IT Organizate

Rriten shitjet, bien profitet e Amazon

Feb 1 2012
0 Shpërndarje
Rriten shitjet, bien profitet e Amazon

Vërshimet në Tajlandë dhe problemet ekonomike në Evropë kanë ndikuar në rezultatet financiare të çerekut të katërt të Amazon, deklarojnë nga kompania duke shtuar që ata megjithatë janë të kënaqur me rezultatet.

Në fakt Amazon nuk publikoi shifra për njësitë e shitura të lexuesve elektronik të popullarizuar, Kindle, që la shumë vëzhgues të dëshpëruar. E vetmja informatë për këtë ishte se në nëntë javët e fundit të vitit 2011, njësitë e shitura të Kindle, përfshirë edhe tabletën Fire, ishin rritur për 177% në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2010. Arsye për mos publikimin e shifrave, sipas analistëve, është fitimi shumë i vogël nga shitjet e Kindle-ve, me shpresë të rritjeve të shitjeve të librave elektronike.

Kjo mund të jetë edhe një ndër arsyet pse shitjet e Kindle nuk patën ndonjë ndikim në profitin e Amazon, ku të hyrat neto për çerekun e fundit kanë rënë për 58% në 177 milionë dollarë, krahasuar me çerekun e njëjtë të vitit paraprak kur këto shifra ishin  416 milionë dollarë.

Edhe shitjet tjera pos Kindle në dyqanin e Amazon ishin dëshpëruese. Totali i të hyrave neto ishte 17.43 miliardë dollarë, një rritje prej 35% në krahasim me periudhën e njëjtë paraprake, por analistë nga Thomson Financial kishin parashikuar shitje në vlerë prej 18.21 miliardë dollarë.

CFO i Amazon, Tom Szkutak deklaroi që kompain ishte e kënaqur me rezultatet e çerekut të fundit. Ata janë të kënaqur me të gjitha shërbimet e tyre, nga shitja e Kindle, mediat digjitale përfshirë librat, videot, dhe muzikën; si dhe Web Shërbimet e Amazon. Ai shtoi që strategjia e Amazon për të investuar në bizneset e saja nuk do të ndryshoj.

Sipas analistëve kjo është edhe njëra ndër arsyet kryesore për pakënaqësinë e investitorëve. Një nga investimet e tilla ishte në personel, që përbënte deri 67% të të dalurave në krahasim me vitin e kaluar. Investime të konsiderueshme janë bërë edhe në Amazon Web Services dhe zinxhirin shpërndarës.

Pas këtyre rezultateve stoqet e Amazon, pas mbylljes së transaksioneve kishin rënë për 9% në 177.21$, edhe pse dita ishte mbyllur 1% më lartë në 194.44$.

Lajmet e fundit>