Menaxhim Projektesh

Shqipëria dhe Kosova nisin dialogun për prefiksin telefonik

Oct 31 2012
0 Shpërndarje
Shqipëria dhe Kosova nisin dialogun për prefiksin telefonik

Shqipëria dhe Kosova do të dialogojnë rreth mundësisë së përdorimit të përbashkët të prefiksit telefonik shqiptar.

Ministri për Inovacionin dhe TIK në qeverinë shqiptare Genc Pollo priti sot në një takim Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Besim Beqaj, që është përgjegjës edhe për zhvillimin e telekomunikacionit dhe teknologjinë e informacionit në Kosovë.

Sipas informacionit nga Zyra e Shtypit të ministrit Pollo, gjatë takimit, dy ministrat, ndër të tjera, vendosën të nënshkruajnë javët e ardhshme një Memorandum Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës, për bashkëpunim në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Në këtë kuadër, do të ngrihen fillimisht tre grupe pune të përbashkëta. Grupi i parë i punës për çështjet e telekomunikacionit, që pritet të trajtojë edhe çështjen e prefiksit kombëtar të Kosovës dhe kontributin që Shqipëria mund të japë, duke kërkuar rrugëzgjidhjen e përshtatshme, bazuar në legjislacionin kombëtar me rregullat ndërkombëtare në këtë fushë.

Grupi i dytë i punës do të përqendrohet në tarifat roaming, që me rregullat e ndërmarra nga BE-ja rëndojnë xhepat e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës sa herë që ata udhëtojnë në shtete të tjera.

Ndërsa grupi i tretë i punës do të ketë në fokus kalimin e transmetimeve televizive në formatin digjital. Të dy ministrat u shprehën të kënaqur me nivelin e bashkëpunimit të deritanishëm të Shqipërisë e Kosovës në këtë sektor dhe kjo vizitë u pa si një shtytje për të çuar përpara dhe zgjeruar edhe me tepër këtë bashkëpunim. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>