Siguri

Si të zbuloni dhe ndaloni ueb aplikacionet malinje

Mar 20 2012
0 Shpërndarje
Si të zbuloni dhe ndaloni ueb aplikacionet malinje

Ueb aplikacionet janë të shkëlqyeshme për shkak se gjenden virtualisht gjithkund, gjithmonë dhe mund tu qaseni nga çdo pajisje që ka shfletues interneti. Gjithashtu ato janë të lehta për tu përditësuar dhe mirëmbajtur. Zhvilluesit punojnë me to në ueb server dhe gjithkush që i përdor ato ka qasje në versionin më të fundit.

Por, ueb aplikacionet mund të përmbajnë shumë gjëra për të cilat nuk jeni të njoftuar, e në disa raste edhe mund të jenë malinje. Ju duhet të jeni të vetëdijshëm që ekziston rreziku se ueb aplikacionet mund të ju infektojnë dhe duhet të dini si të mbroheni.

Si mund të jetë i rrezikshëm një aplikacion?

Një ueb aplikacion zakonisht është i krijuar që të funksionoj brenda shfletuesit tuaj të internetit. Ngjashëm siç mund të përcjell kujtimet tuaja ose të luani një lojë, ai gjithashtu mund të infektoj kompjuterin tuaj.

Këto ueb aplikacione zakonisht janë të zhvilluara në teknologji si Java ose ActiveX, teknologji të cilat zhvilluesit i përdorin për veprime malinje. Edhe Adobe Flash është një platformë aplikacionesh që shpesh përdoret nga zhvilluesit.

Zakonisht një ueb aplikacion malinj është një kali trojan. Ky aplikacion malinj operon si një aplikacion tjetër dhe në fakt mund të kryej disa veprime legjitime, por posa ta klikoni, ai shkrep kodin malinj në sfond që mund të rrezikoj sistemin tuaj ose fshehtazi të shkarkoj programe tjera malinje nga interneti.

Disa sulme malware provojnë të ju shtyjnë të shtypni në një lidhje të shfaqur në email e cila ju lidh me një ueb-aplikacion malinj që mund të infektoj PC-në tuaj me malware. E në disa raste tjera aplikacionet malinje presin në internet për viktimat e radhës. Ndonjëherë sulmuesit gjejnë vrima ose vendosin reklama helmuese në një uebfaqe të besueshme. Kujdes të veçantë duhet ti vendoset IP adresave, gabimeve drejtshkrimore të faqeve të zakonshme dhe URL adresave interesante me karaktere të veçanta në to, edhe pse këto nuk janë gjithmonë burim i aplikacioneve malinje.

E gjithashtu mos mendoni që ju jeni të sigurt nëse hiqni dorë nga Microsoft Windows. Ueb aplikacionet shpesh synojnë vrima specifike, dhe Windows është fokusi primar, por ueb aplikacionet – të mira apo malinje – nuk mbështeten shumë në sistemin operativ.

Mbrojtja nga sulmet me ueb aplikacione

Sipas disa ekspertëve mbrojtja më e mirë nga ueb aplikacionet malinje është gjithashtu edhe më e vështira për tu implementuar: përdorues të arsimuar të cilët janë të vetëdijshëm për sigurinë në internet.

Rregulli i parë është i thjeshtë: nëse keni dyshime mos klikoni. Ky rregull mjafton të ndihmoj njerëzit ti shmangen shumicës së ueb aplikacioneve malinje, por vështirë duket të depërtoj në kokat e përdoruesve.

Duke pas parasysh që kjo rregull nuk respektohet, mbrojtja tjetër është të mbani të përditësuar softuerin tuaj të sigurisë. Shumica e softuerëve të tillë mund të vërejnë veprime të dyshimta dhe ti bllokojnë ato, por mbrojtja më e fortë vjen me përditësimin e vazhdueshëm të softuerit ashtu që të marr informata për sulmet aktuale.

Gjithashtu ueb aplikacionet gjejnë vrimat në sistemin operativ që përdorni ose aplikacionet e treta që të rrezikojnë kompjuterin tuaj. Për këtë arsye ju duhet ti aktivizoni përditësimet automatike në Windows dhe softuerët tjerë që ofrojnë përditësime të tilla.

Me evoluimi e sulmeve me anë të ueb-aplikacioneve, prodhuesit e shfletuesve kanë shtuar veti sigurie për të mbrojtur sistemet e tyre. Shfletuesit më të fundit kanë vetitë të ndihmojnë në identifikimin e rrënjëve të domenit ose uebfaqes së caktuar ashtu që të mos hapni ndonjë faqe mashtruese – phishing. Nëse përdorni një shfletues të pa përditësuar, ai do të ju mbroj vetëm nga ato sulmet e vjetruara duke ju lënë pothuajse të pambrojtur nga sulmet malinje të fundit.

Ligësi e paramenduar

Një ueb aplikacion malinj mund të jetë në gjendje të qaset në informatat nëpër të gjitha tabet e hapura brenda një sesioni të vetëm të shfletuesit. Pra nëse hapni një faqe të sigurt – zakonisht me “https” në fillim, mos hapni faqe tjera brenda të njëjtit sesion që nuk kanë “https”.

Ju duhet ti keni kujdes edhe me shtesat e shfletuesve të internetit. Ato mund të jenë të shkëlqyeshme për lehtësimin e surfimit dhe përmirësimit të shfletuesit tuaj, por gjithashtu mund të përmbajnë kode të shkruara dobët të cilat mund të keqpërdoren nga malwaret e ndryshëm. Prandaj, zgjedhni me kujdes shtesat për shfletuesin tuaj dhe atë vetëm nga organizatat që u besoni.

Njerëzit sot lidhen me ueb në mënyra të ndryshme me një gamë të gjerë pajisjesh. Ueb aplikacionet janë më të përshtatshme dhe universale se softuerët e instaluar në kompjuter, por edhe ato vijnë me rreziqe. Sigurohuni që të kuptoni sa më mirë natyrën e rrezikut, dhe merrni hapat e duhur të njihni dhe të mbroheni nga ueb aplikacionet e dëmshme.

Lajmet e fundit>