Mobile

Si arriti Apple to joshë ndërmarrjet

Apr 29 2011
0 Shpërndarje
Si arriti Apple to joshë ndërmarrjet

Active Interest Media, e cila publikon revistat American Cowboy, Black Belt dhe Vegetarian Times, gjithmonë kishte një politikë liberale për punonjësit e saj. Mirëpo “me ngritjen e popullaritetit të iPhone, u bë e qartë se ne duhet të jemi proaktivë në menaxhimin e pajisjeve ndërkohë që të dhënat po tejkalojnë kufijtë e zyrës”, thotë drejtori i IT-së, Nelson Saenz. AIM përzgjodhi një vegël për menaxhimin e mobilitetit nga Good Technology për të përballuar mesazhet, e-mailet, kontaktet dhe kalendarin- për platformat e Apple iOS dhe Android. Good for Enterprise gjithashtu ofron një aplikacion që u mundëson punonjësve të përdorin SharePoint të Microsoft në smartphone-t e tyre.

“Tashmë ne kemi një konsol të centralizuar për menaxhim, prandaj nuk keni nevojë të detyrojmë përdoruesit që të mos përdorin iPhone-t e tyre, por në të njëjtën kohë IT ka rehatinë e të qenët të gatshëm për të menaxhuar këto pajisje dhe grupin e politikave si dhe strukturën e caktuar nga pikat e sigurisë”, thotë ai. Saenz shton se përderisa përdorimi i iPhone në AIM është rritur gradualisht, tableti iPad është përqafuar shumë mirë pas lançimit të tij prillin e kaluar. Experienca e AIM nuk është unike. Gjatë fjalimit të tij në konferencën e të ardhurave të Apple në janar, ushtruesi i detyrës së CEO, Tim Cook, deklaroi: “iPad ka filluar të shitet në prill dhe tashmë kemi rreth 80% të kompanive më të mëdha që kanë filluar shtrirjen ose pilotimin e produktit tonë. Kjo po ndodh për herë të parë, të paktën në përvojën time me ndërmarrjet gjatë këtyre viteve.

Përgjithësisht, ndërmarrjet janë më të ngadalta dhe shumë më të kujdesshme dhe përdorin gjëra që ekzistojnë në treg prej një kohe më të gjatë.” Në një studim të bërë në janar, Good Technology raportoi se në mesin e mijëra konsumatorëve të korporatave dhe të qeverisë- duke përfshirë edhe më shumë se 40 të Fortune 100- domethënë rreth dy të tretat e aktivizimeve të reja në semestrin e katërt ishin pajisje që funksiononin me Apple iOS. Chris Hazelton, drejtor hulumtues për rrjete mobile dhe wireless në 541 Group në Boston, citon tri gjërat kryesore që çojnë në adoptimin e iPad nëpër ndërmarrje: numri në rritje i API-ve nga prodhuesit e pajisjeve për menaxhim mobil, fakti që Apple ka përfshirë enkriptimin e nivelit të aplikacioneve në iOS 4 si dhe Developer Enterprise Program i Apple, i cili (për 299$ në vit) u mundëson kompanive të ndërtojnë aplikacionet e tyre privat, të cilat mund të përdoren nga punonjësit dhe të menaxhohen nga prodhuesit MDM.” Good Technology parashikon se “më 2011, iPad së bashku me tabletët e tjerë do të ndërblihet dhe shtrihet shumë sidomos në ndërmarrje për të përmbushur nevojat specifike të biznesit.

” Për të arritur këtë mundësi, Apple ka filluar të joshë ekzekutivët e shitjes së Research in Motion (RIM). The Wall Street Journal raportoi nëntorin e kaluar se që nga mesi i 2009-tës, pesë ekzekutivë të RIM kaluan në Cupertino, duke përfshirë edhe Geoff Perfect, lider i shitjeve strategjike, si dhe Joe Bartlett, menaxher global i shitjeve. Më 3 mars, Apple ka lançuar një program të ri që ka për qëllim përkrahjen e bizneseve të vogla që përdorin Mac. Shërbimi përfshin përkrahjen për iPhone, iPad dhe iPod.

