Business & Management

SHBA: Mbi 60% e kompanive i pranojnë pajisjet personale për përdorim pune

Apr 13 2013
0 Shpërndarje
SHBA: Mbi 60% e kompanive i pranojnë pajisjet personale për përdorim pune

shba kompaniTaktika BYOD (bring your own device – sillni pajisjen tuaj) po merr përhapje gjithmonë e më të gjerë.

Të dhënat e fundit të një sondazhi e vërtetojnë këtë konstatim, duke zbuluar se më shumë se 6 në çdo 10 kompani jo vetëm që i lejojnë punonjësit të përdorin pajisjet e tyre personale edhe për përdorim pune, por ndonjëherë edhe iu kërkojnë vetë atyre ta bëjnë këtë gjë.

Vetëm një e treta e kompanive kanë standarde strikte në këtë aspekt dhe nuk lejojnë asnjë pajisje elektronike personale të punonjësve të përdoret për motive pune. Të dhënat janë gjeneruar nga një anketë e Computing Technology Industry Association (CompTIA).

Sondazhi online përfshiu 502 ekzekutivë IT-je apo biznesi në SHBA gjatë muajit shkurt. Gjithashtu sondazhi nxori në pah se opsioni më popullor ishte miksimi i pajisjeve që ofronin punëdhënësit dhe ato që kishin punonjësit.

Arsyeja kryesore që ekzekutivët i lejonin punonjësit të përdorin pajisjet e tyre personale ishte rritja e produktivitetit gjatë kohës që punonjësit nuk ishin në zyrë. Një arsye tjetër ishte se punonjësit preferojnë më tepër të përdorin pajisje me të cilat janë tashmë të familjarizuar.

Një pjesë tjetër e ekzekutivëve u shprehën se e shihnin shumë të vështirë ndalimin e punonjësve nga përdorimi i pajisjeve të tyre personale.

BYOD mbetet për momentin një praktikë sa produktive aq edhe e rrezikshme në aspektin e sigurisë për kompaninë. Kësaj të fundit mund t’i kushtonte shtrenjtë nëse punonjësit tregoheshin të pakujdesshëm për smartfonin e tyre duke lejuar vjedhjen e të dhënave, shkatërrimin apo modifikimin e tyre. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>