Internet

Së shpejti vetëm duke thënë "Okay Google" do të mund të kërkohet nga kompjuterët

May 18 2013
0 Shpërndarje
Së shpejti vetëm duke thënë "Okay Google" do të mund të kërkohet nga kompjuterët

Google-logoVetëm duke thënë “Okay Google”, përdoruesit do të kenë mundësi të kërkojnë duke përdorur komandat zanore në kompjuterët e tyre desktop apo laptopët me Chrome.

Për shembull, një fjali do të ishte “Okay Google, show me things to do in Santa Cruz,” (Okay Google, më trego çfarë gjëra ka për të bërë në Santa Cruz.) Më pas përdoruesve do t’u shfaqet një listë me pikat më interesante për t’u vizituar në qytet.

Kjo karakteristikë e re, të cilën Google e quan Conversational Search, bën pjesë në projektin e “grafit të njohurive” nga Google, të cilat synojnë të krijojnë lidhje edhe nga pjesë shumë të vogla informacionesh si dhe të kuptojnë kontekstin në brendësi të kërkimeve që realizojnë njerëzit.

Conversational Search është ngritur mbi teknologjinë e njohjes së zërit si dhe atë të përpunimit të gjuhës. Të dyja këto teknologji përdoren tashmë në pajisje mobile me Chrome dhe Android.

Kërkimi përmes zërit në desktop u zbulua gjatë ditës së mërkurë në konferencën e zhvilluesve Google I/O në San Françisko, ku, sipas Google, morën pjesë mbi 6000 njerëz. Njoftimi shënon një hap përpara drejt përdorimit të teknologjisë së kërkimit në një mënyrë sa më të natyrale të mundshme, “njësoj si të pyesnit një mik,” u shpreh Amit Singhal, zëvendës president senior në Google.

Përdoruesit do të kenë mundësi të marrin informacione pa pasur nevojën për të aktivizuar mikrofonin e kompjuterit. Mjafton që ata të thonë “Okay Google” dhe motori i kërkimit do të thotë përgjigjjen.

Google Knowledge Graph përmban mbi 750 milionë kërkime, shifër kjo gjithmonë e në rritje, teksa ai shndërrohet në një mjet më të fuqishëm çdo ditë e më shumë. Conversational Search për desktopë dhe laptopë është i disponueshëm për një numër të kufizuar përdoruesish në kuadër të Google Search Field Trial, por së shpejti do të jetë i disponueshëm gjerësisht. (CIO Albanian)

Tags >

Google
Lajmet e fundit>