Siguri

Vodafone Albania hetohet për abuzim me pozitën dominuese

Apr 12 2013
0 Shpërndarje
Vodafone Albania hetohet për abuzim me pozitën dominuese

VodafoneAutoriteti i Konkurrencës në Shqipëri ka vendosur hapjen e hetimit të thelluar në tregun e telefonisë celulare me pakicë ndaj operatorit Vodafone Albania. Hetimi është hapur pasi është analizuar gjendja e konkurrencës në treg dhe ka rezultuar se Vodafone Albania ka një pozitë dominuese në tregun përkatës.

Gjithashtu, janë vënë re shenja të kufizimit të konkurrencës, si pasojë e sjelljes me planet tarifore që kjo ndërmarrje ofron si dhe në sjelljen me distributorët e kartave telefonike. Gjatë hetimit paraprak, është vënë re se klientët në Vodafone Club nxiten dhe mbahen në këtë plan nëpërmjet tarifimit dhe ofertave shumë herë më avantazhuese brenda rrjetit, sesa jashtë rrjetit.

Vodafone ka ofruar një shërbim në kuadrin e ofertave promocionale për planet tarifore me parapagesë “oferta e portabilitetit për klientët me parapagesë” që përfshin komunitetin e Vodafone Club dhe Planin tarifor Vodafone Card.

Në bazë të këtyre ofertave, klientët e Vodafone Club përfitojnë më shumë trafik dhe shërbime celulare me një çmim më të ulët me qëllim për t’i mbajtur brenda rrjetit. Vodafone, për uljet e përfituara nga klienti gjatë kohës që është përdorur shërbimi, i kërkon kompensim nëse klienti do të kalojë në një operator tjetër.

Në këtë mënyrë, tërhiqen klientë të rinj, duke ofruar për ta tarifa më të ulëta sesa çmimet që u ofrohen klientëve aktualë të Vodafone, duke rritur pjesën e tregut në raport me operatorët e tjerë.

Gjithashtu, Vodafone ka rritur përqindjen e bonusit që përfitohet nga pikat e shitjes së produkteve të operatorëve celularë.

Ky bonus jepet vetëm me kushtin që t’i jepet përparësi ndërmarrjes Vodafone ndaj operatorëve të tjerë celularë, duke kërkuar heqjen e logove reklamuese të operatorëve të tjerë dhe vendosjen në pikat e shitjes vetëm të logove të Vodafone. (CIO Albanian)

Tags >

vodafone
Lajmet e fundit>