IT Organizate

Shitjet e iPhone rrisin profitin e Apple

Apr 26 2012
0 Shpërndarje
Shitjet e iPhone rrisin profitin e Apple

Përkundër brengave nga konkurrenca në rritje e pajisjeve Android, Apple arriti të tejkalojë pritjet për shitjet e iPhone në çerekun e dytë fiskal duke raportuar rritje si në profit ashtu edhe në të hyra në krahasim me periudhën e njëjtë të para një viti.

Për çerekun që përfundoi me 31 mars 2012, Apple postoi të hyra prej 39.2 miliardë dollarë, krahasuar me 24.7 miliardë sa ishin në të njëjtën periudhë vitin e kaluar. Analistët nga Thomson Reuters parashihni të hyra prej 36.81 miliardë dollarë. Profiti neto i Apple kërceu nga 6 miliardë dollarë në çerekun e dytë fiskal të kaluar në 11.6 miliardë dollarë sa ishte me 31 mars 2012.

Kompania ka shitur 35.1 milionë iPhone në këtë çerek, një rritje prej 88% krahasuar me vitin e kaluar. Edhe këtu Apple ka tejkaluar parashikimet e analistëve të cilët llogarisnin se Apple do të kishte diku rreth 30.5 milionë iPhone të shitur gjatë këtij çereku. Apple gjithashtu ka shitur edhe 11.8 milionë iPad gjatë këtij çereku, ngritje prej 151% krahasuar me vitin e kaluar. Rritje është shënuar edhe në shitjen e Mac-ëve. Janë shitur 4 milionë Mac gjatë këtij çereku, një rritje prej 7%. I vetmi produkt që ka shënuar rënie në shitje ishin iPod-ët. Apple ka shitur 7.7 milionë iPod, një rënie prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

Aksionet e Apple në bursë të martën ishin mbyllur në 560.28$, një rënie nga vlera më e lartë që kishte arritur me 10 prill kur një aksion i Apple kushtonte 644$. Që nga atëherë, aksionet e Apple kanë shënuar rënie 10 ditë në 11 ditët e fundit biznesore. Megjithatë pas publikimit të rezultateve financiare, aksionet e Apple u ngritën për 41.81$ duke arritur në 602.09$.

Operatori telefoni AT&T ka raportuar që ka aktivizuar 4.3 milionë iPhone në çerekun që përfundoi me 31 mars, pothuajse aq sa kishte aktivizuar edhe operatori Verizon. Kjo ishte një zbritje në krahasim me çerekun e katërt kalendarik të vitit 2011 kur ishte lançuar iPhone 4S që kishte rezultuar me 7.6 milionë aktivizime. /cio.al/

Lajmet e fundit>