Slider

Shqiptarët drejt shërbimeve të integruara të komunikimit

Sep 21 2012
0 Shpërndarje
Shqiptarët drejt shërbimeve të integruara të komunikimit

Tendenca mbizotëruese e komunikimit në vitet e fundit janë shërbimet e integruara. Nëpërmjet të njëjtës lidhje, operatorët ofrojnë disa shërbime, çka rrit përfitimet dhe ul kostot për të dyja palët, krahasuar me marrjen e veçantë të secilit shërbim nga operatorë të ndryshëm.

Shërbimet bazë që ofrohen nga operatorët e telekomunikacioneve janë telefonia, interneti dhe televizioni kabllor. Marrja e shërbimeve të integruara po bëhet mjaft e preferuar edhe nga shqiptarët.

Sipas të dhënave më të fundit, në Shqipëri janë 3,744 abonentë që marrin shërbim të trefishtë me një lidhje, duke përfshirë internetin, telefoninë dhe televizionin.

Shifra nuk është aq e vogël, po të kemi parasysh se të treja këto shërbime në Shqipëri ofrohen vetëm nga dy operatorë, Abcom dhe Tring (ASC). Ndërkohë, shërbimi i kombinuar i internetit dhe televizionit me pagesë përdoret nga një numër më i madh, 4,641 abonentë gjithsej.

Së fundmi, shërbimi i integruar i telefonisë dhe internetit është mjaft i përdorur, madje mund të thuhet se është pothuajse masiv.

Sipas të dhënave më të fundit të CIO Albanian, shërbimi i integruar i internetit dhe telefonisë përdoret nga thuajse 102 mijë abonentë, nga të cilët 65 mijë i zotëron Albtelecom dhe rreth 37 mijë operatorët alternativë.

Rritja e përdorimit të shërbimeve të integruara është favorizuar shumë nga ofertat për një përdorim me tarifë unike. Për shembull, në një tarifë prej 2 mijë lekësh në muaj, përfshihet pagesa e internetit dhe pajtimi mujor i telefonisë fikse. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>