Aplikacione

“Sixframes”, platforma online e videove

Jun 21 2012
0 Shpërndarje
“Sixframes”, platforma online e videove

Edhe pse ky produkt u shkon shumë për shtati kryesisht atyre që merren me prodhimin e videove, megjithatë të gjithë mund ta përdorin këtë vegël për të krijuar portofolin e tyre të videove online.

Nëse para një dekade faqet shqiptare të Internetit mund të numëroheshin me gishtat e dorës, sot janë të paktën disa qindra faqe të ndërtuara e të menaxhuara nga shqiptarët. Megjithatë shumica e këtyre faqeve janë ende në nivel portalesh apo forumesh, duke qëndruar ende larg modernizimit që imponojnë zhvillimet teknologjike të kohës. Duke vënë re këto mangësi në tregun shqiptar të Internetit, një grup i talentuar miqsh kishin kohë që mbanin në sirtar një ide të veçantë, të cilën vendosën ta shpalosin në “Startup Weekend” para disa javësh. Duke vlerësuar vetë iniciativën, detajet dhe përgatitjen e anëtarëve të grupit “Sixframes”, juria e këtij aktiviteti tepër të veçantë në llojin e tij, e përbërë nga personalitete të IT-së dhe sipërmarrjes, vendosi që ta shpërblejë punën e këtyre të rinjve të talentuar me vendin e dytë.

Studentë dhe profesionistë freelance në të njëjtën kohë

Duke përjashtuar Klajdi Turllën me diplomë ekonomiku, gjithë të tjerët kanë përvojë dhe prapavijë në informatikë nga universiteti shtetëror. Ideja fillestare për vënien në funksion të “Sixframes” i kishte ardhur prej kohësh Olsi Çelajt, një djaloshi të shkathët me pasion teknologjinë e informacionit, që aktivizohet edhe me organizata të shoqërisë civile. Gjatë 54 orëve të “Startup Weekend”-it, atij i’u bashkuan miqtë Leonard Elezi si zhvillues, Klajdi për drejtimin e biznesit, si edhe dy shoqet e tyre, Hortencia Totaj dhe Noela Aliaj, për zhvillimin e ndërfaqes së përdoruesit. “Secili prej nesh ka fillimet e tij me interesimin për IT-në. Herë me kanalet e ndryshme të chat-it, herë me programe apo programime”, shpjegon Olsi, dukshëm i mësuar me aktivitete me fokus sipërmarrjen e lirë dhe me zhargonin karakteristik të përdorur nga të apasionuarit pas World Wide Web-it.

Interesant është fakti, që në grupin e djelmoshave simpatikë janë përfshirë edhe dy vajza, të cilat nuk kanë ndërmend të qëndrojnë duarkryq. Hortencia dhe Noela studiojnë për informatikë bashkë me dy shokët e tyre dhe i janë futur kokë e këmbë fushës së tyre. “Duhet të pranojmë se femrat që merren me IT i vuajnë pak paragjykimet, qoftë edhe në intervistat e punës. Kjo ndodh edhe pse femrat janë më të shumta në numër nëpër auditoret e universitetit apo edhe nëpër kompanitë e ndryshme”, tregojnë ato duke buzëqeshur. Secili prej anëtarëve të grupit të dytë fitues merret me punë të ndryshme.

Siç thotë edhe Olsi, është shumë më mirë të punosh freelance, sepse kjo u lejon që të merren me shumë projekte të tjera njëkohësisht. Kështu, qoftë për arsye pune, ashtu edhe për arsye qejfi, të gjithë këta të rinj janë multitasking kur bëhet fjalë për mjetet e komunikimit online. Megjithatë ata nuk harrohen asnjëherë aq shumë pas botës virtuale, sa për të lënë pas dore jetën reale me familjet e shoqërinë.

“Sixframes” më shumë se portofol për videot

Siç pranojnë edhe vet të rinjtë, ideja e tyre lindi për shkak të përballjes së tyre të shpeshtë me pamundësinë e publikimit online nga ana e tyre të materialeve audio-vizuele. Olsi shpjegon se struktura e rrjeteve sociale aktualisht nuk e lejon promovimin afatgjatë të këtyre produkteve, “prandaj na lindi ideja e ndërtimit të një platforme, e cila në shumë pak kohë të lejon të krijosh një Ueb faqe në formën e një portofoli video të personalizuar dhe tërheqës”. Ideja “Sixframes”, sipas grupit që mori çmimin e dytë në “Startup Weekend”, është një mënyrë e thjeshtë për t’u prezantuar online, meqenëse dihet se sa e vështirë është të ndërtohet diçka nga e para, si nga pikëpamja e dizajnit, ashtu edhe në aspektin e kostove dhe shpenzimeve financiare. Pikërisht kjo e fundit konsiderohet nga këta të rinj edhe si pika më e fortë e iniciativës së tyre, sepse ajo do t’u mundësojë të gjithë të interesuarve, që të krijojnë portofolin e tyre të videove. Edhe pse platforma e tyre fillimisht do të shfrytëzojë etiketimin e videove nga faqe si “Youtube” dhe “Vimeo”, kjo nënkupton njëfarë varësie nga këto faqe, sjellja e këtyre kompanive kundër izolimit të platformave të tjera i jep shumë shpresë grupit “Sixframes” për të ndërtuar shërbimet e parashikuara mbi infrastrukturën e tyre.

“Targeti ynë kryesor janë studentët e arteve, bizneset që merren me prodhimin dhe editimin e videove, organizatat jofitimprurëse, festivalet e filmit dhe të gjithë të interesuarit. Përparësitë e shërbimeve tona konsistojnë në faktin se ndërfaqja e sistemit tonë është shumë e thjeshtë dhe intuitive; koha e publikimit të informacionit do t’u lejoj përdoruesve që ta publikojnë portofilin e tyre online brenda pak minutash; dhe sigurisht gjithçka do të jetë falas”, shpjegojnë siksfrejmsat. Për sa i përket komercializimit të produktit të tyre, Olsi, Klajdi, Leonardi, Hortencia dhe Noela kanë ndërmend që të mos e nisin menjëherë, por vetëm pas disa kohësh. Një mënyrë e menduar prej tyre është që të zhvillojnë prezantime të drejtpërdrejta nëpër shkollat e artit në kryeqytet. Më pas ata do të kalojnë në promovimin në rang kombëtar dhe atë ndërkombëtar. Për këtë arsye mos u habisni, ju studentë të arteve, kur ky grup të rinjsh simpatikë dhe elokuentë t’ju prezantojnë produktin e tyre në auditorin tuaj. Shumë shpejt do të kuptoni, se nuk do të mund të bëni dot pa shërbimin që ata e ofrojnë.

Ashtu si edhe të gjithë përkrahësit vendas e të huaj të “Startup Weekend”-it të parë shqiptar, “PCWorld” dhe “CIO.al” do të kenë kënaqësinë të promovojnë edhe në shkrime të tjera në të ardhmen jo thjeshtë idenë e këtyre të rinjve të talentuar apo të grupeve tjera fituese, sepse nuk bëhet fjalë thjeshtë për shitblerje apo marketing. Në misionin tonë informues e promovues do të përpiqemi t’i japim më shumë hov vet shpirtit të sipërmarrjes, konkurrencës së ideve novatore dhe risive në teknologjinë e informacionit, të cilat ashtu si edhe në të gjithë botën gjenerohen përditë nga shqiptarët, me shqiptarët, dhe për shqiptarët. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>