Aplikacione

Shqipëria me aplikacion mobil për turizmin

Jun 21 2012
0 Shpërndarje
Shqipëria me aplikacion mobil për turizmin

Ideja e vajzave dhe djemve të “Albania Tourist Guide”, synon të promovojë tërë potencialin turistik të Shqipërisë jo thjeshtë përmes një faqeje Interneti, por edhe përmes një aplikacioni mobil që hapet edhe offline.

Nëse gjatë periudhës së komunizmit ishte disi e paqartë se çfarë nënkuptonte të bërit turizëm dhe çfarë përfitimesh mund të vinin prej tij, në vitin 2012 thuajse çdo shqiptar e di se zhvillimi i turizmit sjell mirëqenie për njerëzit dhe njëkohësisht për të gjithë vendin. Falë buxhetit më të madh, qeveria arrin t’i promovojë bukuritë e Shqipërisë nëpër panairet botërore të turizmit apo me anë të spoteve televizive në kanalet më prestigjioze të botës. Ama kjo nuk do të thotë se nisma të tjera, të menduara dhe të vëna në zbatim nga studentë të talentuar e plot dëshirë për të dhënë kontribut në zhvillimin e vendit, nuk mund të plotësojnë hapësirën informative për turistët vendas e të huaj. Pikërisht një iniciativë për të ndihmuar në shërbime më të mira turistike ndihmoi të rinjtë e grupit “Albania Tourist Guide”, që të fitojnë çmimin e tretë në “Startup Weekend”-in e zhvilluar para disa javësh në Tiranë. Në kohën kur turizmi konsiderohet botërisht si prioritet i prioriteteve, qoftë për të ardhurat në buxhetin e shtetit, ashtu edhe për të ardhurat në buxhetin e bizneseve që ofrojnë shërbime turistike, ideja e këtyre të rinjve premton një promovim më modern dhe teknologjik, në përputhje me epokën digjitale në të cilën po jetojmë.

Djemtë për teknologjinë, vajzat për marketingun

Një grup djelmoshash të apasionuar pas informatikës dhe dy vajza me profil ekonomik, u bënë bashkë gjatë 54 orëve të eventit pro sipërmarrjes dhe ideve novatore. Në qendër të punës së tyre u vu pikërisht ideja e Enis Ulqinakut, shkodranit që e kishte menduar prej kohësh “Albania Tourist Guide” si “një platformë për të sugjeruar udhëtime turistike dhe për t’u lejuar përdoruesve, që të krijojnë udhëtimin e tyre të parapëlqyer duke shkarkuar të dhënat për çdo detal të udhëtimit të tyre”. Gjatë ditëve të “Startup Weekend”-it atij i’u gjendën pranë edhe miqtë e tij nga universiteti “Epoka”, Diamant Neziri, Arditi Dervishi, Haris Krasniqi, Haris Memeti, Elena Pici, si edhe Esmeralda Topuzi nga “Universiteti Europian i Tiranës”. Energjia e tyre tërhoqi edhe vëmendjen e organizatorëve të eventit, ndërsa juria i kushtoi vëmendjen e duhur detajeve teknike të propozuara nga grupimi i formuar tërësisht nga studentë.

E gjithë kjo nismë, që ndezi motorët brenda një fundjave, synon që të lehtësojë shëtitjen e turistëve vendas dhe sidomos të huaj nëpër zonat e ndryshme të Shqipërisë, në zbulim të trashëgimisë historike, natyrore e kulturore. Në të njëjtën kohë, ajo do të ndihmojë edhe bizneset e ndryshme që ofrojnë shërbime turistike për të zgjeruar aktivitetin e tyre, duke reklamuar në faqen e dedikuar të Internetit dhe në aplikacionin mobil. “Risia që i ofrojmë turistëve është vetë aplikacioni offline në ndihmë të klientëve, për të kursyer në tarifat e Internetit roaming apo për të zgjidhur pamundësinë e të pasurit Wi-Fi”, shprehet Esmeralda, e cila bashkë me Elenën kanë marrë përsipër aspektin e marketingut dhe reklamimit të “Albania Tourist Guide”. Ato nuk rreshtin së theksuari tiparin kryesor të produktit të tyre: lehtësinë me të cilën çdokush, që ka ndërmend të vizitojë vise të ndryshme anembanë vendit, mund ta organizojë udhëtimin e tij nëpërmjet aplikacionit që do të jetë në celularin e tij në çdo moment, gjë që kursen jo vetëm shpenzime, por edhe kohë e peshë. Ky do të ishte një hov cilësor për tregun e turizmit në Shqipëri, sepse shpesh shikohen nëpër rrugët dhe shtigjet e vendit të huaj disi të përhumbur midis hartave aspak praktike dhe publikimeve të trasha të paazhurnuara me ndryshimet e një vendi, që ndryshon nga dita në ditë.

Një aplikacion offline për të shëtitur më lehtë Shqipërinë

Nisma e grupimit të renditur si i treti sipas vlerësimit të jurisë së nderuar të “Startup Weekend”-it mund të mos jetë vërtet risi në tregun e aplikacioneve apo mund të ketë vërtetë nevojë për shumë promocion, siç thotë Elena, por ajo ka një mori përparësish të cilat do të ndikojnë në suksesin e saj në tregun e produkteve online. “Kjo është një ide all in one, sepse në një faqe të vetme Interneti gjithkush do të mund të gjejë informacionin që e kërkon. Për ta lehtësuar sa më shumë përdorimin e aplikacionit në versionin mobil, gjë që e bën qasjen tepër të lehtë. Përballë një kostoje të ulët për shitjen e produktit, ne mendojmë se kemi një mundësi të mirë për të gjeneruar të ardhura të mjaftueshme, për ta pasuruar vazhdimisht produktin tonë”, shton vajza që studion për ekonomi tek “Epoka” dhe për drejtësi në Universitetin e Tiranës.

Të rinjtë e kanë ndarë mendjen për një qasje praktike të vënies në zbatim të idesë së tyre që këtë verë, pasi synojnë kontaktet e drejtpërdrejta në terren me aktorët e ndryshëm të turizmit. Ata i mëshojnë faktit, se risia e iniciativës së tyre konsiston sidomos në faktin që aplikacioni do të funksionojë me sistemin GPS dhe do të mundësojë azhurnimin e nevojshëm. Esmeralda dhe Elena ngulin këmbë se gjithçka do të jetë gati për në App Store brenda fundit të muajit qershor, prandaj Enisi, Diamanti dhe djemtë e tjerë i janë futur punës shumë fort për të përmbushur këtë afat. Pas finalizimit të të gjithë procesit të vënies në funksionim të aplikacionit, ai do të nxirret në shitje nga App Store dhe të tjera pika shitjeje online.

Ashtu si edhe të gjithë përkrahësit vendas e të huaj të “Startup Weekend”-it të parë shqiptar, “PCWorld.al” dhe “CIO.al” do të kenë kënaqësinë të promovojnë edhe në shkrime të tjera në të ardhmen jo thjeshtë idetë e këtyre të rinjve të talentuar apo të grupeve tjera fituese, sepse nuk bëhet fjalë thjeshtë për shitblerje apo marketing. Në misionin tonë informues e promovues do të përpiqemi t’i japim më shumë hov vet shpirtit të sipërmarrjes, konkurrencës së ideve novatore dhe risive në teknologjinë e informacionit, të cilat ashtu si edhe në të gjithë botën gjenerohen përditë nga shqiptarët, me shqiptarët, për shqiptarët. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>