IT Organizate

Qendra të dhënash me detyra të dyfishta

Oct 19 2011
0 Shpërndarje
Qendra të dhënash me detyra të dyfishta

Qendrat e të dhënave vazhdojnë të jenë të pajisura çdo ditë e më shumë me sisteme të IT-së, por ndërmarrjet nuk janë duke punësuar njerëzit e nevojshëm për t’i menaxhuar këto pajisje të reja. Së paku kështu kanë zbuluar dy anketa të bëra së fundi.

Në një anketë të bërë në mars nga AFCOM me një grup menaxherësh të qendrave të të dhënave, 37% e të anketuarve thanë se kanë reduktuar stafin e qendrave të tyre të të dhënave gjatë tre viteve të fundit, kurse 29% thanë se e kanë mbajtur stafin e tyre në nivele të njëjta. Gati 35% që mbetet janë përgjigjur se e kanë rritur stafin.

Por gjatë së njëjtës periudhë, gati 74% e qendrave të të dhënave kanë rritur numrin e serverëve të tyre fizikë dhe kështu konfirmohet edhe nga sondazhi i AFCOM me 360 IT menaxherë dhe IT ekzekutivë të tjerë me përvojë.

Rezultati është se 66% e qendrave të të dhënave të mbuluara në anketën e AFCOM janë duke menaxhuar më shumë sisteme me të njëjtin numër njerëzish apo edhe me më pak.

Një studim tjetër nga Metrics Based Assessments, gjithashtu i publikuar në muajin mars, shpjegon se çfarë po ndodh.

MBA, një firmë hulumtuese e qendrave të të dhënave, e cila teston rreth 100 qendra të dhënash çdo vit, ka raportuar se në vitin 2006 numri i imazheve të sistemeve operative Linux të mbështetura nga administratorët e sistemeve me përkushtim të plotë ishte 9.2, kurse në vitin 2010 ishte 17.1, një rritje prej 86%. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i imazheve Windows të mbështetura nga një staf adekuat me orar të plotë është rritur në 61%, kurse numri i imazheve Unix për staf është rritur në 38%.

“Ajo çfarë po shohim në të vërtetë është se njerëzit po shtojnë kapacitetin, por nuk po rrisin stafin dhe disi stafi po kupton se si të menaxhojë situatën”, thotë Mark Levin, një partner pranë MBA. “Dhe shumë këtu ka të bëjë me përmirësimet e niveleve të automatizimit apo të gjërave të kësaj natyre.”

Por edhe me përmirësime teknike, Levin thotë se arritjet në produktivitet po bëhen për shkak se punëtorët e qendrave të të dhënave janë thjesht duke pranuar më shumë punë.

“Virtualizimi i serverëve, softueri për menaxhimin e serverëve dhe automatizimi i qendrave të të dhënave po i bëjnë qendrat e të dhënave më efikase”, shprehet John Longwell, zëvendëspresident i hulumtimit pranë Computer Economics, një kompani hulumtuese në Irvine, Kaliforni. “Në të njëjtën kohë, numrat e serverëve janë në rritje pavarësisht se ka diskutime në lidhje me konsolidimin e serverëve dhe të qendrave të të dhënave.”

Por ky është një trend konsistent afatgjatë. Operatorët kompjuterikë (tani të quajtur administrues sistemesh) kanë qenë te kuota e 10% pjesëmarrje në stafin e IT-së në vitin 1997, thotë Longwell. Sot ata janë 3.3% e stafit IT.

Një trend tjetër i madh që po ndikon në formimin e qendrave të të dhënave është rritja e Cloud Computing. Në tetor të vitit 2009, vetëm 14 % e qendrave të të dhënave kanë implementuar çfarëdo forme të cloud computing. Sipas AFCOM, kjo tani është 36%. “Parashikimet tona janë se 80% deri në 90% të të gjitha qendrave të të dhënave do të adoptojnë një formë të cloud computing në pesë vitet e ardhshme”, tha Jill Eckhaus, CEO e AFCOM, që ka bërë cloud computing një prioritet në programet e trajnimit. Eckhaus thotë se menaxherët e qendrave të të dhënave janë më të interesuar për cloud privat për arsye të sigurisë dhe kontrollit, por thekson se parashikimi i AFCOM gjithashtu përfshin përdorimin e shërbimeve private cloud.

Në terma buxheti, gati 38% e të anketuarve në anketën e AFCOM kanë thënë se presin që kompania e tyre të rritë buxhetin e tyre për qendra të dhënash në vitin 2011, 41% thanë se presin që fondet të mbeten po ato, kurse 20% thanë se do të ketë rënie.

Eckhaus thotë se anketa gjithashtu ka gjetur se 15% e qendrave të saj të të dhënave nuk kanë plane për ruajtje në rezervë dhe rikthim, ndërsa rreth 30% nuk kanë hapësira për ruajtje në rezervë. “Për mua, këto statistika janë shokuese”, thekson ajo.

Levin thotë se nuk është i befasuar nga mungesa e shpenzimeve apo kujdesit në rikthim prej fatkeqësive. “Ne kemi menduar se pas 11 shtatorit do të ishte me rëndësi që të rriten shpenzimet për rikthim prej fatkeqësive, por asnjëherë nuk ka ndodhur”, thekson ai.

 

Lajmet e fundit>