Mobile

Shitjet e celularëve në rënie

May 18 2012
0 Shpërndarje
Shitjet e celularëve në rënie

Për herë të parë që nga viti 2009 shitjet e celularëve janë në rënie. Sipas kompanisë për hulumtime teknologjike, Gartner gjatë çerekut të parë të këtij viti janë shitur 419.1 milionë celularë që paraqet një rënie prej 2% në krahasim me të njëjtën periudhë para një viti.

Sipas Gartner kjo rënie është pasojë e rënies të shitjeve në Lindjen e Largët, rajon i cili zakonisht në këtë periudhë është kontribuuesi më i lartë i shitjeve të celularëve kryesisht për shkak të Vitit të Ri kinez. Arsye tjetër supozohet të jetë edhe mungesa e produkteve cilësore të reja nga prodhuesit më të mëdhenj.

Nëse jo për kompanitë, këto rezultate sigurisht që janë lajm i mirë për konsumatorët. Rëniet në shitje sigurisht do të ndikojnë në oferta më të favorshme për konsumatorët potencial, pasi kompanitë do të tentojnë të zbrazin stoqet e tyre dhe te balancojnë tabelat e tyre financiare. Pikërisht këto janë arsye pse nga Gartner besojnë që shitjet e celularëve do të këndellen gjatë muajve të ardhshëm, por sidoqoftë nga kjo kompani presin që shitjet totale të celularëve të projektuara për këtë vit të jenë më të vogla për 20 milionë njësi.

Në mesin e humbjeve të përgjithshme kishte edhe një fitues të madh këtë çerek. Samsung për herë të parë renditet në pozitën e shitësit më të madh të celularëve duke larguar nga kjo pozitë Nokia-n që sundonte këtë nga viti 1998. Samsung shiti 86.6 milionë celularë duke kapur 20.7% të tregut global të celularëve. Kompania koreane ka marrë pozitën e parë edhe në tregun e celularëve të mençur duke zhvendosur nga kjo pozitë kompaninë Apple, falë 38 milionë njësive të shitura gjatë këtij tremujori. Samsung dominon edhe tregun e celularëve të mençur të bazuar në sistemin operativ Android. Samsung përbën 40% të të gjithë celularëve të mençur të shitur me këtë sistem operativ, duke lënë rivalët tjerë me Android nën 10%.

Krahasuar me një vit më parë, Samsung dhe Apple zotërojnë pothuajse gjysmën e tregut të celularëve të mençur me 49.3% të tregut, derisa një vit më parë kjo shifër ishte vetëm 29.3%. Rritje ka shënuar edhe sistemi operativ Android që tani ka 56.1% të tregut krahasuar me një vit më parë kur Android kishte vetëm 29.3%. /CIO.al/

Lajmet e fundit>