Menaxhim Projektesh

Vendoset detyrimi për shërbime universale komunikimi

Nov 2 2012
0 Shpërndarje
Vendoset detyrimi për shërbime universale komunikimi

Një nga direktivat bazë të Bashkimit Europian në sektorin e telekomunikacioneve është detyrimi i shërbimit universal, që përfshin katër shërbime bazë, që duhet t’i ofrohen detyrimisht publikut.

Sipas direktivës përkatëse, shërbimet universale të detyrueshme janë shërbimi telefonik nga vendndodhje fikse, numëratori dhe shërbimet e kërkimit të informacionit në numërator, disponibiliteti i telefonave publikë me pagesë dhe aksesi i barabartë për përdoruesit me aftësi të kufizuara.

Ndonëse ky detyrim është përcaktuar edhe në ligjin shqiptar “Për Komunikimet Elektronike”, në praktikë ende nuk është zbatuar dhe Shqipëria nuk ka ende operatorë të shërbimeve universale. Ndër elementët përbërës të këtyre shërbimeve, tek ne mungon një numëratori telefonik i numrave fiksë dhe celularë, ndërsa telefonat publikë me pagesë vitet e fundit pothuajse janë zhdukur.

Sa i takon shërbimit të telefonisë fikse, llogaritjet teknike tregojnë që penetrimi i këtij shërbimi në Shqipëri duhet të jetë të paktën 29% për t’u konsideruar si shërbim universal, ndërkohë që sipas të dhënave më të fundit është më pak se 12%. Ndaj, këtë javë, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka përgatitur projekt-rregulloren që do të çojë në detyrimin për shërbime universale edhe në Shqipëri.

Kjo mund të bëhet me një operator të vetëm ose me operatorë të ndryshëm për shërbime të ndryshme. Direktivat parashikojnë që operatorët mund të përcaktohen me tender dhe, nëse tenderi dështon për shkak të mungesës së interesit, Autoriteti Rregullator mund të emërojë me detyrim operatorë për të ofruar shërbime universale.

Në rast se ofrimi i shërbimeve universal, me tarifat e përcaktuara nga Autoriteti nuk është me leverdi ekonomike, operatori i caktuar mund të kërkojë të subvencionohet nga një fond i veçantë kompensimi, që do të ngrihet nga AKEP.

Sipas ligjit, ky fond të financohet nga të gjithë operatorët e komunikimeve elektronike, me një shumë që nuk mund të jetë më e lartë se 1% e xhiros së tyre vjetore. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>