Romancë e keqe

Kjo dashuri e re mes Apple dhe ndërmarrjeve ka qenë si rezultat i zbutjes së qëndrimeve nga të dyja palët. Jo shumë kohë më parë, ju nuk mund të shqiptonit fjalët “Apple” dhe “ndërrmarrje” njëkohësisht. Përveç grafikave të dobishme, produktet e tjera të Apple kanë qenë joekzistente në shumicën e ndërrmarrjeve. Apple shumë kohë më parë kishte filluar të themelonte brendin e vet të identitetit si kreator i elektronikës personale dhe pothuajse do t’ia kishte arritur shumë mirë nëse Apple me konsumatorët e saj të zjarrtë do të kishin menduar që kjo gjë do të kishte qenë shumë e mirë për ndërrmarrjet e përmbajtura.

Sigurisht, në të kaluarën Apple ka pasur disa dështime dhe mossuksese rreth futjes në ndërrmarrje dhe kjo ka ndodhur pikërisht me lançimin e kompjuterit për biznes Apple III në vitin 1980 si dhe serverit Xserve në vitin 2002. “Përpjekjet dhe fokusi i kompanisë në ndërrmarrje nuk ka qenë mjaft i madh”, thotë Charles King, president i firmës për analiza të industrisë së IT-së Pund-IT.

Dashuri me shikim të parë

Në vitin 2007, Apple hodhi në treg iPhone, që ishte një goditje e shpejtë për tregun e synuar—konsumatorët. Pastaj ndodhi diçka që as vetë Apple nuk e kishte parashikuar të ndodhte. Shumica e këtyre përdoruesve të iPhone e pëlqenin pajisjen e tyre aq shumë, saqë insistuan ta përdorin edhe në vendet e tyre të punës në vend të BlackBerry të prodhuar enkas për këtë qëllim. “iPhone i mundësoi Apple që të futet në dyert e ndërmarrjeve”, thotë Hazelton i 451 Group. “Por ajo derë u hap nga punonjësit të cilët tashmë kishin filluar ta përdornin këtë pajisje.” Një gje që Apple nuk e kishte kuptuar ose çmuar në atë kohë. iPhone ishte ndërtuar për konsumatorët që dëshirojnë të shkëmbejnë mesazhe me tekst, të lundrojnë Web-in dhe të shkarkojnë lojëra.

(Dhe të bëjnë telefonata ndonjëherë.) Askush në Apple nuk ishte brengosur rreth gjërave si rrjedhja e të dhënave nëpër ndërmarrje apo aplikacionet e biznesit. InformationWeek në korrik të 2007-ës kishte shkruar se “iPhone mbetet një sistem i mbyllur që nuk ju mundëson të instaloni aplikacionet tuaja”, duke e quajtur dizajnin e pajisjes së Apple “si një flamur i kuq për bizneset që përdorin një mori aplikacionesh dhe në mënyrë konsekuente u duhet më shumë fleksibilitet se ç’ofron Apple.” “Kur iPhone u lançua për herë të parë, ai nuk kishte aplikacione të përshtatshme dhe as SDK (software developer’s kit)”, thotë Andrew Borg, analist kryesor i hulumtimit në Aberdeen Group. Mirëpo Apple shumë shpejt e kuptoi që kishte një treg shumë atraktiv për të eksploruar dhe e zgjidhi këtë problem sipas mënyrës unike të Apple.

Dashuria për telefonin

Apple del me iPhone 3 (në korrik të 2008-ës) dhe në të njëjtën kohë lançon një SDK dhe një ekosistem të quajtur App Store”, thotë Borg. “Kjo e ndryshoi lojën sërish brenda natës.” Pastaj, para më pak se një viti, Apple shpalosi iPad. Kësaj radhe, konsumatori dhe korporatat amerikane mbetën gojëhapur dhe ajo që tani referohet si “konsumatorizimi i ndërmarrjeve” arriti një nivel tjetër. Nga fundi i vitit 2010, Apple kishte shitur më shumë se 15 milionë iPad, shumicën e tyre drejtpërdrejt korporatave. Sërish, dinakëria e të lidhurit të pajisjeve “të paautorizuara” në rrjetet e tyre—aksesi në e-mail, dokumente të tjera dhe databaza si dhe invazioni mobil i Apple- kanë paraqitur sfida të reja për menaxherët e ndërmarrjeve.

