Mobile

Videot dominojnë në trafikun mobil

Jul 27 2011
0 Shpërndarje
Videot dominojnë në trafikun mobil

Videot kanë shpenzuar më shumë se 39% të të gjithë trafikut të shfrytëzuar nga celularët në mbarë botën për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Shumica e këtij trafiku është harxhuar nga uebfaqja më e popullarizuar për videot, YouTube sipas një sondazhi të realizuar nga Allot Communications, një kompani për menaxhim trafiku.

Në përgjithësi volumi i të dhënave mobile është ngritur për 77% në gjashtë muajt e parë të vitit, duke shënuar një rritje të vogël prej rritjes prej 73% që kishte shënuar në gjashtë muajt e fundit të vitit 2010. Raportet janë përpiluar nga operatorët në Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikë, me një bazë prej 250 milionë përdoruesish të celularëve.

Vetëm YouTube ka shpenzuar 22% të të gjithë trafikut mobil në gjysmën e parë të këtij viti, që është për 17% më shumë se gjysma e dytë e vitit 2010. Në trafikun e të gjithë uebfaqeve për video përmbajtje, YouTube ka shpenzuar 52%, derisa rritja e përgjithshme e YouTube ka shënuar një ngritje prej 152% në këtë periudhë.

Pas videove, shpërndarja e dosjeve është e dyta në proceset më të popullarizuar tek përdoruesit e internetit në celularë me 29%. Pas saj renditet shfletimi i internetit me 25%, mesazhet e menjëhershme dhe shërbimet VoIP me 4%, derisa të gjithë aplikacionet tjera mobile kanë shpenzuar rreth 3% të trafikut.

Të gjitha shërbimet kanë shënuar ngritje, videot janë ngritur për 93%, shpërndarja e dosjeve me 33%, ndërsa më së shumti ishin rritur mesazhet e menjëhershme (instant messaging) dhe VoIP për 101%, kryesisht për shkak se edhe më shumë celularë dhe tabletë po përdorin kamerat për bisedë të drejtpërdrejt.

Skype dominoi fushën e VoIP edhe më shumë se që YouTube dominoi fushën e videove në trafikun e celularëve. Skype pati 82% të trafikut të shpenzuar për shërbimet VoIP, me Windows Live në pozitën e dytë me 3%. Më konkurrues ishte tregu i mesazheve të menjëhershme (IM), ku Yahoo Messenger kishte 29% të trafikut, para Windows Live me 25%, aplikacioni kinez QQ kishte 18% derisa Google Talk arriti në 12% të trafikut.

Ngritje kanë shënuar edhe uebfaqet shoqërore, me Twitter që është rritur për 297% në krahasim me periudhën paraprake gjashtë mujore, ndërsa Facebook ishte pak më mbrapa me 166%.

Lajmet e fundit>