Business & Management

Tabletët Android mposhtin iPad-ët në biznes dhe IT

Jun 16 2012
0 Shpërndarje
Tabletët Android mposhtin iPad-ët në biznes dhe IT

iPad i Apple ende mund të konsiderohet si mbreti i tabletëve në shumë aspekte, mirëpo të dhënat e një hulumtimi të ri shfaqin një mori dyshimesh rreth jetëgjatësisë së këtij mbizotërimi.

Sipas një studimi të kryer nga IDG Connect, thuhet se 44 përqind e blerësve të rinj të tabletëve në biznes dhe IT planifikojnë të blejnë një pajisje Android gjatë 12 muajve të ardhshëm, në krahasim me vetëm 27 përqind që planifikojnë të blejnë një iPad.

Kathryn Cave, redaktor në IDG Connect, në njoftimin për media ku edhe publikoi rezultatet e këtij hulumtimi, tha se “ngritja e përdorimit të tabletëve si dhe rritja e popullaritetit të sjelljes së pajisjes suaj në vendin e punës, duket të ketë ndikim fundamental në IT dhe biznes gjatë viteve të ardhshme.”

Vetëm tre përqind zgjedhin Windows 8

IDG Connect, në këtë hulumtim ka anketuar 3.124 IT dhe profesionistë biznesi nga mbarë bota.

Shtatëdhjetë e një përqind e të anketuarve deklaruan se tashmë ata posedojnë një tablet, ku 51 përqind e tyre posedojnë iPad, thuhet në raportin e hulumtimit të IDG Connect.

Për blerjet e së ardhmes, Android ishte zgjedhja e preferuar, me 44 përqind të të anketuarve që u deklaruan se do të zgjedhin një pajisje që përdor sistemin operativ të bazuar në Linux. Megjithatë, vetëm tre përqind e të anketuarve deklaruan se do të zgjedhin Windows 8, dhe 21 përqind deklaruan se ende nuk janë të sigurt se cilën pajisje do ta zgjedhin.

Ndryshimet globale

Rezultatet e hulumtimit janë edhe më interesante kur të ndahen gjeografikisht.

Në Afrikë, për shembull, 44 përqind e të anketuarve deklaruan se do të zgjedhin një tablet Android, në krahasim me vetëm 21 përqind që planifikojnë të blejnë një iPad. Ngjashëm në Europë, vetëm 23 përqind e blerësve të rinj deklaruan se planifikojnë të blejnë një iPad, në krahasim me 49 përqind që tashmë vetëm ja kanë vënë syrin një tableti Android.

Të anketuarit në Amerikën e Veriut dhe Australi/Zelandë të Re, kanë shfaqur interesimin më të ulët për tabletët Android, me vetëm 30 përqind të blerësve nga Amerika dhe 35 përqind nga Australia/Zelanda e Re. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>