Business & Management

Twitter fillon targetimin e reklamave bazuar në “cookies”

Jul 5 2013
0 Shpërndarje
Twitter fillon targetimin e reklamave bazuar në “cookies”

TwitterTwitter ka lajmëruar gjatë kësaj jave se do të fillojë të shfaqë reklamat bazuar në “cookies”, duke shfrytëzuar avantazhet e kësaj teknologjie për t’i shfaqur përdoruesve reklama më të personalizuara, pavarësisht shqetësimeve që ngrihen herë pas here lidhur me këtë metodë. Twitter është faktikisht kompania më e fundit ueb që përdor “cookies”.

Rivalët e saj si Google, Facebook, Amazon apo edhe shumë kompani të tjera i përdorin ato prej kohësh. “Cookies” janë skedarë të vegjël që vendosen në kompjuterin e përdoruesve. Ato mbledhin bite të vogla informacioni lidhur me përdoruesin, si për shembull çfarë lloj uebfaqesh të tjera ka vizituar, ku ndodhen etj.

Në rastin e Twitter, kompania do t’i lejojë shitësit të bashkëngjisin versione anonime të adresave të e-mailit të konsumatorëve të tyre (e njohur si hashes), në motorin e reklamave të Twitter në mënyrë që të targetojnë individualisht konsumatorët.

Karakteristika e re në Twitter pritet të rrisë të ardhurat e kompanisë, pavarësisht se vjen në një kohë mjaft delikate ku po diskutohet shpesh mbi privatësinë. Gjatë viteve të fundit, si Bashkimi Europian ashtu edhe Komisioni Federal i Tregtisë së SHBA-së kanë ndaluar disa nga praktikat gjurmuese të Facebook-ut apo faqeve të tjera. Vitin e kaluar, autoritetet europiane filluan t’u kërkojnë uebfaqeve t’i informojnë përdoruesit para së të vendosin “cookies” në kompjuterët e tyre.

Twitter shtoi në postimin në blog se, ashtu si pjesa më e madhe e kompanive të tjera që operojnë në bazë të kësaj praktike, edhe ata nuk do t’u jepnin informacione të tjera shtesë reklamuesve. Po ashtu, ata do t’u japin mundësi përdoruesve të instalojnë funksionalitete shtesë në shfletuesit e tyre (Do Not Track), të cilat çaktivizojnë “cookies”. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>