Uncategorized

Vodafone Germany paditet për ruajtje të të dhënave

Jul 27 2012
0 Shpërndarje
Vodafone Germany paditet për ruajtje të të dhënave

Një konsumator gjerman sapo ka paraqitur në Gjykatë një padi për operatorin mobil Vodafone, pasi sipas tij kompania ruan të dhëna të panevojshme, për të cilat nuk është e detyruar të mbajë një kopje. Pritet që kjo padi të pasohet nga të tjera ndaj operatorëve të tjerë.

Avokati, Meinhard Starostik, i kishte dorëzuar kompanisë në maj një letër në emër të klientit të tij, përmes së cilës e bënte me dije Vodafone-n se po ruante të dhëna në lidhje me trafikun në mënyrë të jashtëligjshme dhe se këto ishin të panevojshme në procesin e llogaritjes së faturës. Poashtu, ai kërkonte që këto të dhëna të fshiheshin menjëherë. Starostik i përket organizatave të avokatëve që merren me privatësinë dhe të drejtat digjitale.

Vodafone ruan të dhëna si psh. numri unik që identifikon një celular (IMEI), numri unik që identifikon një kartelë SIM (IMSI) si dhe të dhëna për kullën nga e cila është nisur një thirrje telefonike. Kjo e fundit tregon vendndodhjen e klientit gjatë kohës së telefonatës. IMEI ruhet për 80 ditë, IMSI për 30 ditë dhe të dhënat e thirrjeve hyrëse dhe dalëse për 92 ditë.

Sidoqoftë, kompanisë i lejohet të ruajë të dhëna që lidhen vetëm me procesin e llogaritjes së faturës dhe sipas avokatit, informacionet e mësipërme nuk janë të nevojshme për t’u regjistruar pasi nuk kanë lidhje me faturën.

Në 2008, në Gjermani u adoptua një urdhëresë e BE-së, përmes së cilës kërkohej që kompanitë telefonike dhe ato ISP të ruanin informacione mbi e-mailet, telefonatat dhe mesazhet për arsye ligjore. Gjithsesi, zbatimi i këtij ligji u anulua në 2010 nga Gjykata Kushtetuese Gjermane për shkak të shkeljes së privatësisë.

Nga ana tjetër, Vodafone ka deklaruar se këto të dhëna kanë vërtetë lidhje me faturën pasi, informacionet në lidhje me kullën kanë të bëjnë me tarifimin në bazë vendndodhjeje, IMEI ka të bëjë me dhënien e informacioneve nëse pajisja është e disponueshme dhe mund të përdorë shërbimet e kompanisë. Gjithashtu, kjo e fundit mund të përdoret edhe për të identifikuar klientin me ID-në e telefonuesit.

Pas kësaj deklarate, avokati u shpreh se klienti i tij nuk e kishte shërbimin e tarifimit në bazë vendndodhjeje dhe kjo ishte arsyeja që e kishte shtyrë për të ngritur padinë. Rena Tangens, një nga përfaqësueset e mbrojtjes së të dhënave në Gjermani tha se ‘ishte e tepruar që argumenti për arsyen e mbledhjes së të dhënave ishte mbrojtja nga terroristët dhe se fakti që të gjithë njerëzit shihen si të dyshuar është shkelje privatësie’. Ajo shtoi se vetë organizata e saj po mundohet të anulojë urdhëresën evropiane të ruajtjes së të dhënave (të cilën Parlamenti Gjerman e ka cilësuar si jokushtetuese). Sipas kësaj urdhërese, kompanitë mobile janë të detyruara të ruajnë të dhëna mbi telefonatat, e-mailet apo mesazhet (por jo përmbajtjen e tyre) për dy vjet. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>