Investim

Platformat online, mbyllet Stock.com, hapet Eurotrade Securities

Jun 5 2017
0 Shpërndarje
Stock International Albania kishte marrë licencë nga AMF në 30 maj 2015 për të vepruar si agjent brokeri në letra me vlere në emër dhe për llogari të “LeadCapital Markets”Ltd, firmë brokerimi. Platformat online, mbyllet Stock.com, hapet Eurotrade Securities

Një prej platformave online të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Stock International Albania (stock.com) është drejt mbylljes së aktivitetit, dy vjet pas marrjes së licencës. AMF i ka lënë rreth një muaj kohë kompanisë që të shitet ose përfundimisht të mbyllë aktivitetin, sipas një vendimi të fundit të bordit të AMF-së. Stock.com tashmë ka mbyllur web-in zyrtar në internet www.stock.com dhe është tërhequr nga ambientet që i shfrytëzonte me qira te “Torre Drini” në Tiranë.

Stock International Albania kishte marrë licencë nga AMF në 30 maj 2015 për të vepruar si agjent brokeri në letra me vlere në emër dhe për llogari të “LeadCapital Markets”Ltd, firmë brokerimi.

Por, ndërsa Stock është drejt mbylljes, një tjetër agjent i po të njëjtës kompani (“LeadCapital Markets”Ltd) ka nisur aktivitetin vetëm dy muaj më parë. “Eurotrade Securities” ka marrë licencën nga AMF në 30 mars të këtij viti, si agjent brokeri në letra me vlerë në emër dhe për llogari të “LeadCapital Markets”Ltd, shoqëri brokerimi. Faqja e internetit e kompanisë eurotradesecurities.com është ende në zhvillim, gjithsesi ajo të lidh me disa platforma tregtimi online.

Ndërsa Lead Capital Markets Ltd , agjentë të së cilës janë të dy platformat shqiptare, është krijuar në vitin 2013, si një kompani private me përgjegjësi të kufizuar në Qipro. Ajo ka licencë nga Komisioni i Letrave me Vlerë të Qipros dhe ofron shërbime të ndryshme investimi dhe ndihmëse.

Platformat onlinë në Shqipëri

Platformat online filluan të përhapen me shpejtësi në Shqipëri rreth tre vjet më parë, një pjesë e tyre të palicencuara dhe me aktivitet informal.

Këto subjekte (agjentë) u mundësojnë individëve të tregtojnë në bursë, por shërbejnë thjesht si platforma tregtimi, ndërsa rrezikun e mbart vetë investitori.

Duke ofruar produkte krejt të panjohura për shqiptarët me kulturë financiare që lë për të dëshiruar, shoqëritë e brokerimit me leje dhe pa leje me një treg ende të pazyrtarizuar dhe të parregulluar po ofrojnë në merimangën e tyre të marketingut qindra qytetarë, të cilët nuk janë të qartë ku po investojnë kursimet e tyre. Teksa në Shqipëri nuk ka përvojë me bursat, ka pasur raste kur investitorët josheshin me fitime të shpejta e të larta dhe më pas vetëm humbnin. Operatorët e tregut përmendin rastin e një individi që ka humbur 70 mijë euro brenda një nate në një prej këtyre platformave.

AMF ka paralajmëruar vazhdimisht që investitorët duhet të tregojnë kujdes me këto platforma, sidomos ato të palicencuara. “Çdo investim apo blerje produkti financiar pranë një shoqërie, apo subjekti të palicencuar mund të jetë objekt mashtrimi dhe spekulimi”, thotë AMF në faqen e saj, duke ofruar informacion për subjektet e licencuara. /Monitor

Tags >

Stock
Lajmet e fundit>