Internet

Qeveria shqiptare harton planin kombëtar për të rritur broadband-in

Jun 21 2012
0 Shpërndarje
Qeveria shqiptare harton planin kombëtar për të rritur broadband-in

Shtrirja e përdorimit të internetit ka qënë një ndër objektivat më të rëndësishëm të qeverisjes në Shqipëri, prej të paktën pesë vjetësh. Falë politikave nxitëse, por edhe falë zhvillimit të natyrshëm te vendit, përdorimi i internetit në vitet e fundit është rritur me ritme të shpejta.

Sipas statistikave, penetrimi i internetit ka kapur shifrën mbi 43%, duke arritur pranë niveleve mesatare të rajonit, por ende larg niveleve të Bashkimit Europian. Tani Shqipëria ka arritur momentin kur duhet të mendojë jo thjesht për aksesin në internet, por përdorimin e vazhdueshëm të shërbimeve të panumërta që ofron rrjeti në funksion të progresit ekonomik dhe social.

Ky lloj vlerësimi mbështetet në përdorimin e rregullt të internetit me brez të gjerë apo broadband. Sipas statistikave më të fundit zyrtare, penetrimi i lidhjeve broadband në Shqipëri, përfshi lidhjet fikse dhe ato nëpërmjet rrjeteve 3G-USB modem, ka arritur në 6.2% (6.2 për 100 banorë). Që nga viti 2007, ky nivel shënon një rritje me 18 herë të penetrimit të broadband-it. Por, mesatarja e Bashkimit Europian, ku Shqipëria synon të arrijë, është pesë herë më e lartë.

Kjo tregon qartë se jemi ende shumë mbrapa. Kjo është arsyeja pse qeveria shqiptare për herë të parë ka hartuar një plan kombëtar për zhvillimin e broadband-it. Plani i përgatitur nga Ministria për Novacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit, hedh piketat e politikave për rritjen e përdorimit të internetit me brez të gjerë gjatë viteve të ardhshëm. Plani bazohet në disa kolona kryesore: koordinimin e palëve të interesuara, masat rregullatore, vlerësimi i varianteve teknologjike për shtrirjen e broadband-it, si edhe hartimi i politikave që nxisin kërkesën e tregut për këto shërbime.

Objektivat e punës koordinuese do të jenë: krijimi i një forumi për bashkëpunim dhe dialog mes enteve qeveritare, industrive dhe bizneseve të përfshira si edhe institucioneve lokale. Masat rregullatore kanë një rreze të gjerë dhe përfshijnë riorganizimin e spektrit të radiofrekuencave, nxitjen e investimeve private, miratimin e rregulloreve që mundësojnë përdorim të përbashkët të infrastrukturës së disponueshme dhe lehtësimin e procedurave për të siguruar lejet e kalimit në infrastrukturë.

Qeveria shqiptare do të vazhdojë të promovojë parimin e neutralitetit teknologjik, që mbështet shtrirjen e shërbimeve, pavarësisht nga lloji i teknologjisë me të cilën ofrohen, por, përsa i takon nismave me financim publik do të kenë prioritet teknologjitë më efiçente nga pikëpamja ekonomike.

Së fundmi, nxitja e kërkesës për shërbime broadband përfshin zgjerimin e shërbimeve publike që mund të merren nëpërmjet internetit, por edhe subvencionimin e drejtpërdrejtë për kategori të veçanta përdoruesish apo institucione, si: shkollat, bibliotekat, etj. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>