IT Organizate

PROTIK, marrëveshje me Universitetin e Tiranës

Apr 30 2013
0 Shpërndarje
PROTIK, marrëveshje me Universitetin e Tiranës

ProtikQendra Burimore e Teknologjisë së Informacionit, PROTIK ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës. Qëllimi i marrëveshjes është mbështetja e zhvillimit të sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Shqipëri nëpërmjet edukimit.

Nënshkrimin e marrëveshjes e përshëndeti Ministri për Inovacionin dhe TIK, z. Genc Pollo, i cili e konsideroi këtë iniciativë të suksesshme dhe cilësoi se nisma të tilla përmirësojnë nivelin e standardeve universitare në Shqipëri. Gjatë fjalës së tij, ministri Pollo shprehu bindjen se ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi afatgjatë dhe frytdhënës për zhvillimin e sektorit të TIK dhe atij edukativ në Shqipëri.

“Besoj që nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një hap shumë i rëndësishëm për Universitetin e Tiranës, për qendrën PROTIK, por edhe për qëllimin e madh dhe të rëndësishëm, që i kemi vënë vetes, para 4-vitesh, kur u përpoqëm të konsolidojmë dhe të zhvillojmë më tej partneritetin Qeveri-Biznes dhe Qeveri-Universitete. Dhe në këtë dimension të fundit, është bërë shumë nga ana e universiteteve, duke zgjeruar fakultetet, shtuar numrin e studentëve TIK, për të kontribuar, jo vetëm për zhvillimin individual të diplomantëve nga këto degë, por edhe për një sektor në rritje, një sektor në një zhvillim dinamik, siç është ai i TIK”,- tha Pollo.

Universiteti i TiranesTë dy institucionet nëpërmjet këtij bashkëpunimi synojnë ndër të tjera përmirësimin e burimeve të ardhshme njerëzore dhe orientimin e studentëve drejt tregut të punës. Ndër qëllimet e këtij memorandumi bashkëpunimi janë informimi reciprok mbi të rejat dhe zhvillimet në secilin institucion që paraqet interes për aktivitetin institucional të palës tjetër; bashkëpunim për zhvillimin e punës kërkimore dhe inovacionit; bashkëpunim në organizimin dhe lehtësimin e pjesëmarrjes në seminare, konferenca, forume të përbashkëta dhe aktivitete të organizuara nga të dyja palët; koordinimin e burimeve teknike dhe njerëzore me objektiv kryesor zhvillimin e sektorit të TIK-ut, si dhe asistencës, konsultimit dhe shërbimeve për trajnimin teknik që adresojnë formimin e burimeve njerëzore në fushën e teknologjisë së informacionit e të komunikimit.

Gjithashtu marrëveshja ka si objektiv ngritjen e grupeve të punës bazuar në projekte të përbashkëta, në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit; Nxitje dhe mbështetje për realizimin e praktikave të studentëve të fakulteteve, të cilat ofrojnë diploma TIK, në Universitetin e Tiranës; nxitje dhe mbështetje në zhvillimin e kërkimit në fushën e TIK. (CIO Albanian)

Tags >

PROTIK
Lajmet e fundit>