Intervista

Të veprosh globalisht

Jul 12 2011
0 Shpërndarje
Të veprosh globalisht

Intervistoi: Çelik Nimani
Sot menaxher i përgjithshëm i PPC IT është Blerim Sejdiu, një fuqi e re dhe energjike që ka kapërcyer shumë faza zhvillimi në karrierën e tij brenda kompanisë PPC IT, e cila tani synon të zhvillohet edhe më tej dhe të dyfishojë numrin e punëtorëve, praninë në tregjet ndërkombëtare dhe të ardhurat vjetore.

Me një qarkullim vjetor që pritet të arrijë në 12 milionë dollarë gjatë këtij viti, PPC IT ofron shërbime të ndryshme si IT Consulting, shërbime të integrimit, zgjidhje softuerike, trajnime profesionale, shitje të produkteve të partnerëve si HP, Dell, Cisco, etj si dhe qendrën për mirëmbajtje dhe riparime të IT. PPC IT një kohë të gjatë ofron edhe produkte të forensikës që shfrytëzohen nga Policia e Kosovës dhe policitë e ndryshme të rajonit. Në anën tjetër, Blerim Sejdiu na tregon disa detaje në lidhje me vetë PPC IT dhe me zhvillimin e mëtutjeshëm të kësaj kompanie në tregun e Kosovës dhe në tregjet botërore.

CIO: PPC IT është një kompani e tregut të IT-së që po vazhdon të shtrijë rrënjët e saj në tregje të ndryshme të botës. Në çfarë projektesh jeni përqendruar më shumë?
Sejdiu: Konstatimi i juaj është i saktë. Vet shtrirja e kompanisë në Berlin, Vjenë, Rotterdam e së fundi edhe Hong Kong tregon se ne kemi qëllime e aspirata serioze dhe jemi të përkushtuar ndaj tregut vendor dhe ndërkombëtarë. Projektet me të cilat merremi sot i përkasin në njërën anë sistemeve të integruara, që është një nivel më i lartë profesional i angazhimit dhe bashkëpunimit me kompanitë tjera dhe institucionet qeveritare, dhe në anën tjetër me shitje dhe zhvillim të aplikacioneve të ndryshme. Projektet në të cilat deri më sot ka punuar PPC IT janë shumë interesante dhe të rëndësishme si për zhvillimin e tregut të Kosovës po ashtu edhe të vet PPC IT-së. Kemi punuar në sektorin publikë, industri financiare, telekomunikim, shitje, etj. dhe jo vetëm në tregun e Kosovës por në të gjitha tregjet ku sot kemi filialet tona.
Për sa i përket zhvillimit të softuerëve, kjo është një tjetër shtyllë e zhvillimit të PPC IT-së dhe kërkon një trajtim të veçantë, veçanërisht në tregjet në zhvillim e sipër siç është Kosova, por edhe në vendet tjera si Gjermania, Austria apo Holanda, sepse konkurrenca është shumë e fortë dhe është sfidë si për menaxherin e kompanisë, ashtu edhe për programerët që të arrihen standardet dhe kriteret e parashtruara prej tregjeve përkatëse. PPC IT sot ofron aplikacione për kontabilitet dhe inventarizim, të cilin këtë të fundit e shfrytëzon Shkolla Policore e Kosovës dhe Dogana, e kështu me radhë. Këto aplikacione që i zhvillojmë ne, përveç se në Kosovë kryesisht aplikohen në Evropë, por praktikisht përmes zyrës tonë qendrore të softuerit të vendosur në Berlin. Në Gjermani kemi krijuar aplikacione që aplikohën në gjigant siç janë: Deutsche BAHN AG, BearingPoint GmbH, Kraftanlagen Munchen GmbH, TBS GmbH, MS Consulting GmbH, etj.

