Data Center

Tatimi i lartë po dëmton rëndë tregun e IT-së në Kosovë

Apr 29 2011
0 Shpërndarje
Tatimi i lartë po dëmton rëndë tregun e IT-së në Kosovë

Në një intervistë ekskluzive për numrin e kaluar të revistës CIO, të bërë me drejtorin gjeneral të Ask Goup, z. Erton Namoni, u tha se zhvillimi i një kompanie në tregun e teknologjisë informative në Kosovë është mjaft i vështirë për faktin se doganat paraqesin pengesat më të mëdha për tregun e Kosovës, pasi kanë vendosur një tatim total prej 27.6% për produktet teknologjike. Kjo rrjedhimisht po shkakton zhvillimin e tregut joformal në Kosovë dhe kompanitë e vogla, përmes shteteve fqinje që kanë tatim të ulët për produktet e teknologjisë, po nxjerrin fitim më të mirë si stërshitës, ndërkohë që distributorët e autorizuar si Ask Trade apo kompanitë partnere lokale, si Comtrade, Cacttus, PPC IT etj., të gjigantëve ndërkombëtarë, po rezultojnë më të shtrenjtë për këtë shkak.

Z. Namoni pati deklaruar për CIO se konsumatorët e tregut të Kosovës po përzgjedhin të blejnë produkte teknologjike në Maqedoni dhe shtete të tjera fqinje, të cilat janë më të lira për arsye se tatimi mbi produktet teknologjike është rreth 5 për qind, kurse doganë mbi këto produkte nuk ka fare në asnjërin shtet fqinj.

 

Dogana duhet hequr, TVSH të bjerë në 5%

Zyrtarë të Comtrade kanë konfirmuar të njëjtën gjë duke theksuar se tatimi plus dogana po shkaktojnë që vlera e një produkti të rritet 27.6% që në momentin kur futet në treg, ndërkohë që tërthorazi po përkrahet tregu i zi. “Produktet teknologjike që po futen në tregun e Kosovës po dalin me çmim të lartë për shkak të këtij problemi”, u shpreh z. Enver Doko, drejtor i përgjithshëm i Comtrade Computers, që është njëra prej IT kompanive të para në Kosovë. “Tatimi në këtë nivel po dëmton rëndë kompanitë që veprojnë brenda dispozitave ligjore. Mendohet se përfiton buxheti i Kosovës, por në fakt ndodh e kundërta. Konsumatori detyrohet të dalë jashtë vendit dhe të shkojë në Maqedoni për të blerë një produkt shumë më të lirë se tek ne dhe natyrisht e paguan tatimin atje dhe përfiton buxheti i atij shteti”, u shpreh z. Doko.

“Përveç bizneseve që bëjnë investime të konsiderueshme në produkte teknologjike, qeveria e Kosovës mund të thuhet se është blerësi më i madh dhe thjesht në këtë pikë mund të bëjmë një llogaritje të shkurtër. Pra, qeveria ka vendosur tatim e doganë prej 27.6% në produkte të IT-së përmes të cilit mendohet se po pasurohet buxheti, por në fakt produkti që shtrenjtohet detyrimisht shitet me të njëjtin çmim të lartë prapë te qeveria e Kosovës, e cila përmes një procedure të caktuar ligjore kërkon të furnizohet me pajisje teknologjike. Kjo faktikisht i bie që buxheti i Kosovës nuk humbet nëse hiqet dogana, pasi produkti është më i lirë sa ajo përqindje dhe kemi barazim”, theksoi ai. Sipas z. Doko, që njëherësh është edhe anëtarë i Bordit të Shoqatës së Teknologjisë Informative dhe Telekomunikimit të Kosovës – STIKK, janë bërë negociata të vazhdueshme me qeverinë në këtë aspekt dhe negociatat ende janë duke vazhduar për të hequr doganën dhe për të ulur TVSH-në në 5%.

“Duhet reaguar sa më parë dhe të largojmë zhvillimin e tregut ilegal. Duke bërë këtë ne jo vetëm që përkrahim zhvillimin e tregut, por edhe rritjen e buxhetit të Kosovës, përhapjen e teknologjisë tek familjet anembanë Kosovës, zhvillimin e vendit, zvogëlimin e tregut ilegal, etj.”

