Aplikacione

Shitjet e Windows shpërfillin parashikimet

Apr 23 2012
0 Shpërndarje
Shitjet e Windows shpërfillin parashikimet

Shitjet e Windows kishin ndihmuar Microsoftin më shumë se që pritej. Microsoft ka shënuar një rritje prej 6% në të hyra në çerekun e parë të vitit 2012, deklaruan nga kompania në prezantimin e rezultateve të çerekut të parë.

Divizioni i Windows dhe Windows Live solli të hyra prej 4.6 miliardë dollarë për tre muajt e parë të vitit duke shënuar një rritje prej 4% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë të hyrat e Windows ishin vetëm 112 milionë dollarë më pak se në tremujorin e fundit të vitit 2011, që tradicionalisht është një tremujor shumë i fortë në kalendarin fiskal për shkak të blerjeve të mëdha të PC-ve gjatë festave të fund vitit. Por, në çerekun e katërt, të hyrat e Windows kishin qenë për 6% më pak  se në të njëjtën periudhë të vitit 2010.

Blerjet biznesore të PC-ve kishin shënuar ngritje përsëri, duke u ngritur për 8% në krahasim me vitin paraprak. Kjo mënyrë e shitjeve të Windows ishte e lidhur kryesisht me shitjen e kompjuterëve të rinj. Në anën tjetër shitjet e kompjuterëve për konsumatorë të thjeshtë mbeten në të njëjtin nivel me vitin e kaluar.

Shumica e analistëve prisnin një performancë më të ultë të Microsoft, kryesisht projeksionet e Gartner dhe IDC, të cilat parashihnin një rënie në shitjet e PC, parashikime që u shpërfillën javën e kaluar me njoftimin për rritjen e shitjeve të PC-ve me 2% në këtë çerek. Microsoft kishte parashikuar një ngritje të shitjeve prej 2% deri në 4% gjatë çerekut të parë. Shitjet e PC-ve kishin shënuar rënie kryesisht nga konkurrenca e tabletëve dhe celularëve të mençur.

Grupi i Windows kishte mbuluar rreth 27% të të hyrave të kompanisë për çerekun e parë, e dyta pas divizionit të Biznesit që mbulon Office. Megjithatë kontributi i divizionit të Windows ishte më i lartë se në çerekun e kaluar kur kishte sjell vetëm 23% të të hyrave totale të kompanisë.

Windows 7 ka vazhduar të shënoj ngritje tek përdoruesit në korporata dhe sipas Microsoft. Ky sistem operativ i tyre tani përfshinë 40% të të gjithë desktopëve ndërmarrës. Net Applications kishte njoftuar që kjo shifër ishte e përafërt, 41%.

Nga Microsoft njoftuan edhe që do të sjellin produkte të reja të freskëta gjatë vitit të ardhshëm fiskal që fillon me 30 qershor 2012 dhe mbaron me 1 korrik 2013, edhe pse deri tani konsumatorët kanë parë vetëm versionin beta të Windows 8 dhe asgjë nga ARM. /cio.al/

Lajmet e fundit>