Internet

Shqipëria me 189 mijë abonentë interneti broadband

Sep 14 2012
0 Shpërndarje
Shqipëria me 189 mijë abonentë interneti broadband

Shqipëria regjistron rreth 189 mijë pajtimtarë të internetit me brez të gjerë (broadband).Vetëm pak ditë pas forumit rajonal për broadband, të organizuarnga ITU, CIO Albanian siguron të dhënat më të fundit zyrtare dhe që i takojnë fundit të 6-mujorit të pare të këtij viti.

Sipas informacionit të AKEP, 151 mijë abonentë kanë akses në broadband perms linjave fikse, ndërsa 38 mijë të tjerë janë abonentë të internetit 3G me USB modem. Penetrimi i lidhjeve broadband në Shqipëri ka arritur kështu në 6.6% të popullsisë, nga 3.7% që ishtë në vitin 2010.

Ndonëse Shqipëria ngelet ndër vendet me përhapjen më të ulët të lidhjeve broadband në Europë, shifrat tregojnë se në dy vitet e fundit përparimet janë të shpejta. Rritja i dedikohet së pari konkurrencës dhe investimeve në rritje në segmentin e lidhjeve fikse.

Operatori më i madh, Albtelecom, i ka dhënë prioritet shërbimeve të internetit, ndërkohë që edhe operatorët alternative kanë ofruar një konkurrencë agresive, madje në vitet e fundit kanë arritur të fitojnë mjaft terren në treg.

Kështu, operatori Abcom në gjysmën e pare të vitit zotëronte 21% të tregut, ndërsa operatori Abissnet 11%. Pjesa e Albtelecom, ndërkohë, ka rënë në 46% të totalit të lidhjeve fikse broadband.

Nga ana tjetër, një ndikim në rritjen e përdorimit të broadband e ka dhënë edhe licencimi i teknologjisë 3G përmes rrjeteve të lëvizshme. Në fund të 6-mujorit të parë, numri i lidhjeve 3G perms dy operatorëve deri tani të autorizuar, AMC dhe Vodafone Albania, arriti në 38 mijë.

Ndonëse shërbimet 3G nuk mund të konkurojnë me shërbimin broadband fiks në këndvështrimin e kostove (lidhjet mobile 3G për tarifa të njëjta ofrojnë një sasi të kufizuar trafiku), ato janë të rëndësishme sidomos në zonat ku lidhjet fikse mungojnë, si edhe për personat që kanë nevojë të kenë internet edhe kur ndodhen në lëvizje. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>