Slider

Pse kurset online nuk mund të zëvendësojnë diplomën e universitetit

Feb 5 2013
0 Shpërndarje
Pse kurset online nuk mund të zëvendësojnë diplomën e universitetit

studentArsimimi online po tërheq vëmendjen e shumë shkollave elitare të cilat po i hapin në mënyrë virtuale klasat e tyre për të gjithë botën.

Nuk ka dyshim se kjo lëvizje do ta transformojë arsimin dhe shoqërinë në vitet që na presin. Kohët e fundit ka një tendencë gjithmonë e në rritje e të menduarit se kurset online janë një zëvëndësim i përvojës tradicionale në universitete. Me pak fjalë: kjo është ide e gabuar.

Kurset online nuk janë zëvendësuese të diplomës së universitetit. Të paktën në kohën që jetojmë sot, nuk e kemi arritur ende atë pikë. Dhe nuk do ta arrijmë deri në momentin që do t’u japim zgjidhje një sërë çështjesh që prekin avancimin e arsimimit online. Për këtë duhet kohë.

Sigurisht që kurset masive online (MOOC – Massive Open Online Courses) e lejojnë çdo person që ka një lidhje me internetin të lidhet dhe të mësojë, por a i plotëson kjo mënyrë të mësuari nevojat e çdo studenti në mbarë botën? A janë perfeksionizuar metodat e mësimdhënies për të ofruar të njëjtën përvojë përmes kompjuterit si ajo që studentët kanë në klasë? Absolutisht jo. A mundet që një student i një klasë me 100,000 veta të lidhet lehtësisht me profesorin apo kolegët nëse ka një pyetje gjatë leksionit? Ende jo, por po punohet rreth kësaj.

Por, edhe pse kurset masive online nuk japin një diplomë të vlefshme me atë të një universiteti, kjo nuk do të thotë se ato nuk kanë vlerë. Ato e bëjnë më efiçent sistemin e arsimit dhe tregun e punës, duke rritur aksesin ndaj dijes. Përmes tyre, të gjithë njerëzit nga e gjithë bota, mund të shtojnë njohuritë e tyre, duke i hapur vetes mundësi të reja pune e duke përmirësuar kështu karrierën e tyre.

Sipas të dhënave të qeverisë amerikane, 53.6% e të rinjve nën moshën 25 vjeç që kanë një diplomë universitare bachelor, janë pa punë ose bëjnë punë jashtë degës së tyre. Nga ana tjetër, aftësitë e kërkuara për punë po rriten dhe po ndryshojnë sa hap e mbyll sytë.

Pikërisht këtu është momenti kur të gjithë mund të përfitojnë nga kurset online. Shumë njerëz në të gjithë botën po i përdorin ato për të shtuar aftësitë e tyre, ose për të plotësuar njohuritë që kanë marrë në universitet. Për shembull, ekonomistët mund të kenë nevojë të marrin njohuri në programim dhe nuk ka kuptim që të regjistrohen në universitet për të marrë një diplomë në informatikë. Duke ndjekur disa kurse Java për shembull, mund të plotësohen me dijet që u nevojiten. Pra, kurset online mund t’i ndihmojnë njerëzit të mbushin hapësirën mes njohurive të tyre dhe kërkesave të tregut.

Për të mbajtur ritmin e botës sonë, gjithmonë në zhvillim e sipër, është thelbësore të përmirësojmë aftësitë tona për të ecur me hapin e biznesit dhe aktualitetit. Një diplomë universitare ka vlerë të madhe në CV-në e çdo personi, diçka që nuk është ende e arritshme nga kurset online. Por këto të fundit, mund të na ndihmojnë të rritemi dhe të marrim aftësi të reja pa pasur nevojë të ndjekim një studim të dytë. (CIO Albanian)

Lajmet e fundit>