Harduer

Rritet shitja e librave elektronik

Jun 22 2011
0 Shpërndarje
Rritet shitja e librave elektronik

altNjëra ndër libraritë më të mëdha në botë, Barnes&Nobles deklaroi që trendi i librave elektronik është duke shënuar një ngritje enorme në popullaritet. Kompania në fjalë deklaroi që gjatë çerekut të katërt fiskal ka shitur tri herë më shumë libra digjital, e-book, me anë të uebfaqes së tyre se sa libra të zakonshëm.

Kjo ngritje në shitjen e librave elektronik vjen si rezultat i rritjes së shitjeve me anë të uebfaqes së tyre dhe rënies së shitjeve të librave të zakonshëm. Kjo shifër në raportin e muajit shkurt ishte vetëm dy herë më shumë shitje të librave elektronik krahas formatit të zakonshëm me letër.

B&N shet libra me anë të pajisjes për leximin e librave elektronik Nook e-reader, dhe aplikacionit për palë të treta si celularë dhe tableta, Nook. Këtu edhe është fitimi më i madh i kompanisë së fundmi pasi çdo muaj po shtohen me miliona përdorues të Nook, sipas CEO-s të kompanisë William Lynch.

Të hyrat totale të kompanisë në shitjen e librave elektronik, dhe lexuesve elektronik, kanë qenë 250 milionë dollarë gjatë çerekut të fundit, duke u rritur për 300% në krahasim me çerekun e katërt të vitit të kaluar. Derisa shitjet e librave elektronik janë rritur, shitjet e librave të shtypur kanë rënë për 2.9% në 943 milionë dollarë.

Megjithatë, shitjet e librave elektronik nuk e kanë shpëtuar kompaninë nga humbjet të cilat në çerekun e katërt ishin 59 milionë dollarë në totalin e 1.37 miliardë dollarë shitjeve, krahasuar me humbjen prej 33 milionë dollarëve në çerekun e njëjtë para një viti në totalin e të hyrave prej 1.32 miliardë dollarëve.

Sido që të jetë kompania do të vazhdoj të investoj në biznesin digjital, deklaroi Lynch. Kompania pret që çmimet e librave elektronik të bien ndërsa aplikacionet e vet-publikuesve të shtohen. Pikërisht për këtë të fundit kompania ofron Pub!It, aplikacion që u mundëson botuesve dhe autorëve të ngarkojnë dhe të distribuojnë veprat e tyre në BN.com dhe internet librarinë Barnes & Noble eBookstore.

Lajmet e fundit>