Business & Management

Rritet përdorimi i fiksit, operatorët alternativë i marrin tregun Albtelecom-it

Jun 26 2012
0 Shpërndarje
Rritet përdorimi i fiksit, operatorët alternativë i marrin tregun Albtelecom-it

Numri i abonentëve të telefonisë fikse po rritet, por ndërkohë operatorët alternativë po i marrin treg “Albtelecom”. Kjo është panorama që ofron tregu i shërbimeve të telefonisë fikse.

Sipas të dhënave zyrtare, deri në fund të vitit 2011, telefonia fikse viteve të fundit ka shënuar rritje në numrin e abonentëve. Numri i abonentëve të telefonisë fikse në fund të vitit 2011 arriti në rreth 339 mijë, nivel ky që përbënë një rritje prej 7000 abonentëve apo 2.2% në krahasim me fundin e vitit 2010.  Norma e penetrimit te telefonise fikse ne Shqiperi arriti në 12% krahasuar me 10% sa ishte në vitin 2010, megjithatë ky nivel është ende shumë i ulët krahasuar me vendet e Bashkimit Europian dhe vendet e rajonit (me një mesatare prej 45%).

Gjatë vitit 2011 numri i abonentëve të “Albtelecom” është reduktuar me rreth 19 mijë apo 7% në krahasim me 2010, ndërkohë numri i abonentëve të operatorëve alternativë fiks është rritur me 26 mijë apo 49% krahasur me vitin 2010. Sipas të dhënave më të fundit, “Albtelecom” zotëron rreth 259 mijë abonentë, ndërsa operatorët alternativë në total afro 80 mijë sosh.

Më i madh mes operatorëve alternativë është “Abcom”, që ka arritur një numër prej mbi 27 mijë abonentësh të telefonisë fikse, ndërkohë që vijon “Albanian Satellite Communications” (“Tring”) me rreth 10 mijë abonentë.

Këto janë edhe dy kompanitë me rritjen më të lartë të bazës së abonentëve për vitin 2011, me mbi 36% secila. Vijojnë “Nisatel” me rreth 5 mijë abonentë dhe “Primo” me 3,300 abonentë, por këto dy shoqëri paraqiten në rënie krahasuar me vitin paraprak. Ndërkohë, “AMC fiks”, që ka filluar në dhjetor 2011 ofrimin e shërbimit të telefonisë fikse, duke përdorur rrjetin GSM, brenda një kohe të shkurtër ka arritur të sigurojë rreth 7,500 abonentë. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>