Intervista

Produkte për xhepin e secilit

Jul 11 2011
0 Shpërndarje
Produkte për xhepin e secilit

Intervistoi: Çelik Nimani
Panasonic është një gjigant ndërkombëtar me zhvillim të jashtëzakonshëm në shumë tregje të botës. Prej më shumë se 50 vitesh, Panasonic ka kënaqur konsumatorët amerikanë me inovacione për shtëpi dhe biznes dhe në vazhdimësi ka sjellë në treg produkte që kanë fituar çmime të shumta, madje në raste të caktuara ka qenë edhe pionier për teknologji të reja inovative.

Produkte të tilla janë prezantuar edhe para konsumatorëve ballkanas, të cilët gjatë viteve të fundit pa dyshim kanë vërejtur një aktivitet të shtuar të Panasonic. Ky aktivitet është shoqëruar me investime të reja dhe me organizime konferencash e prezantimesh të ndryshme për të qenë një hap më afër konsumatorit. Një prej nxitësve të tërë këtij zinxhiri investues është z. Istvan Stark, drejtor menaxhues i Panasonic për Evropën Juglindore, me një përvojë të madhe në industrinë e Teknologjisë Informative në Evropën Juglindore. Ai ka theksuar vazhdimisht konsideratën e veçantë ndaj rajonit të Ballkanit, duke deklaruar se rajone të tilla energjike janë me rëndësi të veçantë për Panasonic për shkak se janë tregje me rritje të vazhdueshme dhe të hyrat nuk mungojnë. Në kohën kur Panasonic është duke organizuar disa konferenca në rajonin tonë, z. Stark ka shprehur kënaqësinë që të japë disa detaje rreth rëndësisë së pranisë së Panasonic në këtë rajon dhe rreth zhvillimeve të mëtutjeshme.

CIO: Panasonic ka një reputacion të madh kur bëhet fjalë për produkte të shtrenjta dhe të kualitetit të lartë, të pranishme në pjesë të ndryshme të botës. Duke pasur këtë parasysh, tregjet në rajonin tonë janë ende në zhvillim e sipër, ndërkohë që duket se edhe Panasonic dëshiron të jetë e pranishme në këtë treg. Cila është pozita e tanishme e Panasonic në tregjet e Kosovës dhe Shqipërisë? Ç’prisni prej këtyre tregjeve?
Stark: Në radhë të parë, ne konsiderojmë se produktet tona janë të kualitetit të lartë, por nuk janë domosdoshmërisht të shtrenjta. Ne bëjmë përpjeke të forta për të prodhuar produkte që synojnë të gjithë blerësit (përfshirë edhe ata që kanë më pak të hyra), por në anën tjetër duke mos ulur kualitetin.
Në tregjet e Shqipërisë dhe të Kosovës, Panasonic ka qenë në njëfarë forme e pranishme gjatë dekadës së fundit dhe  blerësit janë në dijeni të brendit tonë, por për shkak se PSEE (Panasonic South-East Europe) është themeluar para katër vitesh, ka pasur ndryshime në strategjitë tona dhe rritja e pranisë lokale ka qenë faktor kyç që ka ndikuar në formimin e kësaj rritjeje.
Ne mund të themi se Panasonic në tregun e Kosovës është shumë i njohur dhe pa dyshim që jemi në mesin e tre top-brendeve kryesore të elektronikës konsumuese më të shitura në këtë vend. Sa i përket Shqipërisë, ne kemi filluar atje me më shumë kujdes dhe pjesëmarrja jonë në treg po rritet gradualisht për shkak të rritjes së distribuimit dhe natyrisht për shkak të prezencës lokale, siç e thashë edhe më herët.

CIO: A mendoni se çmimet mund të kenë ndikim në sjelljen e konsumatorëve ndaj një produkti? Për shembull, të themi se mund të ndikojë në atë se cili produkt shitet më shumë apo më pak në rajonin tonë?
Stark: Duhet të pranojmë faktin se shumica e shteteve të PSEE janë tregje në zhvillim e sipër dhe me këtë gjë në mendje ne kemi kuptuar se këto tregje janë shumë të ndjeshme ndaj çmimeve. Pavarësisht kësaj, në këto tregje ka blerës që ndjekin trendet dhe mund të blejnë produktin më të mirë të mundshëm. Fakt është se për disa vite me radhë Panasonic Plasma TV ka marrë çmimin si TV me kualitetin më të mirë të fotografisë, por megjithatë nuk është produkti më i shitur, pasi shitjet më të mëdha janë nga modelet e nivelit fillestar si LCD-të, modelet 32 inç HD dhe gjithashtu modelet fillestare HD Plasma.

