Business & Management

Shërbimi Wireless, T-Mobile kërkon të blejë MetroPCS

Oct 5 2012
0 Shpërndarje
Shërbimi Wireless, T-Mobile kërkon të blejë MetroPCS

Deutsche Telekom dështoi në përpjekjen e saj për të bashkuar T-Mobile me AT&T vitin e kaluar dhe tashmë ka filluar të hedhë në veprim planin B.

Kompania gjermane ka filluar bisedimet për të blerë MetroPCS, ofruesi i pestë i wireless-it në SHBA. Nësë marrëveshja do të realizohej, si T-Mobile ashtu edhe MetroPCS do të shkriheshin në një kompani të vetme. Së bashku me numrin e abonentëve të MetroPCS, që janë rreth 10 milionë, T-Mobile do të renditej në vendin e katërt në SHBA, me rreth 43 milionë.

Sprint ka rreth 55 milionë. Deutsche Telekom ka deklaruar se ka ende çështje të rëndësishme që duhen shqyrtuar, por sipas raportimeve nga Bloomberg, kompania do të rishikojë dhe do të aprovojë transaksionin në ditët në vazhdim.

Në deklaratat zyrtare, MetroPCS është shprehur se nuk do të bëjë asnjë koment derisa marrëveshja të realizohet përfundimisht. Megjithëse kjo shkrirje mund të duket e logjikshme në aspektin afatgjatë për T-Mobile, është e paqartë se si do të kombinohen rrjetet aktuale të dy kompanive, për shkak të teknologjive të ndryshme që përdorin.

Gjithsesi, të dyja përdorin spektër të ngjashëm wireless, kështu që pajisjet mund të bëhen të qëndrueshme veçanërisht për lidhjen e shpejtë LTE. Kur oferta e AT&T për të blerë T-Mobile vitin e kaluar nuk u realizua, shumë njerëz pyetën veten nëse Deutsche Telekom do të kërkonte një blerës të ri.

Ndërkohë, kompania planifikoi të fillojë shpërndarjen e LTE(komunikimi me wireless me shpejtësi të lartë) në vitin 2013, edhe pse ka humbur shumë klientë në dy vitet e fundit. Përmes një marrëveshjeje të tillë, T-Mobile do të pozicionohej më mirë edhe në tregun e wireless-it.

Kompania ofron më tepër plane me kontratë dhe bashkimi me MetroPCS do t’i jepte një shans gjermanëve të konkurronin më fort planet tarifore me parapagesë, veçanërisht të Sprint, AT&T dhe Verizon. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>