Mobile

Tregu i thirrjeve celulare do të hetohet nga Autoriteti i Konkurrencës

Jan 29 2013
0 Shpërndarje
Tregu i thirrjeve celulare do të hetohet nga Autoriteti i Konkurrencës

autoriteti-i-konkurrencesAutoriteti i Konkurrencës në Shqipëri ka vendosur të hapë hetim paraprak për tregun e telefonisë celulare me parapagesë. Sipas vendimit zyrtar të Autoritetit, në këtë treg kohët e fundit vihen re shenja sjelljeje potencialisht antikonkurruese të një ose më shumë operatorëve dhe që mund të kenë si qëllim apo pasojë kufizimin e konkurrencës së lirë dhe efektive.

Drejtuesit e Autoritetit të Konkurrencës u shprehën se hetimi ka nisur pas ankesave të ardhura në këtë institucion, por rreth çështjes nuk do të jepen detaje të mëtejshme para mbylljes së hetimit.

Procesi do të përfshijë periudhën që nga 1 janari deri në 31 nëntor të vitit 2012 dhe raporti i hetimit paraprak pritet të paraqitet në Komision e Konkurrencës brenda muajit janar 2013. Në vitet e fundit, konkurrenca në tregun me pakicë të telefonisë celulare është bërë mjaft e ashpër, falë shtimit të numrit të operatorëve dhe mundësimit të bartjes së numrit.

Konkurrenca ka çuar në ulje të ndjeshme të tarifave, veçanërisht për thirrjet që operatorët celularë ofrojnë brenda rrjetit apo brenda grupeve. Por, duket se beteja e tarifave po krijon konflikte dhe akuza mes operatorëve në treg.

Sipas burimeve anonime, hetimi ka nisur pas një ankese të operatorit “Plus Communication”. Ky operator akuzon në veçanti operatorin “Vodafone Albania” se po abuzon me pozitën dominuese në tregun e thirrjeve me parapagesë. logo-caa

Sipas “Plus”, kjo kompani ofron tarifa shumë të lira për thirrjet brenda rrjetit dhe tarifa shumë të larta për thirrjet jashtë, me qëllim që abonentët të mos kenë interes të kryejnë thirrje jashtë rrjeti dhe as të largohen nga “Vodafone”. Sipas “Plus”, disbalanca e pajustifikuar mes tarifave për thirrjet brenda rrjetit dhe atyre jashtë rrjetit përbën një element konkurrence të pandershme.

Pritet që gjatë javëve në vijim Autoriteti i Konkurrencës të vendosë nëse do të ketë hetim të thelluar. (CIO Albanian)

Tags >

Shqipëri
Lajmet e fundit>