CIO: Tërmetet dhe cunamit që goditën Japoninë kohë më parë, përveç shkatërrimeve dhe numrit të lartë të viktimave njerëzore, patën efektin e vet edhe në ekonomi dhe si rezultat i kësaj shumë analistë thanë se kjo do të shfaqë ndikime edhe në çmimet e komponentëve elektronikë, duke sjellë shtrenjtimin e pajisjeve. Si do të ndikojë kjo tek Panasonic?
Stark: “Great East Japan Earthquake” (Tërmeti i madh i Japonisë Lindore) apo “2011 Tohoku Earthquake”, siç po e quajnë, ishte jashtëzakonisht i fuqishëm dhe cunamit që goditën më pas ishin edhe më shkatërrimtare duke shkaktuar një numër më të madh viktimash në njerëz. Megjithatë populli i Japonisë dhe shoqëria si tërësi kanë bërë një ripërtëritje unike të zhvilluar përgjatë shekujve. Nuk kam asnjë dyshim se Japonia do të dalë prej kësaj tragjedie më e fuqishme se kurrë më parë. Pothuajse të gjitha fabrikat kanë rinisur prodhimin apo nëse nuk e kanë bërë, janë rivendosur dikur tjetër. Unë nuk parashikoj ndonjë rritje të theksuar të çmimeve të produkteve të përfunduara dhe madje edhe nëse do të ketë, këto do të jenë raste të kufizuara dhe me afat të shkurtër. Fabrikat e Panasonic në atë rajon janë rikthyer në prodhim brenda tre javësh dhe kjo do të thotë se ne do të jemi në gjendje të plotësojmë kërkesën.

CIO:A ka ndonjë mundësi reale që Panasonic të zhvendosë politikat e saj investuese drejt rajonit të Ballkanit? A mund të themi se eventualisht Panasonic do të tentojë të ndërtojë një fabrikë këtu, që do të përdoret për të prodhuar komponentë për linjat e saj të produkteve?
Stark: Unë nuk jam i përfshirë në vendimet për prodhim dhe në vendimet për investime të ardhshme në produkte. Siç jeni në dijeni, ka disa vende prodhimi të shpërndara në Evropë dhe kompania vazhdimisht po shikon mundësitë e investimit edhe në rajonin tonë.

CIO: Çfarë është duke bërë Panasonic për të qenë aktive në rajon? Cilat janë planet për të ardhmen?
Stark: Ne vazhdimisht jemi duke rritur aktivitetet tona në terren, si për shembull me hapjen e zyrave përfaqësuese, me punësimin e njerëzve lokalë, me organizimin e seminareve për produkte dhe natyrisht me rritjen e distribuimit tonë. Jemi duke bashkuar forcat me distributorët dhe shitësit lokalë për të siguruar që konsumatorët kanë një qasje më të madhe në një bashkësi më të gjerë të produkteve të Panasonic. Ne i kushtojmë kujdes të veçantë kënaqësisë së konsumatorit, duke rritur gjithashtu edhe rrjetin tonë të shërbimeve.

CIO: A keni ndonjë pengesë nga ligjet dhe rregullativat lokale, për shembull në aspektin e procedurave të doganave apo taksave?
Stark: Ne nuk përjetojmë ndonjë pengesë politike apo rregullative që mund të vështirësojë qarkullimin e produkteve apo shitjeve lokale. Natyrisht do të ishte shumë më lehtë dhe më pak e kushtueshme për të operuar nëse të gjitha shtetet në rajon i bashkohen Bashkimi Evropian. Por deri atëherë, ne dhe partnerët tanë u përmbahemi të gjitha ligjeve dhe rregullativave lokale.

CIO: Duke llogaritur të hyrat e gjeneruara nga tregjet përkatëse, sa jeni të kënaqur dhe çfarë pret Panasonic më tej nga rajoni? A do të qëndrojë e fokusuar në zhvillimin të mëtejshëm apo do të kalojë në tregje të tjera?
Stark: Si person i shitjes, unë asnjëherë nuk jam i kënaqur dhe vazhdimisht kërkoj arritje më të mëdha. Ne mund të rritemi në tre vitet e ardhshme, duke u nisur nga fakti se ka një kërkesë të mirë për produktet e Panasonic, gjë që na ofron një ndjenjë të mirë. Panasonic gjithashtu ka rritje nga këto tregje dhe çdo vit ato do të jenë më afër shteteve të Bashkimit Evropian, në të gjitha aspektet e ndërgjegjësimit për trendet e deri tek shprehitë e blerjes së ngjashme. Panasonic South-East Europe do të qëndrojë e fokusuar në të gjitha shtetet në rajon. Megjithatë, Panasonic në nivel botëror do të fokusohet në të gjitha tregjet në zhvillim duke sjellë produktet më të mira tek blerësit kudo në botë.

Lajmet e fundit>