IT Organizate

Pse nuk bën pa Steve Jobs?

Feb 24 2011
0 Shpërndarje
Pse nuk bën pa Steve Jobs?

Në kuadër të ngjarjeve sportive ne kemi ndjekur momentet e mbylljes së karrierës së legjendave të mëdha si Michael Jordan,. Wayne Gretzky. Joe Montana, etj. Ishte kohë e vështirë dhe ekipet e tyre nuk do të ishin më të njëjtat, por kjo është mënyra se si luhet loja. Kështu është edhe në botën e biznesit, vetëm se ekzekutivët kanë karriera më të gjata se sportistët. A mund të zëvendësohet Steve Jobs? Apple ka një ekip të përbërë nga Timothy Cook, Jonathan Ive dhe Philip Schiller, por nuk ka asnjë mënyrë të vetme për të zëvendësuar Steve Jobs. Kjo është arsyeja pse orakujt flasin për kohëra të vështira në të ardhmen e Apple, siç parashikuan edhe më parë në lidhje me largimin e Jack Welch nga GE.

Por të mos e teprojmë, Apple do të vazhdojë të jetë ylli i Silicon Valley dhe e pëlqyera e Wall Street edhe pa Jobs, së paku për disa vite në vazhdim. Ja tri arsyet që tregojnë pse do të ndodhë kjo.

 

Arsyeja e parë: Cook trashëgon udhëheqje të suksesshme

Aksionarët e Apple janë humbësit më të mëdhenj nëse ikën Jobs. Aksionet e Apple ranë me dy pikë pasi u mësua lajmi se Jobs do të largohej për pushime mjekësore, por u ngritën sërish kur Apple raportoi për të ardhura të mëdha ditën tjetër. E njëjta gjë ndodhi edhe kur Jobs u largua para dy vitesh: aksionet e Apple ranë dhe më pas u rritën në nivele mahnitëse nën udhëheqjen e Timothy Cook. Lajmet rreth Jobs kanë treguar se ai i ka vizituar zyrat e Apple vetëm dy herë në javë, duke nënkuptuar se Cook ishte magjistari prapa skenës gjatë semestrit mahnitës të Apple. Apple postoi 26.74 miliardë dollarë në të hyra dhe 6 miliardë dollarë fitime, duke përfshirë shitje rekorde të Mac, iPhone dhe iPad. Prej të gjitha këndeve, Cook duket se ka baza tepër të sigurta.

Pra, nuk ka asnjë arsye për të besuar se ai nuk do të bëjë hapat e duhur kur mungon Jobs. Edhe nëse ai dështon, Apple nuk do të vuajë menjëherë. Ndryshe nga ngjarjet sportive, ku fundi i karrierës së Peyton Manning ndoshta nënkupton se Indianapolis Colts nuk do të mund të arrijë në garat e playoff-it, kompanitë janë shumë më të ngadalta në përjetimin e ndikimit të humbjes së një lideri. U desh të kalojnë tre vite pas largimit të John Scully që Apple të gjendej në errësirë, në periudhën para Jobs, në vitet 1980, por Cook nuk është Scully.

Arsyeja e dytë: Jobs ende nuk e ka mbaruar misionin

Madhështia e Jobs është aftësia për të sjellë produkte që ndryshojnë tregun dhe që rezonojnë te njerëzit, siç është iPad. Vitin e kaluar Jobs tha për iPad se “do të jetë gjëja më e rëndësishme që kam krijuar ndonjëherë”. (Vizioni i iPad realisht daton para iPhone dhe në fakt ka qenë i nxitur nga zhvillimi i iPhone.) iPad është i mahnitshëm, madje rrugës për të fituar edhe medalje të artë, por asnjë ekip nuk mund të fitojë diçka të tillë në një vit kur Apple nuk pritet të shpalosë një produkt që do të ndryshojë tregun këtë vit. Fokusimi në vend të kësaj do të drejtohet te përmirësimi i linjës së produkteve ekzistuese dhe vazhdimësia për të rritur shitjet matanë Amerikës.

Kjo mund të bëhet pa Jobs. Jobs njihet si një negociator i fuqishëm, por a do t’i mungojnë aftësitë e këtilla kompanisë Apple? Sa u përket produkteve që ndryshojnë tregun, Jobs i ka kompletuar marrëveshjet e mëdha. Për shembull, Apple e ka nxjerrë koston e iPhone vetëm duke e shitur me AT&T dhe pa dyshim që të njëjtin sukses ka arritur edhe me Verizon. Në një shkallë tjetër krahasuese, Beatles gjithashtu më në fund janë futur në iTunes. Kjo është për të mos thënë se nuk janë bërë marrëveshje të profilit të lartë, por Jobs ka bërë edhe një gjë tjetër të rëndësishme: Apple është kompania më e madhe në planet me një vlerë tregu prej 300 miliardë dollarësh dhe mbart një peshë të madhe me furnizues kyçë globalë të komponentëve, me një arsenal me vlerë prej 50 miliardë dollarësh.

Arsyeja e tretë: Ive është Steve Jobs i radhës?

Humbja e Jobs do të ndihet edhe më shumë kur Apple do të tentojë të sjellë një produkt tjetër që do të synojë ndryshimin e tregut. Kjo natyrisht nën supozimin se Jobs nuk do të rikthehet. Siç u tha më herët, askush nuk mund të zëvendësojë një vizionar dhe një dizajner të tillë, por dikush mund t’i afrohet: ai është Jonathan Ive, zëvendëspresident i lartë i dizajnit industrial. “Ai pa dyshim që është një prej personave më të rëndësishëm”, tha për New York Times analisti Shaw Wu nga Kaufman Brothers. “Ai është përgjegjës për pamjet dhe ndjenjat që ofrojnë produktet, për mënyrën se si bashkëveprojnë përdoruesit me to.” Shanset që një kompani të ketë dy vizionarë të mëdhenj njëri pas tjetrit janë të pakta, por Jobs ka pasur shumë kohë për të gjetur një pasardhës të denjë në erën kritike të dizajnit.

Duke pasur parasysh temën sportive që ecën përgjatë logjikës së shkrimit, mjafton të mendojmë vetëm disa milje larg qendrës së Apple, në Cupertino, për të rikujtuar kohën kur Steve Young nga San Francisco 49ers u fut në pozitën e Joe Montana. E vërteta pas gjithë zhurmës që po krijohet rreth Jobs megjithatë nuk ka të bëjë me të ardhmen financiare të Apple apo me produktet e saj të bukura. Ashtu si sportistët që mbyllin karrierën, humbja e Jobs nga Apple ndoshta përfundimisht do të shënojë fundin e një ere kreative dhe të një legjende që u largua nga maja me produktin iPad. Këto kohëra vazhdimisht sundohen nga mërzia.

Tom Kaneshige mbulon Apple dhe rrjetet për CIO.com. Ndiqeni në Twitter përmes @kaneshige ose dërgoni e-mail në: [email protected]

Lajmet e fundit>