IT Organizate

Sa është e leverdishme marrja e kredive për një IT biznes?

Mar 24 2011
0 Shpërndarje
Sa është e leverdishme marrja e kredive për një IT biznes?

Sektori bankar në Kosovë është zhvilluar shumë gjatë viteve të fundit dhe konsiderohet si njëri prej sektorëve më të suksesshëm. Për vite me radhë u shënuan rritje të vazhdueshme në nivele të përgjithshme, rritje të depozitave, të kreditimit, të prezencës së kapitalit të huaj financiar, të menaxhimit të operacioneve bankare etj.

Me po të njëjtin hap zhvillimi mund të thuhet se ka ecur edhe sektori i Teknologjisë së Informimit dhe Telekomunikacionit, megjithatë, për dallim prej sektorit të parë, sfidat këtu janë më të mëdha për faktin se disa biznese duhet të shqyrtojnë mbijetesën apo zhvillimin e mëtutjeshëm me ndihmën e kredive bankare.

Por në rastet kur sfida bëhet tepër e lartë për t’u kaluar, kemi parë edhe falimentimin e kompanive si ANTIKA dhe Piramida, të cilat kanë qenë të pranishme në treg për vite me radhë, por në fillim të vitit 2011 u dorëzuan për shkak të mospagesës së këstit të kredisë. Për shkak të mospërmbushjes së obligimeve në kohë, bankat detyrohen të konfiskojnë pasuritë e këtyre kompanive apo edhe të kompanive të tjera që kanë marrë kredi dhe nuk kanë paguar. Normat e interesit që shkojnë nga 11 deri në 24 për qind kontribuojnë që të ndodhin të tilla gjëra.Megjithatë, jo gjithmonë reagohet menjëherë duke konfiskuar pasurinë apo duke e detyruar klientin të falimentojë. Iliriana Tahiraj, zyrtare për marrëdhënie me publikun pranë Raiffesien Bank Kosovo, thekson se gjithnjë tentohet të gjendet një zgjidhje e mirë për të dy palët para se të shkohet në gjykatë.

“Në rast se kompanitë nuk i përmbushin obligimet e tyre, duke përfshirë këtu edhe kompanitë e sektorit të Teknologjisë së Informimit, atëherë banka është e obliguar që këto raste t’i dërgojë në gjykatë”, thekson znj. Tahiraj. “Por para se të dërgohen në gjykatë, banka gjithmonë bën përpjekje që në bashkëpunim me kompaninë të gjejë ndonjë mundësi për përmbushjen e obligimeve, madje duke bërë edhe ristrukturimin e kredisë”. Znj. Tahiraj shton se normat e interesit për bizneset në Raiffeisen Bank ndryshojnë varësisht prej llojit të kredisë, shumës dhe kohëzgjatjes së saj, por gjithashtu merret parasysh edhe historia e klientit me bankën.

Sa është e leverdishme marrja e kredisë?

Vjollca Çavolli, drejtoreshë ekzekutive pranë Shoqatës për Teknologji të Informimit dhe Telekomunikimit në Kosovë – STIKK, thekson se edhe bizneset e sektorit të TIK-ut kanë nevojë për kredi me qëllim të zgjerimit dhe rritjes së biznesit të tyre. “Kur bëhet fjalë për leverdinë, atëherë mund tësektothem se në mungesë të instrumenteve të tjera financiare dhe përkrahjes së qeverisë, bizneset janë të detyruara të marrin kredi, por leverdia është minimale.”Sipas znj. Çavolli, sektori i TIK ka nevojë të trajtohet si një gjenerator i zhvillimit ekonomik, dizajnues i fatit të mijëra të rinjve të papunë dhe një mundësi e shkëlqyer për të depërtuar në tregjet rajonale dhe botërore me ofrimin e shërbimeve profesionale. “Kamatat e ulëta dhe ofertat speciale bankare do të ndihmonin në tërë këtë proces, së bashku me përkrahjen substanciale nga ana e qeverisë së Kosovës”, shton ajo.Në anën tjetër, znj. Tahiraj thekson se leverdia për një biznes në sektorin e IT-së për të marrë një kredi varet prej vetë biznesit dhe planeve të zhvillimit të mëtutjeshëm.

