Aplikacione

Vjen Adobe Edge për HTML5

Aug 1 2011
0 Shpërndarje
Vjen Adobe Edge për HTML5

Ndoshta mund të mos jetë në favor të politikave të tyre që deri më tani janë mbështetur tek franshiza e animacioneve të bazuara në Flash, por Adobe ka vendosur të lançoj aplikacionin Adobe Edge, që do të shërbej për dizajnimin e ueb përmbajtjeve dinamike duke përdorur teknologjinë HTML 5 dhe standarde tjera të ngjashme.

Tradicionalisht, ueb dizajnuesit kanë përdorur aplikacionin Adobe Flash ose Microsoft Silverlight, për të vendosur përmbajtje të animuara dhe interaktive në uebfaqet e tyre, në formën e faqeve shtesë, grafikonëve interaktiv, videove të shkurtra, apo banerëve reklamues. Adobe vlerëson që 99% e të gjithë kompjuterëve desktop kanë aplikacionin që shërben për të lëshuar dosjet Flash.

Gjatë viteve të kaluara shumë kompani kanë provuar të krijojnë aplikacione të ndryshme të cilat do të mund të përdoreshin për të krijuar përmbajtje të pasur mediash të ngjashme me ato që krijohen me anë të Flash. Edhe zhvilluesit e shfletuesve kanë integruar këto standarde si HTML5, Canvas, JavaScript dhe CSS në shfletuesit e tyre, duke mënjanuar nevojë për një shtesë të veçantë siç është Flash playeri.

Adobe ka hasur në kritika edhe nga CEO i Apple, Steve Jobs, i cili ka kritikuar Flash se ka patur shumë vrima në të kaluarën, dhe ka udhëzuar zhvilluesit të kalojnë në HTML5.

Ndoshta kjo mund të jetë edhe një arsye shtesë pse Adobe ka zhvilluar aplikacionin Edge, për të cilin nga Adobe deklarojnë që nuk presin të zëvendësoj në tërësi Flash-in, së paku jo në të ardhmen e afërt. Adobe Edge do të përdor HTML5, CSS dhe JavaScript për të vendosur përmbajtje të animuara në uebfaqe në teknologjinë HTML. Ngjashëm si Flash, edhe Edge lejon zhvilluesit të ndryshojnë atributet e një imazhi apo elementi HTML për një kohë të caktuar, duke u dhënë atë ndjenjën e animacioneve uebfaqeve.

Lajmet e fundit>