CIO: PPC IT sot vepron në Kosovë dhe në disa qendra të tjera të mëdha evropiane. Pse nuk ka ndonjë shtrirje të biznesit edhe në tregjet e rajonit?
Sejdiu: PPC IT ka ambicie të mëdha dhe synimet e saja janë tregjet e mëdha. Kosova është vendi ku jemi zhvilluar fillimisht dhe duke pasur parasysh hapat e zhvillimit të vendit, është e kuptueshme se duhet të jemi të pranishëm dhe të punojmë paralel me këtë treg. Pra realiteti është se kemi të bëjmë me një treg me potencial të madh zhvillimi në Kosovë, por ne shohim se të ardhurat më të mëdha janë në tregjet e Evropës dhe të Azisë, prandaj jemi prezantuar edhe atje dhe po vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim.
Shërbimi i programerëve është mjaftë fleksibil dhe tërë kohën plotësohet me kuadër adekuat, i njëjti udhëhiqet dhe koordinohet nga programërt eminent gjerman. Sipas nevojës së projekteve PPC IT angazhon edhe programerë shtesë, por kjo varet prej numrit të projekteve me të cilat punojmë.

CIO: Kualifikimin e kuadrit në një mënyrë e përkrahni edhe ju, natyrisht nisur nga fakti se ofroni trajnime profesionale të industrisë së teknologjisë?
Sejdiu: Po, natyrisht. Ne ofrojmë edhe trajnime profesionale me staf përkatës dhe të licencuar, të cilët punojnë me kandidatë e interesuar të trajnimeve tona që i përkasin njohurive nga Microsoft dhe Cisco. Aktuale është të theksohet se trajnimet e Cisco-së të cilat i ofrojmë ne, janë trajnime të avancuara që PPC IT ekskluzivisht i ofron në Kosovë. Numri i moduleve të trajnimit për shembull për Cisco është mjaft i madh, dhe këto module të cilat vijohën nga të interesuarit nuk janë në formë klasike që zgjasin 6 muaj apo një vit, që është forma e ofruar prej shumicës së kompanive që veprojnë në Kosovë dhe ofrojnë trajnime të këtij lloji, por janë të tipit “Fast Track Training” që do të thotë se pala e interesuar është në gjendja brenda pesë ditës ta ndjek kursin dhe të kompletojë njohuritë dhe të certifikohet mbi një modul të caktuar. Kjo do të thotë se kurset janë me orar të plotë dhe zgjasin 8 orë në ditë, prandaj edhe mund të arrihet një shpejtësi e këtillë e përgatitjes së kuadrit.
Tregu botëror po e preferon këtë formë të trajnimit sepse periudha e përkushtimit të një kandidati ndaj një moduli është më e shkurtër, dhe kjo natyrisht ndikon në rritjen e efikasitetit dhe në kursimin e kohës, e dihet se koha është një faktor shumë me rëndësi në industrinë e IT-së. E ne jemi edhe partner të Fast Lane, që është organizatë e specializuar ndërkombëtare për trajnime të kësaj natyre për platformën Cisco, dhe që është e pranishme në 42 shtete të botës.

CIO: Cili është roli juaj në tërë këtë shtrirje të gjerë të kompanisë?
Sejdiu: Me ndryshimet dhe zhvillimet e fundit që janë duke ndodhur me PPC IT-në, sipas të gjitha gjasave roli im do të jetë në pozitën e CEO-së si dhe aksionarë në PPC IT Sh.a., ku kjo e fundit pritet të konkretizohet brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Pozita e menaxherit nuk është e lehtë. Sigurisht është dashur të bëhet mjaft punë dhe përkushtim në zhvillim të karrierës. Në vitin 2000 kur ka startuar kompania, kam qenë i angazhuar për një periudhë prej gjatë muajsh si praktikant, e më pas gradualisht kam avancuar prej viti në vit në pozita të ndryshme, natyrisht falë seriozitetit dhe angazhimit me ekipin punuës, dhe në vitin 2006 kjo është konkretizuar me angazhimin tim në pozitën e menaxherit të përgjithshëm, detyrë të cilën e kam kryer deri sot.

