. Me forcimin e vetë shtetin tonë sigurisht që do të hapen edhe mundësitë për investime më të lehta për kompanitë e huaja dhe atëherë pa dyshim që do të hapen dyert për dizajnerët tanë. Me fjalë të tjera, ne do të mund të arrijmë edhe në pikën kur klienti vendor që po investon në një fushatë për një produkt të caktuar do të ketë një nivel profesional dhe konkurrues edhe jashtë kufijve të Kosovës dhe kjo në kthim do të rrisë punën për dizajnerët tanë, do të rrisë mundësitë e dizajnimit, bashkëpunimit e në mes të tjerash do të promovojë edhe vetë industrinë e dizajnit përtej kufijve.


 

CIO: Çfarë synohet në të ardhmen pas mbajtjes së konferencës?
Valoni: Pas një periudhe të shkurtër do të synojmë të organizojmë disa takime më të vogla ose mini-konferenca, në të cilat do të ftojmë dizajnerë e dashamirë të dizajnit për të diskutuar tema të caktuara apo për të ftuar ekspertë të kësaj fushe prej vendeve të ndryshme të rajonit, të cilët do të kenë rastin të flasin për idetë e tyre, profesionin e tyre apo edhe vetë tregun ku veprojnë. Konferenca ka si synim të mbahet çdo vit, ndërsa siç e thashë synimi tjetër mbetet i ndërlidhur me Asociacionin e Dizjanerëve të Kosovës, i cili do të fokusohet veçanërisht në krijimin e disa parametrave veprues në treg që do të shërbejnë edhe për dizajnerët edhe për klientët. Përveç kësaj Asociacioni do të ndihmojë që në treg të dërgohen edhe dizajnerë më profesionalë, më të kualifikuar e më të përgatitur. Asociacioni do të jetë i ndërlidhur edhe me pjesën akademike, përkatësisht Fakultetin e Dizjanit, dhe gjithsesi vlen të përmendet prof. Shyqri Nimani, që njihet edhe si dizajneri i parë grafik profesionist shqiptar, i cili na ka ofruar përkrahje të plotë ndaj asociacionit.

Përderisa ekziston dinamika, optimizmi dhe energjia e madhe, ne do të jemi në pozicion shumë të mirë për të ndikuar pozitivisht në shumë aspekte në tregun e Kosovës.

Lajmet e fundit>