Business & Management

TV “Klan” i miliardave nuk paguan detyrimet ndaj KKRT

Jul 16 2012
0 Shpërndarje
TV “Klan” i miliardave nuk paguan detyrimet ndaj KKRT

Është televizion kombëtar, i fuqishëm, i pasur dhe mbi të gjitha mbështetës i qeverisë në pushtet. Por, pavarësisht nga kjo, apo ndoshta për shkak të kësaj, nuk shlyen disa prej detyrimeve më elementare ndaj shtetit.

Sipas të dhënave të siguruara nga CIO Albanian, televizioni kombëtar “Klan” i detyrohet Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit 8.2 milionë lekë të reja.

Në këtë shumë përfshihen 5.1 milionë lekë pagesë license dhe 3.1 milionë lekë taksë frekuence, të gjitha detyrime të vitit 2010 dhe që nuk janë shlyer ende. Pronari i grupit mediatik “Klan”, Aleksandër Frangaj, siç dihet është një ndër biznesmenët më të afërt me qeverinë e Sali Berishës.

Që nga viti 2005, kur Partia Demokratike erdhi në pushtet, ai nuk ka rreshtur së rrituri perandorinë e tij mediatike, duke zgjeruar TV “Klan”, duke hapur një televizion në Kosovë dhe së shpejti pritet të bëjë të njëjtën gjë edhe në Maqedoni. TV Klan faturon miliona euro në vit, një pjesë e mirë e të cilave vijnë drejtpërsëdrejti nga fondet publike, ndërkohë që falë përkrahjes së pushtetit, Frangaj dhe ortakët e tij e kanë zgjeruar aktivitetin edhe në sektorë tjerë të biznesit, kryesisht në ndërtime dhe në zhvillimin e pasurive të paluajtshme.

Ndërkohë që po korr fitime të shumëanshme nga aleanca me pushtetin, TV “Klan” nuk dëshiron të paguajë 60 mijë euro detyrim ndaj Autoritetit Rregullator të Radiove dhe televizioneve. Dhe në fakt, nuk është i vetmi. Në listën e debitorëve të KKRT, i dyti figuron televizioni “Shijak”, me gjithsej 3.3 milionë lekë detyrime.

TV “Shijak” njihet si televizioni tradicionalisht përkrahës i Partisë Demokratike, qysh në kohën kur ajo ishte në opozitë. Ndonëse pronari i televizionit, Gëzim Ismaili, nuk u tregua aq i shkathët sa Frangaj për të përfituar nga ardhja në pushtet e Sali Berishës, duket se edhe ai po përfiton aq sa mundet. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>