Karriere

Shitet MySpace

Jun 30 2011
0 Shpërndarje
Shitet MySpace

altMë në fund NewsCorp shiti uebfaqen shoqërore MySpace. Pronari i ri i MySpace është kompania Specific Media e cila sipas shifrave jozyrtare ka paguar diku rreth 35 milionë dollarë për kompaninë e re. NewsCorp kishte blerë MySpace në vitin 2005 për një shumë prej 580 milionë dollarë, por nuk arriti të ketë sukses pasi shumica e reklamuesve migruan tek faqet rivale si Facebook dhe Twitter.

Specific Media, pronare e re e MySpace ishte themeluar në vitin 1999 nga tre vëllezërit Vanderhook, Tim, Chris dhe Russell dhe është bazuar në Irvine, California. Pjesë të aksioneve në MySpace tani do të ketë edhe pop-ylli Justin Timberlake i cili do të luaj “një rol të madh në zhvillimin dhe kreativitetin e strategjisë për suksesin e kompanisë në të ardhmen,” deklaronin nga Specific Media.

MySpace ishte rrjeti shoqëror më i popullarizuar në vitin 2005 kur u ble nga Ruppert Murdoch, por që nga atëherë tatëpjeta nuk kishte të ndalur. Sipas raporteve gjatë çerekut të dytë operativ të këtij viti kompania kishte humbur 156 milionë dollarë që ishte 31 milionë dollarë më shumë se vitin e kaluar. Në krahasim me Facebook ndryshimi ishte i jashtëzakonshëm. Në gusht të vitit 2005, MySpace kishte 21.8 milionë vizitorë unik në SHBA, ndërsa Facebook, kishte vetëm 8.3 milionë vizitorë unik në muaj asokohe. Në maj të këtij viti, Facebook pati 152.7 milionë vizitorë unik në krahasim me 34.9 milionë vizitorë të MySpace.

MySpace është një ndër dështimet e pakta të magnatit të televizioneve të parapaguara Ruppert Murdoch, por edhe një shembull perfekt që mungesa e kreativitetit në biznesin e internetit gjithnjë përfundon me humbje.

Lajmet e fundit>