CIO: Cilat janë arsyet prapa këtyre ndryshimeve në PPC IT?
Sejdiu: Puna. Realisht kjo është ajo forcë shtytëse prapa këtyre ndryshimeve që i ceka. Në tregjet ndërkombëtare ka mjaftë punë për tu bërë dhe në rastet të caktuara kemi arritur deri në atë nivel sa që është dashur t’i themi jo disa angazhimeve. Mos të harrojmë të cekim një element të rëndësishëm: Ne jemi duke bërë koncentrim të punës nëpër filialet tona në Berlin, Vjenë, Amsterdam e Hong Kong, ndërsa në Prishtinë po bëjmë punët e nevojshme që kërkohen për shërbimet e jashtme. Këto janë procese të cilat kryhen në koordinim me filialet nëpër tregjet përkatëse dhe janë cikle që kërkojnë angazhim permanent dhe sjellin rezultate konkrete.
PPC IT përafërsisht ka 25 punëtorë. Ky ekip prej 25 anët
arësh është forca që qëndron prapa rezultateve të mëdha në një projekt të caktuar, dhe është po ky ekip që arrin të koordinohet përmes nivelit menaxherial të kompanisë nëpër tërë këto tregje të mëdha dhe të sjellë të hyra për kompaninë. Ky numër është rritur me shtrirjen më të gjerë të kompanisë sonë, për shkak se deri para tre viteve ne kemi punuar vetëm në Kosovë, dhe kur kemi vendosur që të avancojmë tutje me një angazhim më të madh edhe në tregjet tjera, kemi vërejtur nga afër se në çfarë niveli është kërkesa e vendeve si Gjermania, Holanda apo Austria, dhe kemi arritur deri në këtë nivel të një ekipi punues që ka potencial të madh për tu zgjeruar edhe më shumë.

CIO: Me zgjerimin e kompanisë a mund të thuhet se do të ketë edhe rritje të numrit të partnerëve tuaj?
Sejdiu: Rritja e numrit të partnerëve paraqet një sfidë, sepse me një numër të madh të partnerëve është me vështirë ti menaxhosh dhe secili partner kërkon llogari, përkujdesje dhe përkushtim, me zgjerimin e kompanisë shtimi i partnerëve është i paevitueshëm. Prandaj kjo ka qenë njëra prej arsyeve që ne të vendosim të qëndrojmë fillimisht prapa partnerëve si HP me të cilët jemi Gold Partner, pastaj me Microsoft si Gold Certified Partner, Cisco Premier Partner, etj te cilët na kan ofruar mundësi të mirë për bashkëpunim dhe zhvillim te vazhdueshëm.
Por përderisa rritja e numrit të partnerëve do te shkojë me hapa më të ngadalshëm ajo që është duke ndodhur tani është rritja e vet PPC IT si PPC IT Sh.a., që do të jetë kompani qendrore e të gjitha qendrave të PPC IT nëpër tregjet të ndryshme të botës. PPC IT Sh.a. nuk do të jetë më e pranishme me përfaqësi por me qendra në Prishtinë, Vjenë, Berlin, Rotterdam dhe Hong Kong. Të gjitha këto, që mund t’i quajmë kompani në vete, do të jenë themeluese të shoqëris aksionare PPC IT Sh.a.

Rreth Blerim Sejdiut

Blerim Sejdiu është Menaxher i Përgjithshëm pranë PPC IT qysh prej vitit 2006. Që nga ajo kohë deri më sot ai ka qenë udhëheqës i suksesshëm i projekteve të ndryshme në të cilat është përfshirë PPC IT, duke filluar prej projekteve në institucione qeveritare, financa, telekomunikim, etj.
Gjatë zhvillimit të karrierës së tij ai është certifikuar në module të ndryshme të Cisco dhe Microsoft. Blerim Sejdiu është në përfundim të studimeve në UBT – Universitetin për Biznes dhe Teknologji në drejtimin e Menaxhimit dhe Ndërmarrësisë, anëtarë i CEED Kosova në gjeneratën e parë, dhe gjithashtu ka edhe aftësime dhe trajnime tjera të karakterit menaxherial.

Lajmet e fundit>