IT Organizate

Të hyrat e Windows në minimum

Jan 26 2012
0 Shpërndarje
Të hyrat e Windows në minimum

 

Divizioni i Windows ka numëruar vetëm 22.7% të të hyrave të kompanisë Microsoft për çerekun e fundit të vitit 2011. Kjo është pjesëmarrja më e vogël e Windows në të hyrat e Microsoft që nga çereku i tretë i vitit 2009 kur Windows kishte kontribuar me vetëm 20.3% të të hyrave në fund të periudhës së sistemit operativ Vista dhe vetëm disa javë para lançimit të Windows 7.

 

Të hyrat e Windows në çerekun e fundit të vitit të kaluar ishin 4.74 miliardë dollarë, që është një rënie prej 6% nga 5.06 miliardë dollarë sa kishte shënuar në të njëjtën periudhë një vit më parë. Të hyrat totale të Microsoft për çerekun e fundit të vitit 2011 ishin 20.89 miliardë dollarë.

Rënia e të hyrave të Windows është edhe më e madhe kur krahasojmë me të hyrat në fund të vitit 2009 kur kishte pjesëmarrje prej 36.3% të të hyrave totale të Microsoft. Tani Windows renditet si i treti për të hyra totale të Microsoft pas Office dhe softuerit për server të kësaj kompanie.

Zyrtarët e Microsoft këtë zhvlerësim e lidhin me përmbytjet që ndodhën në Tajlandë vitin e kaluar që dëmtuan fabrikat dhe ngushtuan furnizimet me hard disqe.

Në përgjithësi, Microsoft raportoi rritje në të hyrat totale me 5% në krahasim me periudhën e njëjtë para një viti. Grupi Serve&Tools ishte më i suksesshmi me rritje prej 11% ndërsa divizioni Business u rrit për 3%.

 

Lajmet e fundit>