Aplikacione

Vjen Firefox 11

Mar 16 2012
0 Shpërndarje
Vjen Firefox 11

Mozilla ka lëshuar në përdorim versionin Firefox 11 i cili përfshin pak përmirësime në krahasim me versionin 10.2 dhe nuk pritet të josh shumë përdorues të lënë shfletuesit tjerë. Përditësimi i ri është i gatshëm për disa platforma përfshirë, Windows, Mac OS X, Linux dhe Android, dhe tani përmban aftësinë për të sinkronizuar shtesat ndërmjet shumë sistemeve dhe të importojë faqet favorite, listat historike dhe të dhënat tjera nga Chrome.

Në fakt sinkronizimi i shtesave mund të jetë karakteristika më e mirë në versionin e ri. Me këtë veti ju mund të sinkronizoni shtesat ndërmjet disa pajisjeve (përfshirë edhe celularët dhe tabletët e bazuara në Android), pa marrë parasysh se çfarë sistemi operativ ato përdorin, mjafton të keni shfletuesin Firefox në to. Firefox tashmë kishte prezantuar sinkronizimin e faqeve favorite dhe të dhënave të tjera, por sinkronizimi i shtesave është risi.

Përmirësim tjetër është edhe importimi i aranzhimeve, cookie-ve, historisë dhe faqeve të preferuara nga Chrome në Firefox. Më parë importimi ka qenë i mundur vetëm nga Internet Explorer, Opera dhe Safari.

Arsye për shpejtimin e këtij përmirësimi ka qenë përkrahja për protokollin SPDY, që u lejon mbushjen më të shpejtë të faqeve dhe përdor protokollin e sigurisë SSL, që ofron edhe shfletim më të sigurt.

Përmirësime më të mëdha do të ketë edhe për zhvilluesit. CSS Style Editor i ri lehtëson dizajnimin interaktiv të uebfaqeve për zhvilluesit dhe dizajnerët dhe u lejon të bëjnë ndryshime në kodin CSS dhe menjëherë të shohin ndryshimet.

Gjithashtu nga Mozilla kanë lajmëruar se janë duke punuar në sjelljen e përditësimit të heshtur për shfletuesin Firefox. Ky lloj përditësimi që tashmë përdoret nga Chrome pritet të jetë në dispozicion në qershor të këtij viti edhe pse tashmë ka 17 muaj që Mozilla është duke punuar në këtë drejtim. /cio.al/

Lajmet e fundit>