Slider

Shefja e telekomit të BE-së merr mbështetje për paketën e reformave

Sep 13 2013
0 Shpërndarje
Shefja e telekomit të BE-së merr mbështetje për paketën e reformave

BEKomisioni i Bashkimit Europian ka aprovuar një plan për nxitjen e investimeve në rrjetet e komunikimit si dhe për krijimin e një tregu të përbashkët për shërbimet e telekomunikacionit, pavarësisht shqetësimeve që janë ngritur në lidhje me favorizimin e operatorëve të mëdhenj. Lajmi është konfirmuar nga dy zyrtarë të institucionit ditën e martë.

Shefja e telekomit të Komisionit, Neelie Kroes, do të prezantojë ditën e enjte reformat në fjalë, të cilat janë pjesë e përpjekjeve për të ndihmuar Evropën të ecë në të njëjtin ritëm me Azinë dhe Amerikën e Veriut përsa i përket sektorit mobile dhe infrastrukturës së rrjeteve të shpejta.

Ashtu siç pritet, në reformë do të përfshihen masa që synojnë të reduktojnë çmimet e tarifave roaming, të përmirësojnë mbrojtjen e konsumatorit gjatë kontratave si dhe t’i bëjnë më të qëndrueshme në rajon ankandet mobile. Gjithsesi, sipas draftit që është lexuar nga Reuters, ka edhe shumë elemente të tjera.

Megjithatë, me siguri paketa e reformave do të ndryshojë si dhe do të jetë subjekt i lobimeve të shumta gjatë rrugës për t’u zyrtarizuar ligjërisht. Para se të shndërrohet në ligj, duhet të firmoset nga të 28 vendet anëtare si dhe nga Parlamenti Europian.

“Teksti i propozuar do të merret tashmë në shqyrtim. Pjesa më e madhe e komisionerëve e kanë votuar,” u shpreh një prej zyrtarëve të BE-së, që preferoi të mbetej anonim për shkak të sensitivitetit të çështjes. Për roaming, Kroes ka vendosur të zgjedhë një metodë sipas së cilës të nxisë operatorët në krijimin e bashkëpunimeve ose aleancave mes njëri-tjetrit, në mënyrë që konsumatorëve të mos u duhet të paguajnë kaq shumë kur telefonojnë gjatë kohës që ndodhen jashtë shtetit. Nëse operatorët e arrijnë këtë gjë, nuk do të jenë më subjekt i kufizimeve për shitjet me shumicë përsa i përket tarifave roaming, edhe pse mbetet për t’u parë nëse kjo praktikë do të adaptohet vërtet.

Për të lehtësuar punën e operatorëve të vegjël në formimin e aleancave, drafti i fundit zbut detyrimet që kërkohen për krijimin e këtyre bashkëpunimeve, në mënyrë që të arrihet të mbulohet rreth 85% e popullsisë së BE-së.

Sektori në vështirësi

Kroes sugjeroi edhe një sfidë të fundit, të ashtuquajturën provizione “asnjëanëse të rrjetit”, të cilat do t’i lejojnë operatorëve të tarifojnë kompanitë e internetit për dhënien e prioriteteve të trafikut nëpër rrjete. Francezët e Orange kanë një pakt të ngjashëm me Google+ dhe operatorë të tjerë telefonikë besojnë se akorde të tilla mund sjellin krijimin e një biznesi të suksesshëm për ta. Megjithatë, nga ana ligjore ka disa pengesa, duke marrë parasysh faktin se disa shtete në Evropë, si për shembull Holanda, i kanë përjashtuar mundësitë e këtyre bashkëpunimeve për ta mbajtur internetin një fushë sa më të pastër e të pandikuar. Edhe aktivistët e internetit i kanë kundërshtuar këto lloj akordesh.

Operatorët telefonikë shpresojnë që masat e propozuara nga Kroes të qartësojnë pasigurinë ligjore si dhe të motivojnë shtete si Holanda në miratimin e këtyre ligjeve.

Plani i projektuar nga Kroes vjen në një moment kur industria e telekomit në Evropë po përballet me rënie të të ardhurave, rregulla strikte si dhe konkurrencë të fortë në shumë tregje.

Industria e telekomit në Evropë do të përballet me një rënie vjetore prej 0.5 – 2% në të ardhura deri në fund të vitit 2020, sipas një raporti të kryer nga Boston Consulting Group për grupin ETNO, duke lënë në këtë mënyrë një hapësirë boshe prej 110 – 170 miliardë €.

Stephen Howard, analist i telekomunikacionit në HBSC, u shpreh se reformat e Kroes do të ndikojnë në rritjen e investimeve në rrjet nga operatorët. “Besoj fuqimisht se, duke marrë parasysh politikat e mëparshme mbi mënyrën se si mund të rregullohet gjenerata e re e rrjeteve me brez të gjerë, paketa do të sjellë ndryshim të madh.”

“Logjikisht, duhet të shohim detajet e propozimit dhe si do të zbatohen ato, por, për shembull, ndryshimet mbi mënyrën e grumbullimit të spektrit mund të kenë impakt të rëndësishëm e mjaft pozitiv për operatorët.”

Krerët e kompanive të telekomunikacionit i kanë mirëpritur përpjekjet e BE-së për të nxitur investimet në rrjet, edhe pse disa prej tyre i kanë rritur kompanitë duke marrë disa masa ‘të ashpra’ për roaming.

Nga ana tjetër, ata nuk janë të kënaqur me përjashtimin e kërkesës së tyre kryesore, e cila është implementimi i një metodë “më të butë” për konsolidimin mes operatorëve. Politika e shkrirjes është vendosur nga Joaquin Almunia, përgjegjës për antitrustet në BE, dhe Kroes ka shumë pak influencë mbi të.

Ndërkohë, ka disa marrëveshje telekomunikacioni të cilat po vëzhgohen nga autoritetet evropiane, përfshi një që është konsideruar si një rast shumë i rëndësishëm e që do t’i mundësonte Telefonica-s të blinte një kompani konkurrente në Gjermani dhe ta çonte në tre numrin e lojtarëve më të mëdhenj të tregut të telekomit në Evropë.

Lajmet e fundit>