Tradicionalisht menaxherët e ndërmarrjeve mund të mbështeten në softuerë dhe përkrahje drejtpërdrejt nga shitësit që ofrojnë pajisjet. Për shembull, RIM ofron një BlackBerry Enterprise Server për menaxherët e IT-së për t’u mundësuar ekzekutivëve të ndërmarrjeve që të hapin e-mailet e korporatës si dhe dokumente të tjera në mënyrë të sigurt me smartphone të RIM. Mirëpo një gjë e tillë nuk ndodh me Apple. Apple nuk ka dëshiruar të zhvillojë veglat e veta për siguri e menaxhim dhe midis duke qenë se janë SDK dhe prodhues të tjerë si Good Technology, as që i duhet ta bëjë një gjë të tillë. Në dhjetor të 2009, Good filloi të ofrojë vegla për menaxhimin e mobilitetit nëpër ndërmarrje për pajisjet që funksiononin në sistemin mobil operativ i
OS të Apple (si dhe për pajisjet që funksiononin në Android të Google).

Good for Enterprise u mundëson administratorëve të IT-së që të menaxhojnë të gjitha pajisjet mobile përmes një portali të bazuar në Web, duke ju ofruar kontroll se cilët përdorues aplikacionesh mund të kenë akses nga iPhone-t e tyre personalë si dhe cilat aplikacione duhet të jenë në funksion para se përdoruesi të mund të ketë një lidhje të sigurtë. Në rast se ajo pajisje humb ose vidhet, kjo platformë u mundëson menaxherëve të IT-së që të fshijnë të dhënat e korporatës nga larg. “Korniza jonë e sigurisë dhe menaxhimit fillimisht u mundëson ndërrmarrjeve që të kontrollojnë klientët e Good në mënyrë që ata të zbatojnë politikat dhe të garantojnë se të dhënat brenda atij klienti nuk kalojnë jashtë mjedisit të punës dhe nuk mund të kopjohen në aplikacione të tjera”, shprehet John Herrema, nënkryetar i strategjisë për korporata në Good. Good i mbulon të gjitha këto pa interferuar në veçoritë personale në iPhone-in e punonjësit, tregon Harrema, duke zhvilluar një “kontejner” në pajisje, “ku kontrollohen dhe menaxhohen të gjitha të dhënat e biznesit dhe aksesi.

Kjo mundëson që përdoruesi të bëjë çfarë të dëshirojë me shtrirjen e aplikacioneve të tjera personale në pajisjen e tij e kështu me radhë.” Gjëja e vetme në të cilën duhet punuar ende është automatizimi i lidhjes në rrjetet e kompanive. Deri më tani IT-të e ndërmarrjeve duhet të lejojnë ose mohojnë aksesin në rrjetet e tyre. Dhe kjo tashmë ka filluar të ndodhë. Mirëpo, natyrisht, jo të gjitha kompanitë janë në kurs me këtë qëndrim të ri. Për shembull, në një intervistë me Network World, Wells Fargo tha se i ndalojnë të gjitha pajisjet personale. “Ata nuk mund të lidhen në rrjetet tona”, thotë Wayne Mekjian, nënkryetar ekzekutiv dhe CIO i shërbimeve informative në Wells Fargo. “Ne nuk u lejojmë akses.” Politika “vetëm thuaj jo” aplikohet për të gjithë iPad-ët e Apple, tabletët dhe smartphone-t e Android për të gjithë punonjësit.

Si çdo romancë tjetër e largët, ekzistojnë edhe shumë rënie dhe ngritje kur kemi të bëjmë me Apple dhe ndërmarrjet e IT-së. Por siç thotë Cook nga Apple: “Unë mendoj se shumica e CIO-ve të suksesshëm kanë filluar të kuptojnë se produktiviteti i personit, kreativiteti i punonjësve është materialisht më i rëndësishëm sesa kushdo që përdor të njëjtën gjë.’’ Në fund, Saenz i AIM pajtohet që lejimi i përdoruesve për të sjellë çfarëdo pajisje që dëshirojnë nuk është për këdo. “Do të ekzistojnë mjedise ku siguria dhe bllokimi i pajisjeve gjithmonë do të ketë përparësi kundrejt gjërave të tjera”, thotë ai.

Nerney mbulon teknologjinë, mediat sociale dhe fitnesin. Ai shkruan blogun Tech Business Today për ITworld.

Lajmet e fundit>