Nevojiten hapa urgjentë

“Pa u futur në krahasime me rajonin, në tërë botën dhe sidomos në shtetet në tranzicion siç jemi ne, kushtet për tregun e i IT-së janë të veçanta, stimuluese si dhe nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të qeverive përkatëse. Nëse marrim për bazë SHBA-të, duke ditur se në ç’nivel është gjendja e IT-së atje, do të mjaftonte që sektori i IT-së të trajtohet me një strategji afatmesme dhe afatgjate nga qeveria. Nuk diskutohet se a duhet të ulen tatimet këtu. Pyetja mendoj se është më shumë “sa shpejt dhe urgjentisht” duhet të ulen ato, por njëkohësisht të krijohet një strategji për futjen nën kontroll të tregut të zi”, theksoi z. Adnan Alaj, CEO i kompanisë Albivison, në lidhje me tatimin e lartë për produktet teknologjike që futen në Kosovë. Sipas z. Alaj, pavarësisht se po dëmtohen dhe pengohen në zhvillimin e planifikuar, kompanitë duhet të jenë të vendosura të paguajnë tatimet.

“Duhet që kompanitë të udhëheqin me sukses menaxhimin e çmimeve përmes ofrimit të shërbimeve profesionale të diferencuara nga konkurrenca. Sipas ekzekutivit të Albvision, në rastet kur një shtet izolohet në këto apo forma të ngjashme rrezikohet seriozisht qëndrueshmëria dhe zhvillimi i suksesshëm i kompanive serioze. “Kohën e fundit janë vërejtur përpjekje serioze në këtë drejtim, por, megjithatë janë duke u bërë gabime nga organizatat e huaja, qeveria dhe në përgjithësi agjencitë dhe Odat Ekonomike të përkushtuara për dhënien e ndihmës këtij sektori. Madje edhe organizata si USAID i lejojnë vetes të japin donacione dhe të ndajnë mjete për kompani, kryesisht fiktive, apo të afërta me stafin e tyre, nuk do të arrihet të stimulohet seriozisht ky sektor.

Duhet të ndryshohet mënyra e shpërblimeve, duhet të krijohen kushte të barabarta për kompanitë vendore dhe duhet të ndërpriten prakti kat e deritanishme për dhënien e donacioneve apo granteve kompanive që bëjnë anketime nga zyra. Kjo e dëmton seriozisht këtë sektor dhe pamundëson zhvillimin e shëndetshëm.

Ndryshimet që duhen bërë

Në një hulumtim të bërë nga Shoqata për Teknologji të Informimit dhe Komunikimit të Kosovës në lidhje me TVSH-në dhe doganën për pajisjet e TIK-ut në vendet e rajonit janë dhënë rekomandimet se qeveria e Kosovës duhet të bëjë ndryshime në Kodin e Akcizave të Kosovës duke ulur tarifat doganore për mallrat dhe shërbimet e TIK-ut në 0% dhe duke i harmonizuar ato me Bashkimin Evropian dhe vendet fqinje. Pastaj është rekomanduar amendamentimi i Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe harmonizimin me TVSH-në me standardet që përdoren në Bashkimin Evropian dhe vendet fqinje, duke ulur TVSH-në për mallrat e TIK-ut në 5%.

Sipas raportit të STIKK, nëse zbatohet norma e ulur e tarifave doganore prej 0% dhe TVSH-ja prej 5%, atëherë rrjedha e parasë së gatshme në BKK vlerësohet se do të ulet në 3.16 milionë dollarë në vitin 2010, kurse gradualisht deri në vitin 2013 pritet të arrijë në 5.70 milionë dollarë. Siç është thënë edhe në hulumtimet e STIKK dhe në rezultatet e nxjerra nga tregu, të gjitha kompanitë janë të pajtimit se duhet të merren menjëherë masa për heqjen e doganës dhe për uljen e TVSH-së, duke stimuluar në këtë formë të gjitha aspektet e tregut të IT-së. Kjo me fjalë të tjera do të thotë se do të eliminohet kontrabanda me mallrat e teknologjisë informative, do të ketë statistika reale nga shitja, do të ketë ulje çmimesh, do të rritet kërkesa në treg, do të stabilizohet importi dhe eksporti krahas shteteve të tjera në rajon, etj.

Lajmet e fundit>