Siguri

Qindra mijë aksidente si rezultat i përdorimit të celularit në timon, AT&T fillon fushatën e sensibilizimit

Aug 17 2012
0 Shpërndarje
Qindra mijë aksidente si rezultat i përdorimit të celularit në timon, AT&T fillon fushatën e sensibilizimit

100 000 aksidente me makinë ndodhin çdo vit për shkak se shoferi shkruan mesazhe gjatë kohës që i jep makinës.

Sipas një studimi të AT&T, 97% e adoleshentëve e kuptojnë rrezikun që vjen nga ky veprim e megjithatë, 75% e tyre shprehen se kjo është një taktikë normale mes miqve të tyre. 89% thonë se tentojnë t’i përgjigjen një mesazhi apo e-maili brenda 5 minutave, pavarësisht se ku ndodhen apo çfarë janë duke bërë.

“Lajmi i mirë është se të gjitha këto statistika mund të mënjanohen. Kemi filluar të mendojmë për këtë që në vitin 2009 dhe kemi vendosur të bëjmë diçka”, shprehet Charlene Lake, CSO e AT&T.

Ajo deklaroi edhe se, synojnë të ndërgjegjësojnë më tepër adoleshentët, pasi sipas statistikave, ata janë më të prirur për t’iu përgjigjur miqve të tyre edhe kur janë në timon. AT&T ka nisur një fushatë sensibilizuese dhe ka kërkuar nga njësitë vendore, prodhuesit e pajisjeve elektronike dhe zhvilluesit e aplikacioneve të japin mesazhe ndërgjegjësimi.

Po ashtu, kompania po dërgon mjetet e nevojshme nëpër shkolla, për t’iu mundësuar mësuesve përcjelljen e këtyre mesazheve. Për më tepër, shumë shpejt do të publikohen në internet edhe simulues të situatave reale në rrugë.

Përmes tyre, të gjithë do të kenë mundësi të shohin më realisht se çfarë ndodh nëse shoferi shkruan mesazhe gjatë kohës që i jep makinës.

Ideja më e fundit e AT&T ka sjellë bashkëpunimin me Android-in duke krijuar një aplikacion që do t’u përgjigjet automatikisht mesazheve kur ju jeni në timon.

Ajo mund t’i çojë telefonatat direkt në sekretarinë telefonike ose të aktivizojë profilin pa zë të celularit tuaj. Në këtë mënyrë, evitohet shpërqëndrimi i shoferit.

“U sugjerojmë njerëzve të hapin mesazhin e fundit që u ka ardhur në celular, ta lexojnë dhe të pyesin veten: a ia vlen të humbasësh jetën për t’i kthyer përgjigjje këtij mesazhi? Dhe përgjigjja sigurisht që do të jetë ‘jo, mund të presë’.” (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>