Business & Management

Plus Communication i shpall luftë tregut të çrregulluar të telekomunikacionit

Sep 17 2016
0 Shpërndarje
Plus Communication i shpall luftë tregut të çrregulluar të telekomunikacionit

51147323Plus Communication, operatori i vetëm me kapital shqiptar, prej vitesh vuan në tregun Shqiptar të telekomunikacionit në pamundësi për të konkurruar me operatorët e konsoliduar prej vitesh si Vodafone dhe Telekom.

Themeluar si kompani në 2009-tën, Plus filloi ofrimin e shërbimeve të telefonisë së lëvizshme vetëm në 2010-tën falë një investim prej 90 milion Eurosh. Atë kohë autoriteti rregullator i sektorit të telekomunikacionit, AKEP, vinte theksin tek nevoja e një operatori të ri për të rritur konkurrencën dhe si rezultat ulur koston e shërbimeve mobile.

Dhe pas 6 vitesh aktivitet, Plus vijon të jetë operatori i katërt për nga numri i abonentëve sipas raportit më të fundit të AKEP. Drejtuesit e lartë të kompanisë për vite me radhë shprehnin nevojën e mbështetjes nga institucionet shtetërore për të konkurruar më mirë me kompanitë e fuqishme, një mbështetje e cila nuk erdhi asnjëherë.

Pasi Vodafone fitoi liçensën e parë 3G në 2010-tën për 31 milion Euro dhe Telekom Albania(AMC) konfirmoi pozitat si operatori i dytë më i madh në 2011-tën me liçensën e dytë 3G për 15.1 milion Euro, Plus vendosi tu drejtohej organeve kompetente shtetërore për të akoduar liçensën 3G falas një kompanie e cila nuk kishte buxhetin e dy operatorëve më të mëdhenj në vend.

Përgjigjet e vazhdueshme negative të AKEP dhe indiferenca e këtij institucioni bënë që Plus të fitonte liçensën 3G vetëm në Shtator të 2014-tës, 4 vite pas Vodafone. Si rezultat i vështirësive financiare ofrimi i shërbimeve të para 3G filloi në shkallë të gjërë vetëm në 2016-tën.

Në 2012-tën ishin AMC dhe Plus që dorëzuan pranë AKEP ankesa në lidhje me pozitat dominuese të Vodafone dhe “efektin klub.” Pas një hetimi të thellë, autoriteti i konkurrencës arriti në përfundimin se Vodafone nuk ka abuzuar, një çështje e cila do ti kishte kushtuar kompanisë 10% të xhiros vjetore.

Vitin e kaluar ndërsa Vodafone dhe Telekom mbushën ekranet televizive me 4G dhe 4G+, Plus endej me teknologjinë 2G. Presioni i konsumatorëve dhe nevoja për internet 3G falë hovit teknologjik të viteteve të fundit shtohej dita ditës ndaj Plus. Në një intervistë për Monitor.al, CEO dhe Administratorja e Plus Matilda Shehu pak ditë më parë shprehu shqetësimet e kompanisë dhe dëmi i bërë jo vetëm ndaj Plus por edhe ndaj konsumatorëve me një situatë të cilën ajo e quan oligopol.

Në një dalje për shtyp në datën 29 Gusht operatori bëri të ditur se kishte nënkontraktuar një nga firmat ligjore më të fuqishme në botë, K&L Gates, e cila do të përfaqësojë kompaninë në luftën ndaj oligopolit.

Shehu ngriti akuza të forta ndaj dy shoqërive të fuqishme, Vodafone dhe Telekom, se nëpërmjet dhurimeve dhe sponsorizimeve tek institucionet, shtetarët dhe deputetët kishin ndikuar në situtatën e tregut të telekomunikacionit në Shqipëri.

“Janë fakte, që besoj shumë shpejt do të bëhen publike në vijim dhe do të shihen në procese civile e penale që do të vijojnë,” shprehej Matilda për Monitor.al. Ajo akuzoi AKEP për aplikimin e simetrisë së tarifave ndaj një operatori me vetëm 6% të tregut, një politikë rregullatore e cila aplikohet në vendet e Bashkimit Europian vetëm kur operatori i kalon 20% të tregut. Dhe si rezultat operatori Plus është i detyruar të aplikojë të njëjtat tarifa që kanë edhe operatorët më të mëdhenj në treg.

Firma ligjore e nënkontraktuar kishte këshilluar vënien në dijeni të Ambasadores së BE-së në Shqipëri Romana Vlahutin dhe Komisionerit Europian për Çështjet Dixhitale, Gunther Oetinger mbi këtë situatë.

Lidhur me të ardhmen e Plus, Shehu tha se janë bërë disa marrëveshje të rëndësishme së fundmi me një kompani italiane për menaxhimin e kullave dhe me një prej gjigandëve të telekomunikacionit. (CIO Albanian)

Tags >

Plus
Lajmet e fundit>