Mobile

Shqiptarët, 70 mijë numra celularë të bartur

Jun 22 2012
0 Shpërndarje
Shqiptarët, 70 mijë numra celularë të bartur

Shifra e numrave celularë të bartur në Shqipëri ka arritur në 70 mijë. Pak më shumë se një vit nga nisja e ofrimit të këtij shërbimi, duket se portabiliteti ka pasur një sukses më të madh se në vendet e tjera, që e kanë mundësuar më herët.

Konkurenca e lartë mes operatorëve celularë dhe ofertat e veçanta për bartjen ka joshur shumë përdorues shqiptarë të ndërrojnë operatorin, duke mbajtur numrin e tyre.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka parashikuar për bartjen një tarifë që mund të shkojë deri në 600 lekë, por operatorët e ofrojnë shërbimin falas, në përpjekje për të rritur sa më shumë bazën e tyre të abonentëve. Bartja e numrit mund të bëhet brenda tre ditëve nga paraqitja e kërkesës pranë operatorit ku përdoruesi dëshiron të kalojë.

Sipas AKEP, numri i kartave SIM të regjistruara është rreth 5.2 milionë, çka përkthehet në një penetrim 185%, më të lartë edhe se në Bashkimin Europian dhe që shpjegohet me faktin se përdoruesit mbajnë më shumë se një numër celular. Por, në fakt, numri i kartave SIM aktive, që kanë kryer komunikim në tre muajt e fundit vlerësohet në rreth 3.1 milionë, me një normë penetrimi 110%. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>