Aplikacione

Shikues të Lojërave Olimpike, mos përdorni shumë Twitter-in dhe SMS-të!

Jul 30 2012
0 Shpërndarje
Shikues të Lojërave Olimpike, mos përdorni shumë Twitter-in dhe SMS-të!

Të dielën u dha një porosi për spektatorët dhe tifozët e Lojërave Olimpike që aktualisht po zhvillohen në Londër: mos e ekzagjeroni me SMS dhe cicërima sepse mbingarkimi i rrjeteve të transmetimit të të dhënave ndikon në mbulimin televiziv.

Komentatorët e çiklizmit nuk arritën dot t’u transmetonin teleshikuesve të shtunën se sa larg ndodheshin ata që po kryesonin garën nga pjesa tjetër, pasi të dhënat nuk po transmetoheshin dot nga sistemet naviguese të çiklistëve përmes satelitëve GPS. Shumë prej shikuesve britanikë u revoltuan nga këto probleme dhe filluan të shfrynin mllefin përmes rrjetit social Twitter.

Sipas deklaratës së zëdhënësit të Komisionit Olimpik, ky problem u shkaktua nga porositë e dërguara nga mijëra spektatorët që ndodheshin përgjatë rrugës.

“Sigurisht që ne nuk mund t’ju themi ‘mos dërgoni porosi’ e aq më tepër t’ju ndalojmë, por donim thjeshtë të ju bënim me dije se nëse porosia nuk është edhe aq urgjente, ju lutemi, ruajeni për ta dërguar më vonë.”

Lojërat Olimpike të Londrës po kthehen tashmë në një eveniment të fokusuar totalisht nga rrjetet sociale. Gjithçka që ndodh po komentohet tek to duke arritur deri aty sa transmetuesit si BBC po bëjnë të mundur ndjekjen e tyre live përmes smarfonëve.

Zëdhënësi i Komisionit Olimpik u shpreh gjithashtu se problemi me rrjetin është në rregullim e sipër. Nga ana tjetër, mundësuesit e shërbimeve të komunikimit si BT, Vodafone dhe O2 (e zotëruar nga spanjollja Telefonica) deklaruan se nuk ishin ndeshur me asnjë problem në rrjetin e tyre, duke qënë se kishin rritur disa herë kapacitetin e rrjetit në krahasim me atë që ofronin në Lojërat e Pekinit 2008. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>