Aplikacione

Vjen Joomla 2.5

Jan 26 2012
0 Shpërndarje
Vjen Joomla 2.5

Edicioni i ri i opern-source sistemit për menaxhimin e përmbajtjeve tani vjen me një makinë kërkuese të re, dhe pos MySQL mund të përdor edhe Microsoft SQL Server ose PostGreSQL.

Joomla 2.5 u lëshua në përdorim të martën, dhe ndër të tjera përmban edhe një përmirësim që tani mund ti alarmojë administratorët kur versioni i ri i softuerit është gati për tu instaluar direkt nga pulti i administratorit.

Përkrahja për multi-databazë është një hap para për Joomla-n dhe tani e tutje përdoruesit e këtij softueri s’do të jenë të detyruar të lidhen vetëm me një databazë apo të harxhojnë më shumë para dhe kohë në softuerë për lidhjen e databazës me Joomla.

Versionet e kaluara të Joomla kanë qenë të lidhura vetëm me një databazë, MySQL. Deri tash administratorët që nuk dëshironin të përdorin MySQL mund të shkruanin vet konektorët e tyre duke përdorur PHP, por kjo merrte shumë kohë. Tani procedura e instalimit përfshin modul me anë të konektorëve të integruar që ofron mundësinë për të zgjedhur cilën databazë do të përdorin.

Për momentin Joomla do të përkrah SQL Server dhe PostGreSQL, ndërsa nga kompania paralajmërojnë që do të ofrohen edhe zgjedhje tjera posa të shkruhen konektorët për lidhjen e databazave të tyre të preferuara, të cilët më pas mund të futen në modul. Ky përmirësim do të jetë i tillë që Joomla të ekzekutojë disa komanda standarde të SQL në databaza të ndryshme.

Pakoja themelore e Joomla-s përfshin edhe një makinë kërkuese të integruar që fillimisht ishte vetëm një shtesë, ndërsa tani ofron një numër të madh të avantazheve mbi lidhjen në makina kërkuese komerciale si ajo e Google. Kjo makinë përdor metadata që është e lidhur me përmbajtjen në Joomla që mundëson rezultate më të mira.

Gjithashtu njoftimet për përditësimet e shtesave kanë qenë në sektorin për menaxhimin e këtyre shtesave, ndërsa tani paraqiten në pultin e administratorit dhe ofrojnë mundësi për të shkarkuar dhe përditësuar softuerin me vetëm disa klikime miu. Kjo pritet të lehtësoj përditësimin e instalimeve në Jomla.

Sipas organizatës Open Source Matters, Joomla operon në mbi 1.6 milionë uebfaqe anembanë botës, përfshirë uebfaqet e Citibank, MTV, Ikea, McDonald’s, Universiteti i Harvardit, etj. Përditësimet për këtë softuer lëshohen çdo gjashtë muaj.

Lajmet e fundit>