“Nëse një biznes nga sektori i IT-së është i interesuar të zgjerojë aktivitetin e tij duke kërkuar përkrahje financiare, atëherë banka është e gatshme të ofrojë kredi dheprodukte të tjera që mund ta ndihmojnë biznesin në fjalë”, thekson ajo. “Banka po ashtu ka punonjës profesionistë në fusha të ndryshme, duke përfshirë edhe fushën e IT-së, dhe varësisht nga projektet e biznesit i sugjerojnë nëse kanë nevojë për kredi apo për ndonjë mënyrë tjetër përkrahjeje nga banka.”Florim Alaj, përfaqësues i Albvision, një kompani e suksesshme në tregun e TIK-ut, thekson se marzhi i fitimit që lejohet në Kosovë është shumë i vogël për të lejuar kthimin e rrjedhshëm të kamatave të kredive që jepen nga bankat.

“Nëse e kemi parasysh se sektorii IT-së në Kosovë është më shumë i përqendruar në harduer dhe softuer, marzhi i fitimit që lejohet kryesisht është shumë i vogël për të siguruar kthimin e rrjedhshëm të kamatave të kredive që jepen nga bankat. Ndërsa kompanitë që veprimtarinë e tyre e kanë të përqendruar në shitblerje me shumicë, e kanë më të lehtë mbulimin e qarkullimit mujor”, shprehet Alaj. Sipas z. Alaj, bankat duhet të fillojnë të mësohen me faktin se kompanitë e fokusuara në IT kryesisht nuk kanë asete apo hipoteka për të lënë dhe për të deklaruar dhe kjo e vështirëson tërë procesin.

“Bankat duhet të marrin parasysh disa elemente të tjera të kompanive në IT, siç mund të jenë qarkullimet vjetore, klientela, kapitalet intelektuale, produktet e zhvilluara, referencat, vitet e ekzistencës së kompanisë në treg, numri i të punësuarve etj”. Sipas tij këto elemente po e vështirësojnë jashtëzakonisht shumë procesin e marrjes së kredive dhe niveli i pakënaqësisë në këtë drejtim po rritet.Çështja e kredive, temë e vititDrejtoresha e STIKK thekson se kompanitë e sektorit të TIK-ut ballafaqohen me shumë sfida dhe probleme. “Deri më sot kemi trajtuar shumë çështje urgjente për mbarëvajtjen e sektorit.

Çështja e kredive të volitshme do të jetë tema e vitit

për të cilën do të punojmë në bashkëpunim me qeverinë dhe me institucionet financiare si dhe të mikrokredive.”Sipas saj, ndryshimet pozitive në treg nuk do të mungojnë dhe se kompanive kosovare u nevojitet një shtytje për të shkuar përpara.Për sa i përket angazhimit të STIKK për të kërkuar nga bankat përkrahjen e kompanive në sektorin e IT-së me norma më të ulëta interesi, znj. Çavolli thekson kjo shoqatë vazhdimisht lobon te vendimmarrësit për ta njohur këtë sektor si sektor me prioritet, në të cilin duhet të punohet më shumë. “Duke ditur mënyrën e funksionimit të bankave komerciale dhe në mungesë të bankave zhvillimore, dyshoj në gatishmërinë e tyre për të përkrahur kompanitë e cilitdo sektori”, thekson ajo.

“Kjo do të mund të realizohej me anën e implementimit të politikave zhvillimore të qeverisë, ku do të përcaktoheshin sektorët me prioritet për zhvillimin ekonomik të Kosovës.” Por të njëjtin mendim për ndryshime pozitive në treg nuk e ndan z. Alaj nga Albvision. “Derisa kompanitë e përqendruara në IT në Kosovë, të cilat kanë ekzistuar për tre apo më shumë vite, janë ende në numër të vogël, vështirë se do të shohim ndryshime pozitive”, konkludon ai.

CIO ka kontaktuar me e-mail edhe përfaqësues të TEB Bankës dhe të disa kompanive të tjera të tregut të Kosovës për të marrë mendime në lidhje me kreditë bankare, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.


Lajmet e fundit>